Me penë dhe me gjak…/Papa Josif Mihali (meshtar katolik i ritit bizantin)  

papa

Fjala martir vjen nga greqishtja mártys –yros, që do të thotë “dëshmitar”. Vazhdojmë, pra, me dëshmitarët e fesë. Sot në rubrikën kushtuar martirëve të Kishës shqiptare, flasim për figurën e Papa Josif Mihalit. I varrosur për së gjalli!

Papa Josif Mihali (Elbasan, 23.09.1912-Maliq, 26.10.1948), prift katolik i ritit bizantin, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.

Meshtar katolik i ritit bizantin, Papà Josif Mihali është në listën e 38 martirëve, të cilët u shpallën të Lumtur, më 5 nëntor 2016 në Shkodër, duke u lartësuar kështu në nderimet e altarit. Jetë kushtuar Zotit që në moshë të njomë, kur Arkimandriti Pietro Scarpelli, misionar i ardhur nga Heparkia e Lungros, në Elbasan, e zgjodhi për ta dërguar në Seminarin Benedikti XV, pranë Abacisë së Grottaferratës (Romë). Që aty, vijoi rrugën e përgatitjes për meshtari në Kolegjin Papnor të Shën Athanasit, në Romë, ku përfundoi mësimet e filozofisë e të teologjisë. Më 1 dhjetor 1935 kremtoi Meshën e parë në Kishën e Shën Athanasit, në Romë. Pikërisht në Kishën, ku arbëreshë e shqiptarë vijojnë të mblidhen ditëve të diela, për të ndjekur Liturgjinë Hyjnore në atë gjuhë, me të cilën e ndiqnin bashkëluftëtarët e Skënderbeut, para e pas betejave fitimtare kundër osmanllinjve.

Më 1936 ishte në Elbasan. Bari i Kishës së Shën Pjetrit ai beti në kujtesë të besimtarëve si njeri, që dinte t’i drejtonte shpirtrat kah Zoti e me Zotin t’i zgjidhte edhe problemet më të mprehta të grigjës së vet të vogël.

Në vitin 1945, në moshën 36 vjeçare, ishte në pranga, si meshtar katolik. Nga altari, në Kënetën e Maliqit. Nga Kisha, në baltra, ag e muzg, zheg e cegëm. Në shoqëri të mushkonjave, zhabave, shushunjave, gjarpërinjve. Gjysëm i vdekur nga lodhja e nga uria. Në luftë të përditshme me baltën e zvarranikët e kënetës, derisa i shterruan fare forcat. Atëherë ra. E nisi të fundosej ngadalë në llucë. Të varrosej për së gjalli. Shokët e mjerimit, të llaftarisur nga kjo pamje, nuk guxonin t’ia zgjasnin dorën, të paralajmëruar se dora, që do të shtrihej atë çast, edhe do të pritej. Fundosej. I ndjekur nga dhjetra sy. Sy të mbushur me tmerr e me lotë, e sy të mbushur me mllef. Sy rojesh të armatosura deri në dhëmbë, që i jepnin shkelmin e fundit. U zhdukën dalëngadalë në baltë trupi, që pati meshuar në altar; goja, që pati predikuar fjalën e Zotit, sytë, që patën ngushëlluar të mjeruarit, kur fjala e lirë ishte në pranga.  E mbeti aty, në baltë, si monument i Kishës Katolike, që gjithashtu u detyrua të hynte nën dhe, në katakombe, si dikur të krishterët e parë. Ishte 26 tetori i vitit 1948.

Imazhi i Papa Josifit dhe dëshmia e tij e gjallë na sjellin në kujtesë Fjalën e Jezusit, që thotë: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme; po nëse vdes jep shumë fryt!” (Gjn. 12,24). Vdekja e tij si dhe ajo e martirëve të tjerë, është një shpresë e sigurtë për një të ardhme më të mirë dhe të lavdishme të kombit tonë, një nxitje për të vazhduar që të dëshmojmë edhe ne me jetën tonë se Jezusi është i gjallë në mes nesh dhe vepron akoma sot. Qoftë bekuar Emri i Zotit!

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>