Medinës ç’i panë sytë

Viti 2001 njihet si vit i luftës në Maqedoni. Se i tillë ishte. U bë luftë për pak barazi politike – ekonomike më shumë, për pak drejtësi para ligjit, për pak dinjitet më shumë. Për një jetë me më paqe për ne shqiptarët, kuptohet. Të jetosh në një bashkësi e të jesh i nëpërkëmbur, revoltën e ke pjesë të përditshme, apo të bëhet mënyrë e të jetuarit. Mirë. Ja lufta u bë jo se e donte shqiptari i këtushëm, por zezona kishte kapluar çdo pore të jetës. Mbaroi lufta, u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit (Marrëveshja e Paqes, si pas çdo konflikti të armatosur)… Dikush i dorëzoi armët (me besim se u arrit qëllimi), dikush një trofe lufte e fshehu në hatull e dikush qeshi me ironi, duke belbëzuar: naivët. Dhe, ç’bëri? Vari edhe një në krahun tjetër. Ishte i bindur se asgjë s’kishte përfunduar për së mbari. Pushteti i bëri një makijazh shtetit, por të kthjelltë e vërejtën se hilja i ka rrënjët e thella. U punësuan ca policë (fare e fis i Parisë; morën rrogë profesori universitar familjarët e Parisë; u bënë shefa e kryeshefa akraballëku i Parisë dhe morën ca rroga lëmoshe (pa punë) disa servilë të Parisë. Mirëqenie ekonomike nuk ka, se paratë i “fshiu” Strumica, Shtipi, Kavadari, Përlepi, Velesi dhe Shkupi 2014. Turma brohoriti: Kurrë s’kemi qenë më mirë. Dhe kishte të drejtë. Edhe thërrimet bereqet janë.

Po Medinia ku na mbeti. Ishte e vogël çupa e Lubotenit, atij fshatit të madh mbi Shkupin, fshatarët e të cilit përjetuan tmerrin e vërtet më 2001-shin. I dogjën e i poqën me njerëzi e bagëti, me kasolle e me shtëpi. Sa u vranë e sa u plagosën, as ata vetë nuk e dinë. Ato flakë e ato plagë; ato klithma e ato vaje fëmijësh, grash e burrash, janë skalitur thellë në shpirtin skofiar dhe në kujtesën e Medinës. Ato bisha me uniforma që vërsuleshin mbi gjithçka shqiptare (dhe në Luboten e tëra është shqiptare ), të etshme për gjak e për flak’. Asnjë pikë mëshirë s’kishte gjetur strehë në shpirtrat e tyre vrastarë. Fshatarët përpiqeshin të mbrohen me sfurqe e me lopata, si në kohën e kryengritjeve katundare. Medina vetëm i “incizonte” këto tablo të përgjakshme. Ishte koha e gjakrave të nxehta. Pastaj, pasi furtuna kaloi filluan të mendojnë lubotenasit: More ku shkoi gjaku ynë? As pardje, as dje, as sot përgjigje s’ kanë marrë. Do pëshpërima të vakëta arrin te veshët e tyre, por të pa artikuluara sa e si duhet: do bëhet mirë. Medinia po rritej dhe filloi të flasë me veten: Po ç’ishin ato rrufe që u shkrepën mbi ne? Kujt i bëmë një të keqe ne lubotenasit e urtë e punëtorë? Kujt ia turbulluam ujin? Duke medituar me aq sa mundej iu kujtua përralla e ujkut me qengjin. Pastaj nisi ta pyesë veten: Po kush do t’i shënojë në letër këto lemeri? Harresa është e llahtarshme. Vetë pyeti dhe vetë u përgjigj: Unë. Unë do t’a bëjë të pavdekshme këtë histori turpi e tmerri. Vendosi Medinia qysh atëherë: Do bëhem gazetare. E mbajti fjalë dhe premtimin që ia dha vetes – ajo tani është studente e gazetarisë. Në fillim fshati sikur nuk u entuziazmua, por javët, muajt e vitet kalonin dhe mjedisi jo vetëm që e pranoi, por edhe mburret me të. Çuditë si dhe historitë përsëriten në trajta e forma të ndryshme, por përmbajtja nuk ndryshon. Rrugëve të kryeqytetit po dëgjohen me të madhe po ato çirrje armiqësore kundër nesh. Edhe kundër lubotenasve.

I njëjti kor që ndjell vdekje dhe vjell urrejtje. Gati i vunë flakën edhe tempullit të ligjit dhe të shtetit – Kuvendit. Në ekranet televizive lubotenasit njohën të njëjtën dorë e të njëjtin surrat – Johanin, atë të 2001 që i vuri flakën fshatit. Këtë Johan të cilin Haga e dënoi, pushteti e shpërbleu. Deputet e bëri për t’ia vënë zjarrin shtëpisë së vet, të deputetëve – Kuvendit. Medinia sheh e shkruan sot. Nesër do ta botojë tmerrin që i panë sytë. Medines ç’i shohin sytë ia regjistron edhe zemra, edhe dora. Urojmë të mos jetë e vetme. Historinë duhet ta shkruajnë shumë pena, pasi luftën e bëjnë shumë armë.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>