Meta në simpoziumin: “Imam Aliu midis traditës dhe modernitetit”: Për bektashinjtë tanë Shqipëria ngelet mbi gjithçka!

meta

Sipas Presidentit të Republikës Bektashizmi përfaqëson një besim tradicional, dije dhe kulturë të konsoliduar në Shqipëri ku mes tyre Meta përmendi Naim e Sami Frashërin, Gjysh Ali Gjirokastrën, Abdyl Frashërin, Mit’hat Frashërin, Evlia Çelebiun, Natali Klerë, Hafëz Ali Korçën, Syrja Vlorën, Edvin Zhak, Faik Konicën, Musine Kokalarin e shumë personalitete të shquara

 

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dje në simpoziumin e organizuar nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, me temë “Imam Aliu midis traditës dhe modernitetit”. Në këtë simpozium ishin të pranishëm Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Skënder Bruçaj, Ambasadori i OSBE-së, Bernard Borchardt, Kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kulteve, Loreta Aliko, Koordinatori i Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve për veprimtaritë ndërkombëtare, Aziz Vardar, klerikë dhe studiues të bektashizmit, etj.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidenti i Republikës u shpreh: – “Jam i lumtur që jemi bashkë në këto momente feste të Sulltan Novruzit! E prita me kënaqësi të veçantë ftesën Tuaj për të marr pjesë në Simpoziumin me temë: – “Imam Aliu midis traditës dhe modernitetit. Në këto ditë gjithë vëmendja, përkushtimi dhe dashamirësia shkojnë për ju dhe besimtarët Tuaj, pasi besimi që përfaqësoni dhuron përherë shpresë mirëkuptim, paqe dhe harmoni! Vlerësoj lart idenë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për të trajtuar në simpoziume të përvitshme tema dhe ide rreth doktrinës bektashiane, rolit të udhëheqësve të saj të ndritur dhe raportit të fesë dhe shoqërisë shqiptare. Tema të cilën keni përzgjedhur këtë vit është mjaft domethënëse. Kontributi filozofik dhe personaliteti i Imam Aliut vazhdon të inspirojë dhe të ngelet i qenësishëm edhe pse kanë kaluar rreth 15 shekuj nga aktiviteti i Tij. Në thelb të veprës së vet Imam Aliu predikoi dhe lartësoi dijen dhe drejtësinë, sepse vlerat e vërteta njerëzore, paqja shpirtërore dhe progresi shoqërisë e kanë burimin te dituria dhe te drejtësia”.

“Të nderuar miq!. Bektashizmi përfaqëson një besim tradicional, dije dhe kulturë të konsoliduar në Shqipëri.  Shumë personalitete të shquara, shqiptarë dhe të huaj, kanë shkruar studime për bektashizmin dhe bektashianët, për besimin dhe cilësitë, për vlerat dhe kontributet që ata i dhanë kulturës sonë.

Do të doja të përmendja – Naim e Sami Frashërin, Gjysh Ali Gjirokastrën, Abdyl Frashërin, Mit’hat Frashërin, Evlia Çelebiun, Natali Klerë, Hafëz Ali Korçën, Syrja Vlorën, Edvin Zhak, Faik Konicën, Musine Kokalarin e shumë personalitete të shquara .  Në këtë udhëtim shekullor, në mënyrë të veçantë do të vlerësoja kontributin, sakrificat dhe mundin e shumë bektashinjve të ndritur me në krye Dede Reshat Bardhin të cilët ringritën nga hiri Kryegjyshatën tonë Bektashiane.

Figura të tilla nuk i përkasin vetëm bektashizmit shqiptar, por dhe atij botëror, duke na bërë krenarë”- tha z.Meta.

Më tej ne fjalën e tij Presidenti i Republikës shtoi se: – “Për bektashinjtë tanë Shqipëria ngelet mbi gjithçka! Për lirinë, shkollën dhe kulturën kombëtare ata nuk kanë kursyer as jetën, pasi Atdheu është për ta edhe gjuhë, edhe identitet, edhe besim, edhe fe. Besimi bektashian u përqafua prej shqiptarëve për vetë mesazhin dhe mistikën hyjnore që përfaqësonte.  Ky besim u shndërrua gjatë shekujve në një burim jo vetëm dialogu e tolerance, por edhe në një faktor të rëndësishëm kulture, patriotizmi, edukate dhe filozofie optimistes. Duhet theksuar se kjo fe dhe erë e re besimi gjeti gjithashtu tek shqiptarët një komb mendjehapur, me tradita të shëndosha të burrërisë, nderit dhe krenarisë. Harmonia midis feve në Shqipëri është tashmë proverbiale. Ndaj ne krenohemi me të.  Firmëtarët tanë të Pavarësisë dhe Themeluesit e Shtetit Shqiptar u kujdesën me largpamësi që shteti i shqiptarëve të ngrihej mbi të gjitha besimet dhe në radhë të parë mbi unitetin kombëtar”.

“Në të gjitha debatet për emancipimin e vendit, bektashinjtë të prirë nga baballarët e tyre mendjendritur, kanë mbështetur reformimin e shtetit dhe përparimin e shoqërisë. Në këtë tendencë bashkëkohore, ata gjithashtu kanë qenë dhe janë të predispozuar vazhdimisht edhe për përsosjen, rinovimin dhe modernizimin e besimit të tyre.

Ky fakt është jo vetëm krenari, por merr akoma dhe më shumë vlerë sot kur në botë dhe jo larg nesh fryjnë erëra të rrezikshme ekstremizmi dhe radikalizmi.

Prandaj duke qenë i bindur në këtë filozofi kaq optimiste që ju frymëzoni, dua njëkohësisht edhe t’ju uroj suksese në këtë simpozium që e vlerësoj si një kontribut mjaft të rëndësishëm jo vetëm për bektashizmin, por në mënyrë të veçantë për të konsoliduar dhe forcuar harmoninë dhe bashkëjetesën tonë ndërfetare. Faleminderit!”-përfundoi fjalën e tij Presidenti Meta.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>