Metoda Rama në veprim/ Shpallet koncesioni i dyshimtë i Rrugës së Arbërit

Kryeministri Edi Rama lajmëroi se ka hapur procedurat për kontraktimin e kompanisë që do të financojë, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbërit. Në një postim në Facebook, Kryeministri u shpreh:“Rruga e Arbërit çel programin 1 miliardë për ndërtim. Drejt finalizimit një proces i stërzgjatur në vite që do të kurorëzohet, siç është premtuar brenda vjeshtës me nisjen e punimeve. Është çelur dje procedura finale për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit, me një vlerë prej 33,6 mld lekë të reja. Ofertat do të priten deri në dt 2 tetor 2017 dhe komisioni do të shpallë fituesin brenda 60 ditëve nga data e mbylljes së ofertës.” Nga postimi i Kryeministrit mësohet se plani për ndërtimin e Rrugës së Arbërit është pjesë e Projektit 1 Miliardë Euro të njoftuar prej tij pak muaj më parë, i cili ngjalli pikëpyetje dhe diskutim dhe më pas u la në heshtje për shkak të reagimit të FMN-së kundër mënyrës së financimit të tij. Projektet 1 miliardë euro do të financohen përmes skemave së partneriteteve publike-private, që siç kemi shpjeguar më parë, janë skema të kushtueshme financiarisht dhe të papërshtatshme për vende si Shqipëria, ku ka një mungesë të theksuar të transparencës dhe nivel të lartë të korrupsionit. Përtej problemeve serioze ligjore dhe financiare që mbart kjo skemë koncesionare, e sajuar në mënyrë origjinale nga qeveria Rama, me shumë gjasa procedura e konkurimit është thjesht një fasadë për të zyrtarizuar kompaninë e paracaktuar prej tij në mënyrë private. Qeveria ra fillimisht dakord me kompaninë kineze China State Construction kompania e ndërtimit e treta më e madhe në botë me financim të qeverisë kineze. Por kompania kineze u tërhoq pasi qeveria shqiptare u përpoq t’i impononte një sërë kushtesh të papranueshme për kompaninë që çuan jo vetëm në largimin e kompanisë, por edhe anulimin e financimit të qeverisë kineze për këtë projekt. Menjëherë pas kësaj tërheqje, qeveria mori një propozim të pa kërkuar nga firma vendase e ndërtimit Gjoka Konstruksion për të ndërtuar 26 kilometrat e mbetur të të rrugës, përfshirë tunelin e Qafë Murrizit dhe Urës se Vashës, dhe përfunduar rreth 15 kilometra që janë të ndërtuar pjesërisht (20 kilometra të rrugës jenë përfunduar plotësisht nga qeveria Berisha). Kostoja totale e projektit sipas kompanisë shkon 250 milionë euro. Kompania merr përsipër ta mbarojë projektin në tre vjet dhe pastaj ta operojë me pagesë rrugën, duke garantuar edhe mirëmbajtjen e saj. Tarifa e kalimit do të jetë 4 euro. Skema e propozuar e financimit është e paqartë por nga informacionet e bëra publike mendohet se 90 milionë euro do të financohen nga kompania dhe 60 milionë euro nga shteti. Shqetësimi i parë me këtë skemë është se projekti i firmës shqiptare është pothuajse 100 milionë euro më i shtrenjtë se ai i propozuar nga firma kineze China State Construction merrte përsipër ndërtimin për rreth 22 miliardë lekë, ndërsa Gjoka Konstruksion e ka vlerësuar atë rreth 37 miliardë lekë. Shqetësimi i dytë është financimi 60 milionë euro i qeverisë. Nuk kuptohet pse qeveria po merr përsipër të financojë dhe si qëndron ky financimi në skemën koncesionare të financimit aq më tepër që financimi nga buxheti i shtetit kërkon procedurë prokurimi të drejtpërdrejtë dhe jo sipas legjislacionit të koncesioneve. Dyshimet mbi kostot e projektit dhe skemën e financimit shtohen më tepër nga fakti se kompania pretendon ta nxjerrë koston e investimit dhe mirëmbajtjes 10 vjeçare të rrugës vetëm nga zbatimi i një tarifë 4 euro për çdo kalim të automjeteve në autostradë. Nga ana ekonomike kushtet e kërkuara nga kompania duken të papërshtatshme edhe për vetë kompaninë. Kompania do të investojë 190 milionë euro. Duke gjykuar edhe koston e parasë në kohë, për nxjerrjen e kësaj shume është e nevojshme që gjatë 10 viteve në këtë rrugë të ketë gati rreth 50 milionë kalime me pagesë (4 euro për kalim). Kjo do të thotë se duhet të ketë mesatarisht rreth 5 milionë kalime me pagesë në vit ose mesatarisht rreth 13,7 mijë kalime me pagesë në ditë ose mesatarisht në çdo minutë të hyjnë në autostradë rreth 10 makina me pagesë. Nuk ka të dhëna të sakta për trafikun në këtë rrugë sot dhe për vlerësimin e trafikut të mundshëm në rastin e ndërtimit të autostradës, por gjithsesi ky fluks është një fluks që sot zor se e arrin edhe autostrada Tiranë-Durrës. Ky është pikërisht problemi kryesor i skemave të tilla koncesionare: Ato lejojnë hapësira për abuzim  fryrja e kostos së projektit dhe pastaj ndërtimi me cilësi të dobët pra me kosto edhe më të ulët se sa kostot e vërteta sipas standardeve teknike siç shikohet sot pothuajse në të gjitha rrugët e Shqipërisë. Sidoqoftë, tashmë është fakt se bazuar mbi projektin dhe propozimin e firmës Gjoka Konstruksion, Qeveria Rama ka hapur konkurimin dhe i ka dhënë kësaj firme një bonus prej 10 për qind të pikëve në garë. Është e vështirë të përfytyrohet se në garë të paraqitet ndonjë konkurent tjetër pasi asnjë kompani serioze nuk do të ishte në gjendje që në më pak se dy muaj, sa është lënë nga qeveria e periudha e pritjes së ofertave, të përgatisi një propozim serioz dhe të mirëstudiuar për një investim të tillë madhor. Konkurimet e këtij lloji në botë zhvillohen në periudha të gjata, me disa paralajmërime para hapjes zyrtare të garës që gjithashtu ofron kohë të mjaftueshme për analizimin, studimin dhe hartimin e propozimit. Kështu duket se Gjoka Konstruksion do të jetë fituese e garës, edhe nisur nga fakti që Kryeministri Rama në muajin maj, gjatë një takimi elektoral në Dibër, pohoi me një siguri të plotë se ndërtimi i rrugës do të fillojë në shtator: “Këtë javë,  Ministria e Financës do japë një letër dakordësie për skemën financiare të Rrugës së Arbrit. Kompania që ka bërë projektin është paraqitur me një propozim, është bërë verifikimi i projektit dhe me të marrë letrën, hapet gara. E që të mos flas në mënyrë strikte, se procedurat gjithmonë kanë ndonjë vonesë, nga shtatori fillojmë rrugën e Arbrit e i japim fund kësaj historie.

Marrë nga Exit.al

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>