Ministrat e rinj, riciklim i mbetjeve të vjetra

qeveria

Edi Rama ka ndërruar vetëm fytyrat, por krimi dhe droga janë sërish ministra. Nga shpura e Edvinit, nuk gjen askënd të hairit që të jetë i painkriminuar, por këta katër ministrat e ata që janë në rresht vijnë nga i një batak. Rama pandeh se do shpëtojë veten duke shkartisur kabinetin qeveritar, por largimi i radhës që do të dëgjojnë qytetarët  do të jetë ai i Edi Ramës, një largim ama pa riciklim.

 

Edi Rama me shkarkimet dhe emërimet e fundit në kabinetin qeveritar u përpoq të hiqte nga vetja një sërë përgjegjësish dhe hijen e dështimit katër vjeçar, por faktikisht shqiptarët janë aq të zgjuar sa të mos e hanë sapunin për djathë e kështu të mos e besojnë argumentin patetik të kryeministrit, i cili e mbrojti veten duke thënë se i shkarkoi ministrat, sepse donte t’i angazhonte në fushatën zgjedhore në qarqet përkatëse. Të gjithë e dinë se kjo është një gënjeshtër e radhës për t’i hedhur hi syve popullit, sepse në qoftë se do të ishte serioze atëherë kryebanditi duhet të shkarkonte edhe Lindita Nikollën, Mimi Kodhelin apo Ditmir Bushatin, të cilët janë gjithashtu koordinatorë elektoralë në qarqet nga ku kanë fituar mandatin si deputetë. Duke mos marrë parasysh asnjë nga motivet fiktive të shkarkimeve që Edvini u përpoq të shiste në media vlen të theksojmë se shkarkimi i çirakut Tahiri erdhi gjithashtu edhe si produkt i presionit të ndërkombëtarëve, të cilët nuk nguruan kurrë t’ia përplasnin në sy bilancet e drogës dhe krimit. Nëpërmjet deklaratave të deputetëve të partisë së saj Merkeli ia bëri të qartë disa herë se shtimi i prodhimit të kanabisit ishte kthyer në shqetësim serioz dhe do të kushtëzonte hapjen e negociatave, por Rama bëri sikur nuk dëgjoi duke mos marrë parasysh interesin e Shqipërisë por atë personal, sepse e urdhëroi Tahirin të drejtonte me zotësi skemën e mbushjes së depos qeveritare me 6 milionë euro të pista që do të përdoren për të blerë mandatin e dytë qeverisës. Nxjerrja jashtë loje e Tahirit bëri që kryeministri ta shihte me vend dorovitjen e Fatmir Xhafës me postin e Ministrit të Brendshëm, duke e shpërblyer në mënyrën më të mirë të mundshme për besnikërinë që i ka treguar teksa kryesonte Komisionin Parlamentar të reformës në Drejtësi. Por pavarësisht se e bëri “kurban” ministrin e tij të kanabisit, Edi Rama është ende peng i Saimir Tahirit dhe i frikësuar prej faktit se nuk mund të fshehë bashkëpunimin me të në kanabizimin e vendit, u përpoq ta mbulonte shitjen që i bëri “kokës” së tij me sakrifikimin e Beqjas, Klosit dhe Çuçit. Për zëvendësimin e Ilir Beqjas, i cili është ministri me dosjen më voluminoze ne bilancin e korrupsionit të qeverisë së turpit, Edvini përzgjodhi papritur  Ogerta Manastirliun, drejtoreshën e QSUT-së, e cila po i ngjit shkallët e politikës pasi bekoi vjedhjet  e tenderave miliarda dollarësh të paraardhësit të saj. Është e drejtë të konstatojmë se askush nuk e priste emërimin e saj në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, por në logjikën prej hajduti të Edi Ramës ajo përbën figurën më të aftë brenda dikasterit të rrënuar, që mund të pasojë Beqjan e kthyer në miliarder  falë konçensioneve fiktive dhe tenderave abuzivë, pasi Manastirliu ka qenë edhe vetë pjesë e skemës korruptive dhe i njeh mjaft mirë klientët e kryeministrit dhe mënyrën e ndarjes së përqindshave të vjedhura nga taksat e shqiptarëve. Rama e shfrytëzoi çështjen Tahiri për të djegur një tjetër kartë me emër brenda PS-së, teksa i mbylli përfundimisht portën e Ministrisë së Mirëqënies Sociale Blendi Klosit, i cili në rrethin e partisë së kriminelëve njihet si një jo-rilindas që ka dalë kundër pseudo-reformave të propaganduara si arritje nga “Prijësi i Surrelit”. Rama shkoi edhe më tej teksa në vend të Klosit, emëroi gjatë ditës së djeshme Olta Xhaçkën, një emër pa kontribut në dosjen e korrupsionit që mund të vazhdojë e pasulmuar nga opozita politikën e vjedhjes së fondeve të të varfërve dhe shtresave në nevojë, politikë kjo e cila ishte mëse e suksesshme në vitet kur Erion Veliaj drejtoi këtë dikaster. Pasi e mbrojti Bledi Çuçin dhe bashkëshorten e tij, e cila me paratë e Sorosit ishte deleguar të sillte në pushtet Zoran Zaevin në Maqedoni, më shumë se dhjetëra herë në mediat e tij të propagandës, Rama e kuptoi se sakrifikimi i ministrit të tij më të parëndësishëm me këtë rast ishte lëvizja e duhur që do ta bënte edhe të shmangte marrjen përsipër të pasojave të një tjetër skandali. Shkarkimi i Çuçit nuk pati aspak interes për opinionin publik, por çfarë krijoi habi dhe shok ishte zëvendësimi i tij me lobuesin kryesor pro importit të mbetjeve, Eduard Shalsin. Shalsi pasi vodhi së bashku me Ramën kur menaxhonin tenderat e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, me postin e ri do të ketë mundësi të vjedhë edhe me më shumë lezet, siç ka deklaruar në një studio televizive gjatë fushatës së 2013-ës. Në thelb zëvendësimet politike të bëra nga Rama nuk shkojnë në interesin e shqiptarëve, por janë lëvizje marionetash që diktatori i kryen për t’i dhënë mundësi kryesisht figurave të papërlyera në korrupsion që të vjedhin sa më shumë shqiptarët, në mënyrë që të plotësohet fondi që do të shërbejë për të blerë votat në zgjedhjet e qershorit.

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>