Ministrja e Arsimit Mirela Karabina kallëzon në 2 prokurori Sekretarin e Përgjithshëm të MAS

Karabina: Plarent Ndreca u hoq si titullar dhe firmosi kontrata disamilionëshe

Përplasja e ashpër që ka ndodhur në Ministrinë e Arsimit midis ministres Mirela Karabina dhe Sekretarit të Përgjithshëm të MAS, Plarent Ndreca ka vijuar më tej, teksa drejtues e këtij dikasteri ka kallëzuar zyrtarin e lartë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe atë të Tiranës. Karabina ka argumentuar se shkelja ligjore më e fundit e Ndrecës, lidhet me faktin se ai është hequr si titullar i Autoritetit Kontraktor të MAS dhe ka firmosur kontrata me vlerë 8.6 milionë lekë me disa subjekte. “Në vijim të kallëzimit penal me Nr. 2466-M, datë 12.06.2017 për shtetasin Plarent Ndreca, për shkelje të rënda ligjore të bëra gjatë ushtrimit të detyrës së tij si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit deri më datën 13.06. 2017, titullari këtij institucioni znj. Mirela Karabina, ka depozituar, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Kallëzimi Penal me Nr.Protextra 12, datë 24.07.2017 për shtetasin Plarent Ndreca,i pezulluar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm si dhe i shfuqizuar nga kompetencat që përmban ky funksion. Kallëzimi është bërë për shkak se z. Ndreca në kundërshtim me aktet ligjore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka firmosur si Titullar i Autoritetit Kontraktor për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit një kontratë me operatorin ekonomik  “Albdesign PSP”, sh.p.k., me objekt: Loti I: “Shtypja dhe botimi i dëftesave, regjistrave, dhe revistës “Mësuesi”’, me fond limit 8’600’937 (Tetëmilion e gjashtëqind mijë e nëntëqind e tridhjetë e shtatë) lekë pa TVSH. Përdorimi abuziv i titullit “Titullari i Autoritetit Kontraktor të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, jemi të bindur se përbën vepër penale”, thuhet në njoftimin e ministrisë lidhur me këtë çështje. Në njoftimin për shtyp theksohet gjithashtu se vazhdimi i ushtrimit të paligjshëm të funksioneve shtetërore nga ana e shtetasit Plarent Ndreca është shpërdorim i hapur i detyrës me pasoja të rënda ligjore dhe financiare për Institucionin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Buxhetin e Shtetit. Ministrja e Arsimit ka nënvizuar se është e vendosur që të denoncojë çdo rast që cenon funksionimin e institucionit, shpërdorimin e fondeve të buxhetit të shtetit si dhe akte të korrupsionit, në institucionin që ajo drejton.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>