Monument mësuesve të mërgatës shqiptare në Suedi

Ndjek me vëmendje shkrimet që publikohen shpesh nëpër faqet e shtypit të shkruar dhe në portalet e internetit, lidhur me arsimin shqip të fëmijëve të mërgimtarëve tanë nëpër botë. Dëshirë e një mësuesi të hershëm, që e nisi dhe e grisi jetën në arsim, që të njoh përpjekjet dhe arritjet e kolegëve mësues nëpër vende të botës ku ka shqiptarë. Çdo herë i  përshëndes këta misionarë të dijes e të shqipes, që përpiqen me të gjitha forcat dhe mundësitë që u krijohen. Së  pari të mbijetojnë vetë, më pas edhe të mbajnë gjallë gjuhën amtare, te të vegjlit dhe të rinjtë shqiptarë. Është një përpjekje madhore, pasi jo kudo gjen terren të përshtatshëm, ku shteti dhe komuniteti vendas janë mirëkuptues, dashamirës dhe ndihmues, pa përjashtuar edhe mundësitë e organizimit të vetë shqiptarëve. Ky një kapitull më vete, sepse është edhe çelësi i suksesit.

Kam takuar e biseduar me shumë kolegë, kur vijnë në Shqipëri në periudhën e verës. I admiroj, ndaj diku edhe kam shkruar për ta. Më vjen mirë që shpesh organizohen tubime e kuvende me mësues nga diaspora, përmend takimin e fundit në Gjakovë, këtë verë që shkoi 2017, ku morën pjesë një numër i madh mësuesish. Nuk dua të ndalem tek vështirësitë, që janë të pranishme kudo, që po ashtu janë edhe të ngjashme. Është interesant se, po ashtu të njëllojta janë edhe përpjekjet e tyre, për të kapërcyer pengesat, që: O zot sa shumë që janë! Aqsa vargu i tyre nuk ka fund.

Po qendroj tek “Vepra 2. Arsimi shqip në Suedi”, të autorit Hysen Ibrahimi, vetëm për një arsye të thjeshtë: Arritjet e atij komuniteti shqiptarësh, në zhvillimin e arsimit shqip në veriun e largët të Europës, në Suedi, si shembull e model për të gjithë dashamirët dhe punëtorët e arsimit shqip në diasporë. Dikush do të thotë i zemëruar: pse me Suedinë po na krahason, ku ndihma dhe kujdesi janë në majën më të lartë dhe s’ kanë të krahasuar me vendet e tjerë, sado të zhvilluar qofshin. Mbase kanë të drejtë, por po të njohin përpjekjet e mësuesve shqiptar, dhe pengesat që hasën në fillimet e tyre, do të binden se edhe ata nuk e gjetën udhën të shtruar. Mjafton  të lexojnë këtë libër pak voluminoz, por që vlen shumë. Jo pse ka shumë dokumente, ndodhi, shkrime, proces-verbale, emra mësuesish e plot e plot gjëra të tjera, por se tregohen me hollësi dhe me shumë vërtetësi të gjitha mundimet e shqiptarëve, për të hapur klasa dhe shkolla, ku të flitet e të mësohet shqip.

Ky libër, është më shumë se një dokument, është një monument që u ngrihet mësuesve të mërgatës shqiptare në Suedi. Ata meritojnë shumë e më shumë. Pikërisht në faqet e këtij libri, do të gjejmë më së shumti, guximin, zgjuarsinë, durimin dhe qëndresën e shpirtit shqiptar, për t’u përballur, së pari me mbijetesën, një dukuri mëse e njohur e çdo emigracioni. Dhe, njëkohësisht për t’u ndeshur me pengesat, që organizonte Serbia dhe shteti Jugosllav, me njerëzit e vet dhe me politikën bllokuese e përçmuese ndaj shqiptarëve. Kjo ishte beteja më e parë, që duhesh fituar dhe që u fitua falë qëndresës, vullnetit e mençurisë shqiptare, sepse bënë të mundur shpërthimin e atij “bunkeri” të informimit agresiv e dashakeqas ndaj shqiptarëve.

Pas kësaj, një tjetër betejë duhesh fituar. Ishte ndoshta më e madhja përballje në atë vend të largët, zotësia për të bindur autoritetet vendore suedeze, se shqiptarët nuk janë as serb e as jugosllav dhe se gjuha shqipe nuk ka as lidhje as ngjasim me sllavishten. Duhesh përmbysur kjo teori e propagandë e mirëorganizuar nga serbët dhe shteti Jugosllav, me të cilën ishin ngopur autoritetet vendase dhe vështirë të thyheshin. Fatmirësisht ata u bindën në të drejtën e mërgatës shqiptare, pasi për ta, ishte befasi qëndrimi dhe veprimi i intelektualëve dhe në veçanti i mësuesve, të cilët për disa vite me radhë punuan pa pagesë (Një formë pune shumëvjeçare e shkulur nga veprimtaria arsimore në Kosovë, në kushtet e sundimit serb). Nuk vonoi të çelë “Lulja e parë”. Ishte fundi i viteve 1960-1970. Më konkretisht vjeshta e vitit 1968, kur nga mësuesi Bejzat Beqiri, u hap e para shkollë ku mësohej shqip. Më pas u hapën edhe shkolla të tjera, pavarësisht pengesave të shumta, që s’ju ndanë asnjëherë. Sot veprojnë, 263 “çerdhe” të arsimit shqip në Suedi.

Vitet rrjedhin. Mërgimtarët shqiptar në Suedi shtohen, sidomos pas viteve 1990, si rezultat i gjenocidit serb, por që gjejnë forca të organizohen. Kështu krijojnë këshilla të prindërve, pak më vonë themeluan “Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë”, me emrin “Naim Frashëri”. Aq e dukshme ishte jehona e tyre, sa znj. Maj Bejier (Drejtoreshë e entit të lartë shkollor në Ministrinë e arsimit të Suedisë), ndihmoi me të gjitha mundësitë, duke filluar që nga financimi dhe deri te përpilimi i teksteve për mbajtjen e gjuhës shqipe në gjithë Suedinë. Kjo është edhe arsyeja, që Hysen Ibrahimi, autori i këtij libri, i cili është edhe kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi, vlerëson këtë personalitet të arsimit suedez, për seriozitetin ndaj detyrës. Ai e përmend këtë zonjë të nderuar me shpirt të bukur, mbushur me humanizëm ndaj mërgimtareve tanë, të cilët gjetën në atdheun e saj, strehë, punë dhe liri me tepri.

Takimet e shumta me mësues dhe shkrimtarë shqiptarë, që banojnë në Suedi, më ka dhënë mundësi të dëgjoj shumë ngjarje dhe histori që të habisin. Të gjitha janë pasqyruar në librin “Arsimi shqip në Suedi. Vepra 2”, ndaj po ndalem vetëm te ajo që rrëfen Sadulla Zendel-Daja, të cilit në Prill 2016, munda t’i marr një intervistë të shkurtër. Ai rrëfen dhe emocionohet, kur e rikthen veten në 60 vite të shkuara: “Mësuesi serb po i thotë drejtorit të shkollës, se këta fëmijë vijnë nga Kosova dhe kanë një dialekt të jugut të Serbisë, ndaj nuk më kuptojnë mua. Aty ndërhyra unë, duke ju drejtuar fëmijëve: – Dëgjoni! Dëgjoni! Unë jam shqiptar. – Më tej përmenda shumë emra familjarësh që jetonin në qytetin Nybro. Fëmijët u gjallëruan dhe filluan të flasin, duke thënë: – Po more! Edhe mu ma quajn babën qashtu! …Po pra, ju, ju kuptojmë! – u përgjigjën fëmijët. Ata të gjithë u çuan nga bankat dhe më rrethuan si zogjtë pranë klloçkës”. E kisha shumë pranë këtë burrë të moshuar dhe vura re, se si u gjallërua, kur po fliste për ato ngjarje të shumë viteve më parë. – “Ishte një ditë e shenjtë, një ditë e pritur gjatë”, thotë i mallëngjyer, me sytë gati të përlotur.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>