Nacional-komunizmi histerik i Ramës, si paralajmërues i katastrofës elektorale  

iliri

Që pas publikimit të fotos së kreut të opozitës Lulzim Basha me presidentin amerikan Donald Trump, Edi Rama ka urdhëruar një ndryshim dramatik të fushatës së tij elektorale. Përrallat me ngjyra lejla e me përvetësim të simbolit të Partisë Demokratike, përmes përdorimit të numrit dy në listën e partive politike në fletë-votim, me sa duket janë verifikuar të paefektshme dhe në qendër të vëmendjes tani është kthyer ajo që në vërtetë edhe i shkon për shtat pasardhësit në detyrë të diktatorit Hoxha, një formalizim i qëndrimit në pushtet “me forcat tona e kundër çfarëdolloj rrethimi të huaj”. Propaganda me mbështetje ndërkombëtare është bërë pluhur e hi me publikimin e fotos Basha-Trump dhe siç duket, e vetmja zgjidhje po mbetet ajo izolacioniste, pra ajo e ponderimit të suksesshëm elektoral të “status-quo”-së së narko-shtetit.

Prandaj nga skena është zhdukur ngjyra lejla, janë zhdukur hartimet politike për “Rilindjen” dhe gjithçka që kujton ardhjen në pushtet të Edi Ramës dhe qeverimin e tij katër vjeçar. Katastrofa e këtyre viteve duhet kompensuar veç me harresë dhe me një tamtam të ri elektoral. Dhe tamtam-i s’ka më ngjyrën lejla, s’ka më emrin “Rilindje” por ngjyrat kuqezi të flamurit kombëtar dhe tonet e një revolucioni bolshevik që i do të gjitha, menjëherë e në të njëjtën dorë.

Zhdukja e flamujve të PS-së dhe inflacioni i flamujve kombëtare në mitingjet e Edi Ramës dy ditët e fundit janë vetëm apogjeu i një strategjie që po përshpejtohet, për shkak të publikimit të fotos Basha-Trump. Mbështetja e humbur ndërkombëtare mund të përballet veç me stilin e vjetër, me nacional-komunizmin enverist, i cili është histerik dhe synon të japë bonuse politike edhe në sistemin pluralist. Bonuset merren veç kur sistemi është i trazuar dhe i padrejtë, fiks si tranzicioni ynë, që ka regjistruar shfazimin më të madh në epokën “Rama”. Me administratë, polici, narko-struktura paramilitare dhe superstrukturë mediatike në kufijtë e robërisë, spin-doctor-sat e Ramës po synojnë ta përvetësojnë këtë bonus elektoral. Shqetësimi ka mbërritur në kufjtë e panikut dhe sondazhet e pilotuara s’mjaftojnë më. Fotoja Basha-Trump ka prishur ekuilibrin dhe streha e vetme ka mbetur nacional-komunizmi. Është demode por është e vetmja mënyrë. Edhe spotet e turpshme publicitare të dy futbollistëve të Kombëtares, edhe shfaqja e togfjalëshit “revolucioni kuqezi” në ligjërimin e kreut të PS, edhe inflacioni i flamujve kombëtarë duhen lexuar si produkte të këtij paniku paraelektoral.

Çfarëdolloj skrupulli është shkelur tre ditët e fundit në fushatën e kryeministrit në ikje. S’jam i qartë se cili autoritet moral apo akademik në botën shqiptare duhet të ndërhyjë që të ndalë përdhuninë që Edi Rama i bën publikut me detin e flamujve kuqezi dhe me klithmat se “çdo shqiptar që i do ngjyrat kuqezi duhet të votojë Partinë Socialiste të Shqipërisë”. Nëse autoritetet morale nuk shfaqen, spin-doctor-sat mund të kenë regjistruar ndonjë bonus elektoral për klanin e Ramës, mundet edhe të kenë justifikuar ndonjë pagesë prej këtij të fundit, por gjithsesi, histeria që ka përmbytur me nacional-komunizëm fushatën e kryeministrit, ngjan e pamjaftueshme dhe s’mund të interpretohet ndryshe veçse si humbje e drejtpeshimit.

Nacional-komunizmi si metodë po mundohet të fshihet edhe në Rusinë e Putinit dhe “orgjia” Kuqezi – plus Taksë progresive – plus M’i jepni të gjitha, s’mund të ketë rezultat në një vend kandidat për në BE. Në Tiranën e sahan-sheshit të Erion Veliajt, Nacional-komunizmi histerik i Ramës, s’mund të lexohet ndryshe veçse si paralajmërues i katastrofës elektorale, të cilën s’ka sondazh i parapaguar që e dëmshpërblen.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>