Në 70 vjetorin e ekzekutimit/Martirët e Lirisë dhe Demokracisë

Nata e 14 janarit të vitit 1948. Një natë e zezë. Qielli qante papushim. Retë nxinin mbi Gjirokastër. Gjëmimet ushtonin me forcë. Dukej sikur Zoti me këtë donte të ndalonte gjëmën që po ndodhte. Por djalli në ato kohëra ishte më i fortë. Ai e kishte futur në kthetrat e tij Shqipërinë e gjorë. Ajo nuk kishte më zë. Kishte vetëm urdhra monstruozë, të dhënë nga njerëz monstruozë. Në të gjithë vendin hidheshin vallet e vdekjes.

14 janar, katërmbëdhjetë burra ecnin me kokat lart të lidhur dy nga dy. Rreth e rrotull një tufë hienash të kuqe, me sytë e skuqur nga etja për gjak dhe uria për mish kufomash. Zoti me gjëmimet dhe vetëtimat e tij mundohej t’i ndalonte, por ata nuk besonin në Zot.  Zoti i tyre ishte vetë djalli. Në krye të kollonës qëndronin krenarë Syrja bej Vasjari dhe Zenel Shehu, dy ish udhëheqës të luftës kundër pushtuesit, i pari komandant i batalionit ballist “Tafil Buzi“.ndërsa i dyti komisar i batalionit partizan “Baba Abaz“, Ecin dhe kujtojnë betejat e zhvilluara së bashku kundër pushtuesit italian në Mogila dhe Miricë, në Qafën e Kiçokut dhe në Malin e Bardhë, në Shkallën e Zezë dhe në Buz. Dy familje të mëdha të krahinës, dy miq të mëdhenj që nuk mund të luftonin ndryshe veçse në krah të njeri tjetrit, pavarësisht  nga  bindjet  e  secilit  prej tyre. Nuk kishin si shkonin ndryshe edhe në vdekje.

– Po shkojmë në varr së bashku! – foli Syrjai. – Si në luftë – u përgjigj Zeneli. – Pushoni, nuk keni të drejtë të flisni! – u ndie zëri i njerës prej hienave. – E ç’mund të na bëni më tepër? – u përgjigj i qetë Zeneli.

Pas tyre vinin të lidhur dy robër të Zotit, At Gjergj Suli dhe Baba Shefqeti. Edhe ata ecin dhe kujtojnë. At Gjergjit në  ato momente i kujtohen vargjet e një kënge të vjetër: Papa Kristonë e vranë,/Dhe për të s’ra një kambanë!

Ndryshimi i vetëm ishte se ndërsa Papa Kristonë e helmuan andartët grekë, At Gjergj

Sulin po e vrisnin vëllezërit e tij shqiptarë. Edhe për vdekjen e tij nuk u dëgjua asnjë kambanë. Thuhet se një prift i Leklit i ra kambanave në një orë jo të zakonshme Një gjë e tillë i kushtoi

disa vite burg.

Baba Shefqeti ecte i menduar. Jo se i vinte keq për vdekjen. Tashti i kishte  kaluar  të

pesëdhjeteshtatat. Në dorën që e kishte të palidhur, mbante një  palë  tespie ,  të  cilat  i  numëronte duke u lutur. Edhe në vdekje donte të shkonte me bekimin e Zotit, të cilit i kishte shërbyer për gjithë jetën. Një nga hienat e pa, ia rrëmbeu  dhe i vërviti në errësirën e natës. – Zoti ta faltë gjynahun, se edhe ti vetë nuk di se ç’bën! – i tha babai me qetësi.

Në rreshtin e tretë ecte i qetë Baba Aliu, një tjetër shërbëtor i devotshëm i Zotit. Kur shkuan ta marin për ta pushkatuar një roje u përpoq ta mbante për krahu. Mendonin se Babai do të trembej para vdekjes. Kurse ai i qetë i tha: – Mos kij merak se mbahem vetë, biri im!

Ja si e përshkruan momentin e ekzekutimit të Baba Aliut historiani dhe shkrimtari Novruz Shehu: Njeri nga pushkatarët rrëzohet, i bie të fikët. Nuk mund të qëllojë. – Nrehu bir! Qëllo bir! Zoti qoftë me ty!… Ngrehu biri im! Po s’qëllove ti, do të qëllojë dikush tjetër. Po s’vrave ti, do të vrasë dikush tjetër. Gjak, gjak, gjak sa të zbuten djajtë në shpirtin e njeriut.

Toga hapi zjarr disa herë. Trembëdhjetë burra bien për të mos u ngritur më, ndërsa Baba Aliu, për çudinë e të gjithëve, vazhdon të qëndrojë në këmbë. – Do të të heq taçin Baba? Eshtë dervish Resuli. – Hiqe bir!

Dervishi u ul, I puthi këmbët. – Falmë Baba! – Të kam falur bir! – U shoftë Shqipëria me këtë farë të keqe që ka ardhur! – Mos e mbush gojën bir, mos e rëndo shpirtin! Se Shqipëria është e të gjithëve, e të gjallëve dhe e të vdekurve. Dhe sikur të mos e duan të gjallët, nuk e lënë të vdekurit. Mos e ngarko shpirtin! Shqipëria duhet. Shqipërinë e ka bërë Zoti të jetojë!

Një batare tjetër u dëgjua dhe Baba Aliu ra me emrin e Shqipërisë në gojë.

Cili ishte qëndrimi i këtyre burrave në natën e fundit të qëndrimit në qelitë e burgut të Gjirokastrës? Lexojmë librin e Ibrahim Vasjarit, birit të Syrja Beut: Sapo kishte kaluar mesnata. Errësirë. Jashtë, nëpër qiellin e grisur, përpëliteshin mes resh të largët, të ftohtë. Palcë dimri. -Kot vrasim mendjen Syrja! – tha Baba Shefqeti – gjithçka është ëndërr. E vërteta është vetëm Perëndia, që është “Një“ dhe shokë tjetër nuk ka. – Ashtu është Baba, kemi bërë gjumë të keq, – tha Syrjai. – Gjumë? Pothuaj e kemi harruar fare gjumin, – tha Zeneli – sa shokë na janë vrarë?

– Dhe sa do të vriten akoma! – tha me një ironi të hidhur At Gjergji. – Po kjo është ndryshe, krejt ndryshe, – iu përgjigj Zeneli – kjo është e pakuptueshme. – Nuk ia vlen të kërkosh arsye, – tha Baba Shefqeti, – e keqja nuk fillon dhe nuk mbaron me ne. Ky është mallkimi i Perëndisë. Mendjet tona nuk janë në gjendje ta gjykojnë. Gjarpri do ta shtrëngojë për gryke këtë vend për një kohë të gjatë. Të katër heshtën për një çast të mbyllur secili në veten e tij.

Po kush ishin këta burra që shkonin kaq krenarë drejt vdekjes? Syrja Bej Vasjari lindi në Vasjar të Tepelenës më 13 tetor 1898, në një familje me tradita të pasura patriotike. Stërgjyshi i tij Veiz Vasjari ishte një nga kapedanët më në zë të kryengritjeve antiosmane të viteve 30 dhe 40 të shekullit të XIX-të. Syrjai mbaroi arsimin fillor dhe atë unik në qytetin e Tepelenës. Pastaj i ati e dërgoi në Gjirokastër dhe më pas në liceun e Korçës, ku u regjistrua në klasën e shtatë. Kjo ndodhte në vitin arsimor 1922-1923. Si mbaroi liceun, në vitin 1924 i kërkoi të atit të vazhdonte studimet e larta në Francë. I ati nuk nguroi dhe ia plotësoi dëshirën. Studioi dhe u diplomua për inxhinieri agrare në universitetin e Alfortit, pranë Parisit. Kthehet në Shqipëri në vitin 1932 dhe filloi punë si kryeagronom i nënprefekturës së Tepelenës  Pushtimin fashist e priti me indinjatë të thellë. Shpejt ra në kontakt me eksponentë të Ballit Kombëtarë në krahinë. Filloi me organizimin e çetave nacionaliste të zonës Krahës-Tepelenë, deri sa arriti të marrë detyrën e komandantit të batalionit “Tafil Buzi“. Të gjitha këto i bënte sipas udhëzimeve të mara nga qendra, duke patur lidhje sidomos me Hysni Lepenicën dhe Skënder Muçon në Vlorë. Mbante lidhje të ngushta me batalionin partizan “Baba Abaz”, ku komisar ishte miku i familjes së tyre Zenel Shehu. Të dy batalionet së bashku kanë  luftuar  krah  për  krah  në  disa beteja, të cilat i kam përmendur më sipër.

1-2 gusht 1943. Në Mukje zhvillohet takimi i njohur midis përfaqësuesve të Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar. Pjesëmarrësit e saj janë figura të njohura të të dy palëve. Rezultatet e këtij takimi historik tashmë njihen: luftë të përbashkët kundër okupatorit, Shqipëri etnike dhe vendosja e pushtetit me anën e votës së lirë. Komunistët shqiptarë nuk ishin të kësaj mendjeje. Ata kishin vendosur që pushtetin ta mbanin për vete. Pa u tharë boja e marrëveshjes së Mukjes, e braktisën atë. Në Shqipëri filloi lufta vëllavrasëse. Masakra të tmerrshme bëheshin në çdo skaj të saj. Më lejoni të permend disa: atë të Libohovës me 105 viktima, të Gjirokastrës me Boço Kalon në krye me 17, të Myzeqesë me 65 bujq të pafajshëm, të Tiranës në nëntorin e 1944 me 38 intelektualë të vrarë. Prishja e marrëveshjes së Mukjes, vrasja e Hysni Lepenicës me tridhjetepesë trimat e tij dhe fillimi i vëllavrasjes, e detyruan Syrjanë të shpërndante batalionin dhe të hiqte dorë nga kjo luftë që tashmë ishte kthyer në luftë civile. Shtabi i forcave të Zonës së Parë Operative i propozoi të bashkohej me forcat partizane. Ai nuk pranoi. – Nuk u largova nga Balli, por nga vëllavrasja. Bindjetpolitikenuk i ndryshoj. Me ju nuk mund të vij se nuk mund të bëhem komunist –  i tha  Dr.  Ibrahim  Dervishit që kishte ardhur për t’i bërë propozimin.

U largua dhe u vendos familjarisht në Lushnje. Me mbarimin e luftës kthehet përsëri në fshat. Kryesonte Këshillin e Gjerë Popullor të Rrethit Tepelenë dhe anëtar i Këshillit të Qarkut Gjirokastër. Nisi ndërtimin e shtëpisë së djegur nga italianët, por nuk arriti ta mbaronte. Në muajin tetor arrestohet me të njëjtën akuzë si miku i tij Zeneli dhe më 17.11.1947 dënohet me vdekje me pushkatim, vendim që ekzekutohet më 14 janar 1948.

Zenel Shehu  lindi në vitin 1918 në fshatin Toç të Tepelenës. Ishte djali i madh i Sheh Beqirit, Babai i teqesë së Toçit, e njohur në gjithë krahinën. Më 28 nëntor 1912 është një nga firmëtarët e aktit të pavarësisë. Në janar 1920 zgjidhet dhe mer pjesë në Kongresin e Lushnjes. Po atë vit organizon dhe merr pjesë në krye të çetës së tij në luftën patriotike të Vlorës. Zenel Shehu shkollën fillore e zhvilloi në Krahës dhe atë unike në Tepelenë. Pastaj vazhdoi mësimet me bursë shteti në shkollën tregtare në Vlorë. U dallua si një nxënës i shkëlqyer. Me mbarimin e shkollës tregtare shkon në  Itali, ku vazhdon universitetin e Romës në degën e financës. Në vitin 1939, me rastin e pushtimit të Shqipërisë, detyrohet të ndërpresë studimet dhe të kthehet në Shqipëri. Këtu e mobilizojnë ushtar dhe e dërgojnë në Pukë. Së bashku me disa shokë të tjerë braktis shërbimin ushtarak dhe hidhet në ilegalitet, në radhët e çetave partizane. Në vitin 1942 emërohet komandant i çetës së Verzivollit, me luftëtar të zonës së Krahësit dhe Buzit. Me formimin e batalionit “Baba Abaz“ në Donie të Kalivaçit, emërohet komisar i tij. Me këtë detyrë  bashkëpunon dhe luan një rol kryesor me luftëtarë të tjerë partizanë dhe ballistë si Syrja Vasjari, Asaf Dragoti, Hajri Zaçe, Abaz Shehu, Fejzo Ismaili e të tjerë. Me prishjen e Marrëveshjes së Mukjes krahu i djathtë i forcave partizane, filloi ta kuptojë lojën aspak të ndershme të udhëheqësve të tyre. Një ndër këta ishte edhe Zenel Shehu. Në Kongresin e Përmetit pati kurajon t’u drejtohej udhëheqësve me fjalët: – Ne morëm armët dhe dolëm në mal dhe vumë në dispozicion të luftës pasurinë dhe jetën tonë e të familjes, për të hequr spatat e fashizmit nga flamuri ynë dhe jo për të vendosur në vend të tij simbolin sllav të yllit të kuq. Pas fjalës së tij Tahir Kadareja e tërhoqi mënjanë dhe i tha: -Çfarë bëre kështu more Zenel? Nuk luftohet kështu si ti, se të merr plumbi ose në ballë ose prapa koke. Tahir Kadareja e njihte strategjinë e hienave.   Pas mbarimit të luftës emërohet nënprefekt i Tepelenës. Propozohet si kandidat për deputet në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, por hiqet nga lista nga organet drejtuese në Tiranë. Në fillimin e vitit 1946 heq dorë nga detyra e nënprefektit. Arrestohet   në  shtatorin  e  atij  viti. Me vendimin  Nr. 242  datë 17.11.1947 dënohet me pushkatim.Vendimi ekzekutohet më 14 janar 1948.

At Gjergj Suli u lind në fshatin Lekël të Tepelenës më 12 mars 1893, në një familje me bindje të thella të besimit ortodoks. Arsimin fillor e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmin në gjimnazin “Zosimea“ të Janinës. Në vitin 1922 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendoset në Boston dhe Filadelfia. Bie në kontakt me shqiptarë të tjerë dhe bëhet anëtar i shoqërisë “Vatra“. Ishte nën ndikimin fetar të imzot Fan Nolit. Kreu një shkollë fetare dhe pas saj shugurohet prift. Në vitin 1934 kthehet në Shqipëri. Pushtimi fashist e gjeti në fshatin e lindjes. Në dhjetorin e vitit 1946 arrestohet si dy të mësipërmit dhe dënohet me vdekje me  pushkatim  më  17.11.1947.  Vendimi ekzekutohet më 14 janar 1948.

Baba Shefqeti i Koshtanit lindi në vitin 1885. Shërbeu për një kohë të gjatë në teqenë e Koshtanit, që ishte kthyer në vatër të shqiptarizmës. Ishte një antifashist i vendosur. Teqeja e tij u bë një qendër ku kuroheshin partizanët apo nacionalistët e plagosur. Si besimtar ndaj Zotit, nuk mund të pranonte ata që ishin bashkuar me djallin. Dhe kur ky e pushtoi vendin, jeta e tij nuk kishte më kuptim. Ai ishte i bindur se Zoti ishte i madh dhe se syrit të tij nuk i shpëtonte asgjë. Me këtë besim përballoi momentet e fundit të jetës. Arrestohet në dhjetorin e vitit 1946 dhe dënohet më 17.11.1947. Ekzekutohet më 14 janar 1948.

Baba Ali Tomori ka lindur në vitin 1893 në fshatin Shalës të Buzit. Ishte i biri i Abazit, që kishte mbaruar shkollën e lartë për mësues në Stamboll dhe emëruar në Kozare të Selanikut, ku shërbeu për 23 vjet. Në vitin 1913 kthehet përsëri në teqenë e Prishtës. Pas masakrës së vitit 1914 nga ana e grekëve, detyrohet të marrë rrugën e emigrimit. Kthehet përsëri në Shqipëri dhe vendoset si Baba në teqenë e Kulmakut, ku mori edhe titullin “Baba Ali Tomori“. Pushtimi i Shqipërisë edhe prej tij u prit me indinjatë të thellë. Si të gjithë bektashinjtë e tjerë edhe teqeja e tij u bë çerdhe e djalërisë kryengritëse. Kohët e fundit shërbeu në teqenë e Zallit në Gjirokastër. Arrestohet në janarin e vitit 1947 dhe dënohet më 17.11.1947. Si shokët e tij ekzekutohet më 14 janar 1948.

Këto ishin figurat kryesore të asaj masakre që u zhvillua atë natë janari në

Gjirokastër. Por sa të tilla janë zhvilluar gjatë regjimit totalitar? Shkoni në sallën e gjenocidit të Muzeut Historik Kombëtar dhe do të shihni fotografitë e disave nga mbi gjashtëmijë burrave të masakruar. Një pjesë prej tyre, gjatë periudhës kur vendin e qeveriste Partia Demokratike, kanë fituar titullin “Martir i Demokracisë“. Për të tjerët vazhdon heshtja. Ndërmjet tyre edhe për heronjtë e këtij shkrimi. A është e moralshme një gjë e tillë? Unë mendoj se jo. Hidhini një sy teksteve të historisë që studiohet nëpër shkolla dhe do të shihni se për këta burra dhe për këtë terror as që flitet fare. Atëhere kur do ta mësojë të vërtetën e këtij vendi brezi i ri që po rritet në atdheun tonë? Ne sot po jetojmë epokën e ndryshimeve të mëdha. Dhe unë besoj se kjo duhet të jetë koha e rehabilitimit të plotë këtyre figurave. Një gjë e tillë do të bëjë që të fitojmë    Shqipërinë e ardhshme, Shqipërinë demokratike.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>