Në ditën e 59-të të qëndresës, në çadrën e protestës u diskutuan problemet ekonomike dhe përkeqësimi i klimës së biznesit

basha

Rritja e taksave dhe shtypja e biznesit ka varfëruar shqiptarët e pasuruar oligarkinë

Paraditen e djeshme “çadra e lirisë” u kthye në një tryezë bashkëbisedimi për problematikat e biznesit në Shqipëri dhe klimën e ashpër që e rrethon atë, ku pedagogë dhe ekspertë ekonomie shpalosën fakte që tregojnë se situata ekonomike është përkeqësuar dhe investimet e huaja në qeverisjen e “Rilindjes” kanë njohur një rënie drastike. Kryedemokrati Lulzim Basha dhe ekspertët e fushës theksuan se vetëm pas katër vitesh qeverisje të Edi Ramës, Shqipëria konsiderohet nga gjermanët si vendi i fundit në rajon për të investuar, ndërsa bizneset austriake mendojnë se situata ekonomike në vend është përkeqësuar. Lideri i opozitës teksa bënte listën e çmimeve të rritura gjatë katër viteve e që rëndojnë në xhepat e qytetarëve, u shpreh se problemi më i madh i shqiptarëve sot është mungesa e parave. Basha tha se paratë e vjelura në formë taksash dhe që depozitohen në arkën e shtetit nuk i kthehen më qytetarëve, në formë investimi apo subvencionesh. Kreu i PD deklaroi se paratë e taksapaguesve shqiptarë shkojnë në xhepat e një grushti njerëzish që pasurohen në kurriz të qytetarit të thjeshtë që ska mjaftueshëm për të mbyllur muajin. “Ku janë lekët e shqiptarëve? Një pjesë mblidhen me taksa më të larta se para katër vitesh, kur erdhi në pushtet duke premtuar se 97% e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa. Taksat janë rritur për të gjithë. Një pjesë i mbledh me faturat e energjisë. Janë rritur për të gjithë shqiptarët, por janë rritur në veçanti, për më të varfrit. Një pjesë i mbledh me faturat e rritura të ujit, me taksat e rritura të pronës, dhe me çmimin e rritur të karburantit. 240 lekë për litër karburanti, vetëm rritja e akcizës në dy vjet. Taksa e karburantit nuk prek vetëm ata që kanë automjete apo motoçikleta, prek këdo, sepse karburanti reflektohet në çmimin e gjithçkaje që nga mielli i bukës, tek uji i pijshëm dhe tek çdo shërbim”, tha Basha. Ai argumentoi se qytetarët shqiptarë vuajnë mungesën e lekëve pasi ato shkojnë në xhepat e Edi Ramës me shokë. Sipas tij ky është produkti i komploti ekonomik, që ka për qëllim të zhvasë çdo kacidhe të mundshme nga xhepat e çdo shqiptari të thjeshtë, të zakonshëm, për hir të 10 apo 15 individëve që nuk dua t’i quaj shqiptarë, të cilët kanë gjithë pushtetin ekonomik, gjithë pushtetin politik dhe gjithë pushtetin kriminal në vend. “Ku shkojnë paratë? I mbledh ky, shteti; shteti i leshit. Eshtë më e pakta që mund t’i them. Sepse, vetëm te tenderi i karburantit këtë vit tenderon 4,4 miliard lekë. Këtë vit elektoral. A e dini cilat janë shumat që ka harxhuar shteti shqiptar ndër vite? I kemi nga shifrat zyrtare. A e dini se cilat janë shumat që kanë harxhuar ndër vite? Në vitin 2013, 1.16 miliardë. Në 2014, 1.58 miliardë. Në 2015, 1 miliardë. Në 2016, 1.3 miliardë. Në 2017, 4.39 miliardë lekë. 44 milionë dollarë karburant. Lekët e kujt janë këto? Të kujt janë këto lekë? Tuajat janë! Janë lekët që i kanë derdhur qytetarët me taksat e larta, me akcizat e larta, me çmimet e rritura… Kryedemokrati Basha ritheksoi se Republika e vjetër është një komplot i mirëfilltë ekonomik kundër qytetarëve shqiptarë dhe këtë e vërtetojnë vendimet e marrë në fshehtësi, si ai për kullën 350 m që do të bëhet në fund të bulevardit të cilit do t’ia heqin taksat për 15 vjet. Lideri i opozitës theksoi se Edi Rama kërkon ta mbajë me çdo kusht karrigen kryeministrore edhe nëpërmjet një pazari të ri katërvjeçar me partnerin në bashkëqeverisje Ilir Meta, sepse e di që me votë të lirë qytetare është i larguar automatikisht nga pushteti. Basha deklaroi se ndodhemi në një situatë ku Edi Rama ka ofertën e Ilir Metës për një koalicion edhe për zgjedhjet e ardhshme, por nuk e dorëzon pushtetin për të pasur një qeveri teknike, sepse ka frikë se edhe po ta ketë Ilir Metën në varg, po i iku karrigia, i ikën mbështetja e drogës dhe mbështetja e kriminelëve që i ka sjellë në parlament. “Ai e di se gjykimi popullor do të jetë i pamëshirshëm me votë të lirë e të ndershme. Prandaj ka bërë, e po bën çdo përpjekje ndaj aleatit të tij, me zhage. E dini se çfarë është zhagia? Kush e di të ngrejë dorën. Pse i them zhage unë?! Unë e njoh si torbë ose si trajse. Por lidershipi i lartë socialist, e njeh si zhage se kanë nja 15 vjet që e përdorin. Sa herë që nuk i zgjidhin punët me njëri tjetrin, hedhin zhagen. Zhagia ka dalë edhe jashtë Shqipërie. Zhagia nuk ka nevojë për viza. Hap pas hapi, nuk i themi të gjitha sot se janë shumë se duhet ti tresë stomaku i atyre që dëgjojnë. I kemi të gjitha faktet. Pra, po i ofrojnë çdo gjë, që ti mbushin mendjen që të tërhiqet nga deklarata që ka bërë, e të shkojë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Kur them çdo përpjekje, argumenta dhe fakte nuk kanë, sepse argumentat e interesit publik tashmë i kupton çdo shqiptar, i vogël dhe i madh, i djathtë dhe i majtë, kërkojnë largimin një orë e më parë të Edi Ramës si kryeministër se rrugë tjetër për zgjedhje të lira nuk ka. Ai gjithashtu deklaroi se nuk do të bëhet asnjë pazar me interesin e qytetarëve shqiptarë për interesin e partive politike.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>