Në Fushë Krujë hidhet në erë makina e efektivit të policisë

makina hidhet ne ere

S’ndalet furia e tritolit – shpërthim brenda një lokali në Tiranë, plagosen 3 persona

Një shpërthim i fuqishëm me lëndë eksplozive ka vënë në rrezik jetën e biznesmenit Armando Ceka, i cili bëhet për herë të dytë objekt i një atentati të tillë. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në rrugën “Budi”, në lokalin në pronësi të tij. Në këtë shpërthim janë plagosur tre persona, pronari i lokalit Armando Ceka, 36 vjeç, Juljan Çela 28 vjeç dhe Artur Shana, 43 vjeç. Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Traumës në kryeqytet, ku mjekët thanë se 2 prej tyre, Ceka dhe Çela janë në gjendje kritike, ndërsa në orët e vona të mbrëmjes u konfirmua se dy personat e plagosur kanë humbur gjymtyrët e poshtme. Sipas dyshimeve të para, shpërthimi mund të ketë ndodhur pas një konflikti për motive pronësie, ndërsa dyshohet se eksplozivi mund të jetë komanduar me celular. Biznesmenit Armando Ceka i është bërë atentat në mjetin e tij edhe në shtator të vitit 2013 në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, kurse në muajin mars të vitit 2012, iu bë atentat ish-ortakut të tij Lorenc Teranaj, të cilit iu vendos tritoli në shtëpi. Edhe pse vendosja e tritolit tashmë është bërë një praktikë e përditshme, ajo që vihet re është indiferenca e autoriteteve shtetërore ndaj këtij fenomeni që sa vjen e rrezikon jetën e qytetarëve. Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri dhe drejtori i Policisë së Shtetit jo vetëm që nuk japin dorëheqjen për paaftësi në garantimin e sigurisë dhe rendit publik, por përkundrazi me prezencën e tyre thjesht sa motivojnë gjithnjë e më shumë bandat kriminale dhe krimin e organizuar. Tritoli është sot kryefjala në të katër anët e vendit. Si të mos mjaftonte shpërthimi në orët e para të mëngjesit në rrugën “Budi”, një tjetër atentat me tritol u shënua në Fushë Krujë, ku u hodh në erë automjeti i një punonjësi të policisë. Makina tip “Golf 5”, pronë e Alfred Memës, ishte parkuar para ambienteve të burgut pranë një lokali, në kohën kur ka shpërthyer. Policia ka shoqëruar në polici për këtë ngjarje Jetmir Zirin 24 vjeç djali i pronarit të lokalit pranë burgut. Nuk dihet ende nëse ky është autori, por dyshohet se porosia për vendosjen e eksplozivit është bërë nga burgu. Me këtë situatë që çdo ditë e më tepër po degradon në forma të shëmtuara të kriminalitetit, siç janë edhe atentatet terroriste me tritol, gjithkush është i rrezikuar. Jeta e qytetarëve shqiptarë është në rrezik nga këto banda të rrezikshme që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, që prej marrjes së pushtetit nga Edi Rama.