Në gjuhën tonë të bukur: shqip/E DJATHTA E ZOTIT!

mehmeti

1.Këtë shenim e nxiti pyetja e zonjës Bletë Nokshiqi, e cila do me ditë për prejardhjen e cilësimeve i djathtë dhe i majtë në politikë.

Në gusht-shtator 1789, pra në kohë të Revolucionit Francez, mbretërorët zunë vend në krah të djathtë të kryetarit të Asamblesë Kombëtare, pasi ky quhej vend i nderuar. Kundërshtarët në të majtcilësimi i djathtë osej mhtë te¨Lekljergj fishta, kalle t’ pjynah, ç’ë. Më pas, pavarësisht ku rrinë, cilësimet i djathtë dhe i majtë u njëjtësuan me krahun politik.

Në politikë të djathtët, të quajtur edhe konservatorë, u përmbahen më fort disa vlerave madhore të kombit dhe individit: atdheu, gjuha, traditat e simbolet kombëtare, prona private, aftësitë e individit, besimi në Zotin.

E majta i mëshon më shumë barazisë shoqërore dhe rolit të shtetit, të cilin e djathta e zbeh. Presidenti republikan Ronald Regan deklaronte se qeveria është problemi.

Fjala i/e djathtë është e burimit indoeuropian të shqipes.

I/e djathtë në gjuhën shqipe ka disa kuptime. Në mënyrë të figurshme përdoret për një njeri punëtor, energjik, që i vjen mbarë çdo punë. “Të djathtin s’e hup Zoti” (fjalë e urtë).

2.I/e majtë është fjalë me burim latin.

Në dialekt thuhet edhe i shmajtë (në Fjalorin e Gjuhës Shqipe të M. Elezit janë i shmajtë, i mashtë, i mbërdhantë, i rrëmaçët, i rrëmakët, i rrëmajtë, i shmangët, i shtërmankët, i tërmakët; majcak, rrëmash, shmajtak, shmajtan, shmaktan). Në thelb e njëjta fjalë.

I/e (sh)majtë përdoret edhe në kuptim të figurshëm: i ngathët, që s’i vjen ndoresh, jo i mbarë.

Mëngjarash, shmajtan, sallaks kanë kryesisht ngarkesë të keqe.

  1. Siç vëren Çabej, “e djathta në mendësinë popullore merret si anë e mbarë, në kundërshtim me anën e majtë, që merret si e prapë”.

Kjo përkapje gjindet te Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe gjithandej në folklor.

Mbiemri e djathtë përdoret në trajtë të emërzuar në kuptimin e mbara, mbarësia. “-Kah po nisna sot për me çetue? -Kah të na prijë e djathta e Zotit!” (Kangët e Kreshnikëve, Muji e Behuri). “Mirë se të ka pru e djathta e Zotit!”, është urim mirëseardhjeje.

Përdorimet e figurshme të fjalëve i/e djathtë, i/e majtë pasqyrohen gjerësisht në doke e bestytni.

Në librin e Atë Kolë Berishajt “Malsia e Madhe”, etnografi, botimet Gjergj Fishta, kallëzohet për një doke që quhet “Kthimi në të djathtën e Zotit”. “Pasi dasmorët kanë hedhur disa hapa  – zakonisht vllau – i thërret motrës për emër: – Mri (p.sh.), ktheju n’e djathtën e Zoti t’çoftë n’nafakë! Nusja duke u kthyer në të djathtë, kah gjinia, çon thekun e djathtë të duvakut me dorë të djathtë aq sa t’i shihet fytyra…”.

Në popull dora e djathtë vlerësohet si dora e zemrës. Për dorën e majtë ka një thënie tjetër, jo aq të fisme. Me u çue në krah të djathtë do të thotë me u çue me humor të mirë dhe me mbarësi. E kundërta me u çue në krah të majtë. Po ashtu me u nisë ose me hy diku me këmbë të djathtë është veprim që nënkupton ose sjell mbarësi. E kundërta me këmbë të majtë. Me dhanë diçka me dorë të majtë ka kuptimin me dhanë me gjysmë zemre.

  1. Edhe në disa gjuhë perëndimore janë këto kuptime.

Në anglisht right do të thotë i/e djathtë. Por ka edhe kuptimin i/e drejtë, i/e duhur, i/e mbarë.

Diçka e përafërt edhe në frëngjisht. Adroite (prej droite - i/e djathtë) do të thotë afërsisht si në shqip: i shkathët, që mbaron punë. Dhe gauche, i majtë, përdoret edhe në kuptimin i ngathët, kaba, jo i mbarë. Gjithnjë në frëngjisht, emri sinistre do të thotë fatkeqësi, rrezik, zezonë; dhe si mbiemër ka kuptimin ndjellakeq, ogurzi, kobzi. Vjen prej latinishtes sinister, që do të thotë në të majtë, që është në të majtë. Edhe në italisht e majta quhet sinistra.

Në besimet e lashta të shumë popujve, qëndrimi në të majtë sillte fatkeqësi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>