Në gjuhën tonë të bukur: shqip/E LINÇOI?!

1.Linçoj? Po. Fjalë e hyrë në shqip dhe në gjuhë të tjera prej anglishtes (The Lynch Law, ligji i Linçit, sipas emrit emrit të jetësuesit të tij, gjyqtarit racist të qindvjetëshit të 18-të Charles Lynch, nga shteti i Virxhinias). Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, 2006, folja linçoj, me linçue, shpjegohet kështu: “e vras, e var a e djeg dikë pa i bërë gjyq”. Ka edhe trajtën pësore linçohem, emrin linçim dhe mbiemrin i linçuar. Folja me linçue  lidhet me dallimin e egër racor në Amerikën e para treqind vjetëve. I përket historisë.

Historisë? Kështu e dimë. Por ja çfarë shkruan një e përditshme në Tiranë: “Mirani linçoi nje aplikacion që ka të bëjë me zhvillimin e një loje atraktive… Ky nuk është projekti i fundit që do të linçojë Mirani…”.

Nga shkrimi merret vesh se një djalë shqiptar, me emrin Miran, qenka i talentuar në informatikë. Dhuntia e tij është dëshmuar te një aplikacion tërheqës (“atraktiv”), që ai e paska “linçuar”!

Folja me linçue mund të përdoret edhe në kuptim të figurshëm, për trajtimin mizor që i bëhet dikujt. Midis reagimeve për të ashtuquajturën “listë të zezë” me 100 (apo 101?) emra “shkatërrues të shtetit”, të shpallur nga  kryeministri i Shqipërisë mbështetur në median sociale, spikat komenti i një politikani të njohur. Te kjo listë ai sheh përpjekjen e kryeministrit me përdorë pushtetin ekzekutiv “për të linçuar publikisht cilindo që nuk i paguan atij ryshfetin, gjobën apo nuk pranon çdo lloj kërkese antiligjore…”. Për të linçuar këtu thuhet në kuptim figurativ.

Atëherë në ç’mënyrë u linçoka një aplikacion në kompjutër?

  1. Ai që ka bërë shkrimin mund ta kishte gjetur lehtësisht fjalën e duhur. Mjafton me e dëgjue djalin, autorin e këtij aplikacioni, ç’fjalë përdor ai vetë për punën që ka bërë. Thotë kam linçuar (një aplikacion) apo diçka tjetër. Por gazetashkruesi s’e ka dëgjuar.

A thua fjalori i djaloshit nuk i është dukur aq “intelektual”? Po gjej një më të bukur. Ja, si është ajo folja që e dëgjojmë nëpër ekranet e Tiranës? Linçoj! Më e kohës, “më e lartë”!

  1. Me cilën fjalë të gjuhës shqipe mund ta ketë ngatërruar autori, kur shkruan linçoi? Me foljen me leçitë? Jo, nuk janë aq afër dhe, kryesorja, hartuesi i atij shkrimi dhe kolegët që e kanë ribotuar në Tiranë, vështirë ia dinë kuptimin kësaj fjale. Nuk e njohin, nuk e përdorin.

Lajmshkruesi thjesht është prekur nga virusi gjuhësor i përhapur në media. Nga virusi i  përdorimit pa vend e pa nevojë të fjalëve të huaja “të mëdha”, edhe pa ua ditur kuptimin, boll të mos jenë shqip. Ka dëgjuar nëpër ekranet e vogla kolegët e kapur prej këtij virusi kah shqiptojnë lançoi. E ka parë edhe të shkruar në gazetë.

Lançoi është fjalë që qepet me gabime nëpër fjali. E marrun prej italishtes. Përdoruesit në shqip e shkruajnë si t’u shkojë dora: lançoi, lancoi, lansoi!  (është trajtuar më hollësisht  në këtë rubrikë me 03 prill, në shkrimin me titull Lëmshoj). Me të drejtë s’e ka përfshirë asnjë fjalor i gjuhës shqipe. Kuptimi i saj është lëshoj, njoftoj, shpall, përhap, bëj të ditur, qes në treg. Me gjasë, duke mos ia ditur kuptimin njërës as tjetrës,  diku në nënvetëdije shkrimshkruesit i janë përzier trajtat  lançoj dhe linçoj. Kuptimi s’ka rëndësi. S’ka rëndësi kanë thënë edhe kolegët që e kanë kaluar nëpër duar, duke e ribotuar në Tiranë, pa treguar pikë mëshire për aplikacionin e ngratë. Janë pajtuar: ta “linçojmë”!

  1. Nuk di sa do të shkonte folja me linçue, si metaforë për shkatërrimin e masakrimin ditë për ditë të gjuhës së lashtë shqipe. A nuk po linçohen një nga një fjalët, trajtat dhe strukturat gramatikore, në atë shkallë sa fjalë dhe ndërtime gramatikore të shpikura e të sajuara, që i gjen shpesh në media, s’kuptohen fare?

Në media ose në gojën e politikanëve “të ditur”!

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>