Në gjuhën tonë të bukur: shqip/I (PA)SINQERTË!

1.Titujt e mëposhtëm dëshmojnë sinqeritet apo venë në dyshim sinqeritetin?

-“Rrëfimi i sinqertë i (emri i një politikani): pse s’mund të rrija në PS”;

-“(Emri i kryeministrit): bashkëbisedim i sinqertë për sfidat e Shqipërisë”;

-“Oferta e sinqertë për PD”;

-“Rrëfimi i sinqertë i (emri i gruas së kryetarit të qeverisë)”;

-“Rrëfimi i sinqertë i (emri i një politikaneje): pse u jam borxhli dy djemve”;

-“Pengu i (emri i një politikaneje) dhe një rrëfim i sinqertë: pse më preku një qytetar”.

Janë shkëputur nga dy të përditshme. Tituj kësisoj ndesh përditë në shtypin dhe median e shkruar të Tiranës.

E para: a duhet të marrë përsipër gazeta sinqeritetin dhe vërtetësinë e një rrëfimi ose interviste? Në u bëftë dorëzan për këto, gazeta bëhet palë. Me pasoja veçanërisht kur bëhet palë me forca politike e politikanë. Ve në dyshim pavarësinë e vet. Dashje a pa dashje të kujton thënien cinike: gazetarë të pavarur ka, por kushtojnë shumë shtrenjtë.

Po në qoftë se një politikan, rrëfimin e të cilit e vlerëson “të sinqertë”, rren ose mashtron ditën për diell, siç ndodh  të shumtën e herës, ç’i mbetet pastaj gazetës? Moralit të saj?

Sinqeritetin e rrëfimeve e intervistave gazetari ua le në dorë autorëve. Dhe gjykimit të lexuesve.

E dyta: vënia e epitetit i sinqertë vetëm shton dyshimet për sinqeritetin e mëtuar. Një grua e ndershme s’ka nevojë me bërtitë në kupë të qiellit unë jam e ndershme. Të përfolurat, ato me shumë historira, bëjnë këso deklaratash. Si në atë gazmoren angleze, ku dikush gropon florinjtë në një fushë të shkretë dhe, për t’u siguruar që s’ia gjejnë,  ngul përsipër një tabelë me fjalët: këtu s’ka flori!

Është e njohur thënia: ku ka deklarata beso të kundërtën.

  1. I gjen këta farë titujsh edhe nëpër intervistat e rrëfimet e emrave të artit, të sportit dhe nga jeta në familje:

-“Letra e sinqerte e djalit të aktorit: babai im është aktor i famshëm, por nuk ka lekë”;

-“Rrëfim i sinqertë i FM: i dashuri bëhet xheloz kur më shikon seksi në ekran”;

-“Rrëfimi i sinqertë i poetit: si i vodha…”;

-“Rrëfim i sinqertë i E: shisja paketa cigaresh kur isha dhjetë vjeç”;

-“(Emër traineri) i sinqertë: jemi në vendi e katërt”;

-“Rrëfim i sinqertë i një nëne: si m’u shndërrua burri në shok dhome…”.

Tituj të tillë klithin për mungesën e fantazisë, për varfërinë e mendimit dhe pasigurinë profesionale të shtypit. Botuesit dhe shkruesit rreken me ça me çdo kusht me “mallin” e tyre, duke bërë reklamë ordinere rrugësh.  Duke ia detyruar (imponuar) lexuesit “mallin” me të bërtitura. Nga e ditka gazetari se i biri i aktorit qenka i sinqertë, kur thotë se i ati s’ka lekë? Çfarë sinqeriteti dëshmoka traineri duke pohuar se ekipi është në vend të katërt, kur renditja është arithmetikë e thjeshtë, e lexon gjithkush?

Lëngje frutash, prodhim joprofesional kimie, që shiten nën etiketën “bio”!

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>