Në gjuhën tonë të bukur: shqip/KULTURA KUNDËR!

mehmeti

1.Zyhdi Dervishi ka dy “fatkeqësi”.

E para, boton libra. Studime serioze për sociologjinë dhe të tjera.

E dyta, është profesor doktor.

Arritje?

Në kohë tjetër do të shiheshin si dëshmi të përmasave intelektuale.

Tashti hierarkia e vlerave është tjetërsuar. Piramida e vlerave është përmbysur.

Kush ka dy lekë, boton libër. Kush ka më shumë dhe qasje politiko-klanore në media, i shpërlan trurin lexuesit me publicitet agresiv, libra mesatarë e nënmesatarë shpallen “bestseller”.

Dhe kush ka lidhje politike, kush është deputet, ministër a dorë e fortë e biznesit, kur të dojë e sheh veten doktor profesor.

Inflacion i tutshëm. Shqip, zhvlerësim.

Edhe i të qenit shkrimtar, dijetar a autor librash.

Edhe i gradave e titujve shkencorë.

Një intelektuali që ka çarë me talent e zotësi, gati i vjen turp me kallëzue se ka botuar libra, se ka tituj e grada shkencore. Druhet se e njëjtësojnë (identifikojnë) me ata që i gradon zonja e pacipë P-P. Zonja Polit(ikë)-Pare.

Më mirë hesht.

Në vetmi murgu.

I braktisur nga shoqëria.

Por jo nga Vetja.

2.Dy botimet e fundit të Dervishit: “Lente të ndërveprimit simbolik” dhe “nëpër degëzime të kulturës shqiptare” (EMAL, Tiranë, përkatësisht 2016, 2014). Çështje pak të prekura te ne, shtjelluar me plotni vëzhgimesh vetjake, mbështetur në burime e referenca nga bota shqiptare, nga kontinenti e më gjerë. Në të dytin merret me përcaktimin e intelektualit. Ndër të tjera.

Kush duhet quajtur intelektual? Shtjellon tri përkapje (koncepte).

  1. Intelektual është cilido që ka shkollë të naltë, të mesme a më pak se të mesme dhe bën punë zyre, jo punë krahu. Koncept komunist. Zotërues në shoqërinë shqiptare pas Luftës së Dytë, deri në vitet nëntëdhjetë.
  2. Intelektuali është krijues, përhapës dhe përdorues i kulturës.
  3. Si njeri i kulturës, intelektuali është kundërkonformist konstruktiv.

Dy përcaktimet e fundit u përkasin shoqërive të lira. Në to kryesore janë dy fjalë: kulturë dhe kundër. Jo kundër si qëllim në vetvete. Kultura kundër të keqes.

Intelektualin e dallon nga eksperti përfshirja në lehtësimin e dhimbjeve të shoqërisë. Dervishi citon Sartrin. Shkencëtarët që punojnë me përsosë armët bërthamore, nuk janë intelektualë, janë vetëm shkencëtarë. Nëse këta shkencëtarë, që kanë udhëhequr prodhimin e armëve bërthamore, bashkohen botërisht me lëvizjen kundër përdorimit të armëve bërthamore, “ata bëhen intelektualë”.

  1. I do shteti shqiptar intelektualët? Ky i sotmi?

I do, me një kusht. Pa “kundër” te mbiemri kundërkonformist. Domethënë pa vetvetësi (identitet) intelektuale. Më drejtpërdrejt, i do të tredhur.

Intelektuali, qafa e të cilit nuk pranon lakun e lekut e të politikës? Që guxon me u shfaqë edhe kundër?

I padëshiruar. Mos i bëzaj. Mos e kujto. Lere në terr.

Bojkot edhe nga media “e lirë”. Mos i jep hapësirë botimi. Mos i jep ekran. Mos pipëti për punën e tij.

Rrethoje me asgjë.

Kujdes, mos e shaj hapur, se i shton mbështetësit, fansat.

Mos e përmend fare, ai është si qoftëlargu: po i zure në gojë emrin qoftëlargut, të shfaqet, të shtihohet. Ja ku erdha, thotë, vetë më thirre!

  1. Ky është komploti i heshtjes kundër vlerave të sotme diturore. Përbetimi. Çmimi vrastar që paguan intelektuali për të mbetur intelektual. Për të qenë Vetvetja.

Megjithatë gushëllohet duke luftuar, jo duke bërë viktimën. Intelektuali është misionar.

Në çdo rast “do ta them hapur se kush jam”, thotë Leon Filipe:

Jam hije

Që banoj në hije

Dhe ushtar që luftoj kundër hijes!

Intelektuali punon edhe në terr.

Boton me kursimet e veta. Kur nuk je pranë politikës, sponsorët ikin një botë larg!

Dhe ec.

Ec duke vuajtur, siç thotë Branko Merxhani.

  1. Këto mendime të kahershme m’i shprushën sërish librat e Zyhdi Dervishit. Nuk do të flas më shumë për vlerat e tyre. Libri i mirë është si burimi: boll me e ditë ku është, njerëzit e etshëm shkojnë vetë.

Libri i mirë ia ka dalë me pëshpëritë diçka edhe në diktaturë.

Po në (post)diktaturë?

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>