Në gjuhën tonë të bukur: shqip/MJEDA: NJË DHUNIM AKADEMIK  

Rastësisht iu riktheva Mjedës. Ndërhyrjet në botimin e mëparshëm dyvëllimësh të veprës së tij (shtëpia botuese Naim Frashëri), t’i çojnë flokët përpjetë. Sidomos “sqarimet” për gjuhën e tij. Krasitjet e komentet për përmbajtjen po se po.

Janë shenimeshkrues me emër e me tituj akademikë.

1.

Te Andrra e Jetës Mjeda ka këtë tubëz:

Ka dalë Harapi

Heret, e shpatit delet ia hapi

Ka dalun Mica me lopë mëdhaja

Nëpër ograja.

Në dy botime të shtëpisë botuese N. Frashëri janë dy shënime të përçartura, krejt të kundërta me njëri-tjetrin.

Në të parin thuhet se Harapi e Mica janë kafshë, përkatësisht qeni e bushtra.

Njëzet e sa vjet më vonë, te botimi i vitit 1988, qeni e bushtra shndërrohen papritmas në… njerëz. Fjalë për fjalë: “Harapi – emër bariu i dhenve”; “Mica – bareshë e vogël”. Dhe “Kuptimi është figurativ. Të dy, bariu dhe baresha (Harapi dhe Mica!) pohojnë një çift… flasin për ëndrrën dashurore të Zogës. Pohojnë bashkimin e saj. Një paralelizëm. Element i natyrshëm idilik, fshatarak” (Ndre Mjedja, vepra letrare I, shtëpia botuese Naim Frashëri, 1988, faqe 84).

Harapi në Veri është i njohur si emër qeni të zi. Dhe në Shkodër maces i thonë “micë” (e ka edhe Kuteli!). Mjeda flet për qenin e për macen (Harapin e Micen) në një kontekst ku personazhet e veprës janë fëmijë: dy motrat jetime, Zoga dhe Tringa (e cila në këto botime herë del Trinë e herë Trinkë). Lopët, me të cilat ka dalë Mica, janë “të mëdhaja”. Edhe më “të mëdhaja” u duken fëmijëve përballë maces.

2.Ashtu si qenin e macen botuesi zyrtar na i bën barinj dhe i marton në mënyrë “idilike”(!), edhe urithin te Andrra e Jetës e bën fshatar që punon tokën. Fjalën “lavruer”, që vjen prej “lavër”, sipas lërimit që bën urithi, e shpjegon “bujk”; dhe fjalën “shpuer” prej foljes “me shpue”, që kallëzon vragën që çel urithi, e shpjegon “rrip toke të punuar” nga bujku (po aty, e njëjta faqe)!

Emri “xití”, trajtë dialektore e nxitim, qenka “kujdes i madh”!

Ndërsa fjala “kerzh” e cila s’ka çka me qenë tjetër veçse kersh, pra shkëmb, gurajë, bëhet “pyllishtë!”.

Në botimet e mësipërme fjalë të pastra shqipe  të Mjedës “shqipërohen” me fjalë prej turqishtes ose gjuhëve sllave. Mishtar, që përdoret edhe sot gjerësisht në Kosovë, “përkthehet” kasap! Folja e vetës së tretë shumës “hullen” (hudhen, hidhen, folja me u hedhë, e burimit indoeuropian të shqipes, në Shkodër e Gjirokasër ngatërrohen bashkëtingëlloret ll/dh), te Mahmud Pasha shpjegohet me një sllavizëm: “avitet” (po aty, faqe 114)! Për më tepër, shpjegim i pasaktë, i gabuar.

Ka plot shembuj të tjerë, të ngjashëm.

  1. I pari shqiptar që iu fut transkriptimit të autorëve të vjetër. Bashkëthemelues i shoqërisë Agimi dhe i alfabetit të saj, me të cilin u bënë botime me vlerë. Personalitet me peshë në Kongresin e Manastirit. Me letërkëmbim të gjërë me G. Majerin (Meyer), i cili e quan “bashkautor” të veprës së vet.

Ky është Mjeda gjuhëtar. Pa u ndalur te poeti.

Dhe i përdhunohet gjuha me gjithfarë shenimesh vulgare.

Prej këtyre përrallave akademike Mjedës i dridhen eshtrat në dhé.

Dridhet vetë gjuha e lashtë shqipe.

  1. Prej padijes kanë shkruar kështu? Pa dyshim këtu ka jo pak injorancë (padije në këtë rast tingëllon fjalë e butë). Por në radhë të parë është filozofia e mbrapshtë politike zyrtare, që jetësohej edhe në letërsi, në gjuhësi, në kulturë, duke i përçarë shqiptarët. Shqipja burimore, e pasur dhe e rrjedhshme e Mjedës, vlerat e saj, qenë përjashtuar tashmë nga fjalorët, nga gramatikat dhe shkollat, folësit e saj shpërfilleshin e nënçmoheshin. Te Mahmud Pasha është ky varg: “O Kastrat, porsi reja mizore…”. Në botimin e sipërpërmendur, në fund të faqes është shenuar: “1) Kastrat – banor i fiseve të Veriut” (po aty, faqe 112)!

Kastrati “banor”?!

Dhe ç’janë këto “fise të veriut”, eskimezë?

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>