Në gjuhën tonë të bukur: shqip/“PËR INAT TË SIME RÉ, TIM BIR E SHTIFSHA NË DHÉ!”

mehmet elezi

1.Letër e z. Petrit Dunga, mësues dhe autor: “Jam i indinjuar se Fjalori juaj (i gjuhës shqipe) nuk shërbehet dhe nuk është në stendat e fjalorëve të Bibliotekës Kombëtare as në sallë. Mbetëm në bunker…”.

Duke e marrë të mirëqenë njoftimin, zgjohet pyetja: përse?

Nuk do të ndalesha, sikur të ishte fjala për fjalorin “tim”. Ose për romanet, sprovat a të tjera botime të mia. Por Fjalori nuk është imi. Nuk është i Mehmet Elezit. Fjalori është i gjuhës shqipe. Domethënë i të gjithë shqiptarëve. I të vdekurve, i të gjallëve dhe i atyre që do të ngjizen. Autori vetëm i ka mbledhur e shtjelluar fjalët e pasuritë e tjera të Fjalorit. S’i ka shpikur ai. S’i ka krijuar ai. Kanë qenë qysh kur nuk mbahet mend.

2.Gabim rastësor i Bibliotekës, harresë?

Vështirë. Nuk është një fjalorth krahinor, që mund të shpërfillet e të harrohet. Fjalori i Gjuhës Shqipe i M. E. ka po aq fjalë (41.000) sa Fjalori i Akademisë, 1980. Dhe janë fjalë të tjera. Vjelje nga krejt trevat. Me ilustrime nga letërsia e shkruar dhe gojore, me shtjellime etimologjike. Për këtë Fjalor Qendra e Studimeve Albanologjike ka bërë më 2008 një diskutim të gjerë shkencor, me kumtesa e referate akademikësh.

“Inat” vetjak i dikujt në Bibliotekë Kombëtare me autorin?

Nuk mund të mendohet. Për të gjitha arsyet.

Urdhër nga ndonjë zyrë, bojkotoje autorin, sepse mendon ndryshe?

S’ka shumë që media shkroi për një zyrë të gjatë të shtetit, që paskesh dhënë urdhër drejtpërdrejt me mbyllë një lokal në plazh. Përse? Sepse atje po këndonte dikush i padëshiruar për atë zyrën e gjatë të shtetit. Sa mirë që i del kohë zyrës së gjatë të shtetit me u marrë një për një me artistë e me krijues. Duke i përzgjedhur: ky është yni, bën, ky nuk është yni, në kryq!

Masë ndëshkuese ndaj gjuhës shqipe, ndaj gjysmës së vlerave të saj?

U shpallën të jashtëligjshme në “kongresin e drejtshkrimit” (1972), pasi lufta e klasave u shtri edhe në gjuhë (edhe vetë Stalini e pat kundërshtuar “karakterin klasor” të gjuhës!). E kam trajtuar në librat “Gjuha shqipe në bunker?!”, botuar edhe si parathënie e Fjalorit, “Gjuha shqipe me një mushkëri”, “Gjuha shqipe dhe ëndrra e një nate vere”. Dhe në shkrime e intervista.

Aq e njëanshme dhe përjashtuese ka qenë politika gjuhësore e diktaturës, aq e fortë edhe përndjekja gjuhësore, sa për brezat e rritur me standardin e sotëm Fishta dhe Eposi i Kreshnikëve janë të pakuptueshëm. Deridiku edhe stilistë të rrallë si Mjeda e Koliqi, mjeshtër si Pashku e Mekuli. Para Luftës Fishtën e recitonin përmendësh në veri e  në jug. Sot, për ta kuptuar, duhet “përkthyes” prej shqipes në shqip!

Është kjo filozofi edhe në Bibliotekën Kombëtare? Janë urdhëruar?

3.Përgjysmoje gjuhën amtare! Përse? Për mllefe e interesa partiako-fisnore. “Për inat të sime vjehërr shkoj e fle me mullixhinë”.

Kjo s’është gjë.

Ka një thënie tjetër, ku urrejtja nxin si në skenat e Shekspirit: “Për inat të sime ré, tim bir e shtifsha në dhé!”.

Në çdo vend të lirë Biblioteka Kombëtare është tempull, rezervuar i dijes. Kasafortë  vlerash diturore kombëtare, mbarënjerëzore.

Në vendin tonë një institucion si ajo u marrka me politikë? Me politikë në dëm të gjuhës amtare? Nuk dua ta besoj.  Do të ishte e dhimbshme, trishtuese. Gjuha shqipe është e vetmja që na njëjtëson e na bashkon të tërë si shqiptarë. Pa të nuk do të ishim.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>