Në gjuhën tonë të bukur: shqip/RROGAMI ME TRI LETËRNJOFTIME

1.Shtatë-tetë kilometër nga qyteti Bajram Curri, në Sopot, vëreja shigjetat që kallëzojnë drejtimin e rrugës. Shigjetën e Rrogamit e kam parë të shkruar në tri trajta. Rrogam, Rogam, Rragam.

Në Tropojë ka dy Rrogamë. S’kanë lidhje të veçanta ndërveti, përveç emrit, që e kanë njësoj.

I pari, ndonja dhjetë kilometra në lindje të qytetit, fshat. Edhe minierë kromi. Njëri nga dy futbollistët RagamiVllaznisë (shkodranët e shqiptojnë Ragami, jo Rrogami) ka qenë prej këtij vendi.

Rrogami tjetër është në krahun e kundërt, rreth njëzet e pesë kilometra larg qytetit, në vijim të fshatit Valbonë. Njihet ndryshe si Rrogami i Shalës. Si fis banorët janë shaljanë, prej Shalës së Malsisë së Madhe.

Të dy emërvendet shqiptohen e shkruhen njësoj.

  1. Emërvendi Rrogam, siç shtjellon Çabej, vjen prej emrit rogë. Fjalë e burimit indeuropian të shqipes. Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, 1980, vepër e Akademisë, i jep saktë dy kuptimet kryesore të saj. Përmbledhtazi: 1. Lëndinë me bar ose vend i zhveshur mes pyllit. 2. Pjesë e zhveshur ose e rjepur, pullë, larë.

Rogë përdoret në veri të Shqipërisë, në Kosovë, në Maqedoni dhe në treva të tjera.

Del në dhjetëra emërvende.

Del në emra familjesh.

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, 1980, ka edhe ndajfoljen roga-roga dhe foljen me u rogue.  Më tej, në Fjalorin e Gjuhës Shqipe të M. Elezit janë edhe shtatëmbëdhjetë fjalë që lidhen me fjalën rogë.

Cila prej tri trajtave është e saktë, Rrogam, Rogam apo Rragam?

Si rregull, për emër të një vendi merret trajta që përdorin vendasit. Në Tropojë thuhet Rrogam (prej rogë, me dyfishim shprehës ose geminacion ekspresiv). Edhe në veprën e akademisë  Fjalor i Emrave Gjeografikë të Republikës së Shqipërisë (Shkenca, Tiranë, 2002), shkruhet saktë, Rrogam. Po ashtu emërvendet që lidhen me të: Gropat e Rrogamit, Pylli i Rrogamit, Kunji i Rrogamit.

Është edhe në Mal të Zi, në Tuz, afër Urës së Rzhanicës (disa e shkruajnë Zharnicë), ku është vrarë Isa Boletini, një emërvend Rogam. Fonetikisht kjo është trajta më e saktë. I qëndron besnik fjalës rogë, prej kah e ka prejardhjen.

  1. Çabej mendon se toponomastika shqiptare është dëshmia kryesore e autoktonisë, e vazhdimësisë iliro-shqiptare në të njëjtat troje qysh prej lashtësisë. Nëpër emërvende fjalët e moçme shqipe janë ruajtur si në bankë.

Qysh prej nismës vetjake të Gazullit para Luftës së Dytë (përkushtimin e tij kombëtar e pagoi me krye, duke mbetur edhe pa varr!), asnjë  hap nuk është bërë për të studiuar emërvendet në hapësirat shqiptare.

Edhe më keq: disa emërvendeve, të cilat ftillohen me fjalë të burimit indoeuropian të shqipes, po u priten rrënjët shkallë-shkallë.

Media dhe administrata janë në pararojë të këtij dëmtimi. Tri trajtat me të cilat shkruhet emri i Rrogamit janë një dëshmi, por në shenimet e mëparshme të kësaj rubrike ka të dhëna të tjera, që kërcasin më tepër se rasti i Rrogamit.

Heshtazi këtë shkatërrim po e ndihmojnë gjuhëtarët. Një nga një po i shumëzojnë me zero fjalët e moçme shqipe, prej kah burojnë emrat e këtyre vendeve. Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, 1980, vepër e Akademisë, i shtjellon saktë kuptimet e emrit rogë dhe të disa fjalëve që rrjedhin prej saj.  Por… një hap para, dy mbrapa. Fjalori i Gjuhës Shqipe, 2006, i fundit i Akademisë, i cili duhej të ishte më i ploti e më i sakti, s’e përfshin fare këtë fjalë. Arsyeja? Nuk përdoret në “fshatin tim”. Dhe fjalët që nuk përdoren në “fshatin tim” nuk janë gjuhë shqipe!

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>