Në gjuhën tonë të bukur, shqip:/URIME, NUSJA BËRI LINDJE TË TREFISHTË!  

(vijon nga e hëna e kaluar)

Jemi gjithnjë te përdorimi i panevojshëm dhe i gabuar i kalkut në gjuhën shqipe. 

  1. “Ne bëjmë diferencën”

 

E dëgjojmë shpesh herë në reklamat televizive për disa shoqëri të tregut (të quajtura jo shqip “kompani”). Duan të thonë: ne jemi ndryshe. Shprehja është kalk, përkthim fjalë për fjalë prej anglishtes. Por shqip s’e ka këtë kuptim.

Shqip me ba diferencën ka kuptimin  me llogaritë edhe nji herë diçka që është bërë gabim ose që nuk është përfunduar dhe me saktësue çka është tepër ose mangët.

Ata që klithin nëpër ekrane ne bëjmë diferencën, në përpjekje me ua mbushë mendjen blerësve se janë ndryshe nga të tjerët, në thelb bëjnë kundërreklamë. Shqiptari i thjeshtë as që e kupton për çka e kanë fjalën. Një grua në moshë, te fqinji im, ngulte këmbë se e kanë fjalën për energjinë elektrike. Paguajmë tepër, vijnë fatura të kripura pa i këqyrur matësit sa kemi harxhuar, më iku gjysma e pensionit vetëm me dritat, thoshte. Këta ndoshta bëjnë diferencën dhe na i kthejnë paret që na i kanë marrë pa të drejtë. Prandaj ta dëgjojmë çka po thotë.

 

  1. “…dhe jo vetëm.”

 

“Gruaja ka lënë të shokuar drejtuesin, por jo vetëm.”, shkruante një e përditshme. Nuk kuptohet: gruaja ka qenë jo vetëm, por me dikë tjetër, kur ka lënë të shokuar drejtuesin, apo gruaja ka shokuar jo vetëm drejtuesin por edhe të tjerë?

Togfjalëshi “jo vetëm” në gjuhën shqipe është shprehje lidhëzore bashkërenditëse me kuptimin e përshkallëzimit. Mbyllja e fjalisë me lidhëz, duke vënë pikë fill pas saj, nuk është në natyrën e gjuhës shqipe. Si do të tingëllonte nëse i thua gruas: e dashur, u bënë ditë që nuk po e kalojmë natën bashkë, jo vetëm? Gjuhësisht duket sikur i thua u bënë ditë që ne të dy s’e kalojmë natën bashkë edhe me të tjerë!

Në disa gjuhë perëndimore shkon kjo strukturë, por në shqip është fare pa kuptim. Përkthimi mekanik i saj, përdorimi në shqip si kalk, e pështjellon kuptimin dhe e tjetërson gjuhën.

 

  1. “Vrasje e trefishtë”

 

Një vrasës me çorape në krye vret tre vetë, gazetat dhe televizionet flasin për vrasje të trefishtë.

Ç’kuptim ka? Vrasja është vrasje, nuk është as e njëfishtë as e dhjetëfishtë. Shqiptari i përditshëm thotë janë vrarë dy vetë, tre vetë, treqind vetë. Ose janë bërë dy vrasje, tri vrasje, treqind vrasje.

Sipas kësaj logjike, gratë nuk bëjnë më binjakë as trinjakë. Bëjnë thjesht lindje të dyfishtë, të trefishtë. Mamia mund të dalë te dera: urime, nusja qiti në dritë një vajzë të dyfishtë! Ti je i detyruar ta kuptosh: paska lindur vajza binjake.

Vrasje e dyfishtë mund të përdoret vetëm në kuptim të figurshëm, në raste të caktuara. Në të drejtën dokesore shqiptare, nëse viktimës ia dhunon shtatin (pas vdekjes), nëse ia merr armën etj., parashikohen ndëshkime shtesë. Vrasja bashkë me këto dhunime mund të quhet vrasje e dyfishtë, e trefishtë, sipas rastit. Gjithnjë si metaforë.

Për dhunimin, po, mund të thuash i dyfishtë, i trefishtë. Gjuha shqipe po vuan një dhunim të trefishtë. Po e mbytin fjalë të huaja të panevojshme, struktura gramatikore të huaja të panevojshme, kalke të panevojshme. Dhe shqipja tkurret e rrudhet e thahet për ditë.

Nga kush?

Nga politikanë dhe media.

Që janë të varfër në kulturë.

Të varfër edhe në vetëdijen si shqiptarë.

29 janar  2018

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>