Në Kosovë s’ka qeveri pa koalicione

Ambasadorët e vendeve më të industrializuara në Kosovë u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë kosovarë për krijimin e shpejtë të institucioneve. Por marrëveshja për koalicione do të jetë e vështirë

Shpallja e rezultateve preliminare të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë tregoi se asnjë koalicion apo subjekt politik nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta bërë vet qeverinë e Kosovës. Ndonëse akoma nuk është thënë fjala e fundit e KQZ, koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) ka fituar rreth 34% të votave, apo 39 deputetë. Lëvizja Vetëvendosje me 27% të votave do të ketë 31 deputetë, ndërsa koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa), me 26% te votave do të ketë 30 deputetë. Pakicat do të ketë 20 vende të garantuara – sa parashikohet me “diskriminimin pozitiv” në Kushtetutën e Kosovës. Në një situatë të këtillë, koalicionet për krijimin e shumicës parlamentare janë të pashmangshme, sepse për votimin e qeverisë nevojiten 61 vota nga 120 deputetë, sa ka Kuvendi i Kosovës.

Kërkohet krijimi i shpejtë i institucioneve/Ambasadorët e vendeve më të industrializuara u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë që sa më parë të fillojnë negociatat për krijimin e institucioenve të reja. Ambasada e Shteteve të Bashkuara thotë se “votuesit e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre, ndërsa procesi i formimit të qeverisë së re duhet të fillojë sa më shpejtë dhe me mirëbesim”. “Kjo ndihmon që udhëheqësit e sapozgjedhur të fillojnë punën rreth çështjeve të rëndësishme me të cilat ballafaqohet Kosova”, citon gazeta Koha Ditore, ambasadorin e SHBA-së në Kosovë. I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj beson se qeveria e re do të formohet shpejt pas çertifikimit të rezultateve. Ai është i vetëdijshëm që nuk i ka numrat e mjaftueshëm për qeveri, por shpreson një koalicion me LDK, me shpjegimin se me këtë parti ka pasur “një traditë të mirë bashkëpunimi”. “Jemi në pritje të rezultatit final, por afërsisht dihet numri i deputetëve të koalicionit tonë. Kushtetuta jonë parasheh edhe përfshirjen e komuniteteve në qeveri. Por do të diskutojmë dhe konsultojmë edhe subjekte të tjera politike shqiptare për ndërtimin e qeverisë. Jemi në përgatitje për marrëveshjeve potenciale me partnerët. Unë kam një traditë pune me LDK-në nga e kaluara, por do të shohim sesi do të rrjedhin gjërat”, shprehet Ramush Haradinaj. Mirëpo LDK është shprehu e prerë kundër koalicionit me PDK-AAK-Nisma dhe Ramush Haradinajn. Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, thotë se LDK në asnjë mënyrë nuk do të pranojë koalicion më PAN-in. “Në asnjë mënyrë dhe më asnjë kusht të vetëm nuk do të pranojmë koalicion më PAN. Na po presim t’i shohim rezultatet përfundimtare dhe certifikimin e zgjedhjeve dhe më pas të ulemi bashkërisht dhe të vlerësojmë çka është e drejtë te bëjmë. Nëse ne mbesim partia e tretë, ne nuk jemi në pozicion më zgjedhë. Do të shikojmë se cili është varianti më e mirë për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, është shprehur Agim Veliu.

Vetëvendosja e sheh veten fituese/I nominuari i lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti pohon se kjo lëvizje ka dyfishuar votat dhe ka të drejtë të krijojë qeverinë. Ai i bëri thirrje LDK-së për koalicion. Vetëvendosje dhe LAA së bashku do të kishin 61 deputetë. Por sipas Kushtetutësk, mandati i parë i takon subjektit që ka fituar më së shumti vota – pra PAN. “Ne i bëjmë ftesë të gjithë koalicionit LDK-AKR-Alternativa që në Kosovë të hapim një kapitull të ri, në përputhje me vullnetin e qytetarëve”, thotë Kurti. Ai shprehet se “nuk mund ta lejojnë krijimin e një tjetër nga PDK” dhe shpreson se “pas dështimit të PAN për krijimin e qeverisë, radhë do ta ketë Vetëvendosje”.”Nuk mund të kemi pushtet të ri me eksponentë të vjetër. Parandalimi i një qeverie me njerëz të regjimit të vjetër i hapë rrugën krijimit të një qeverie të re, ku VV-ja do të jetë bartëse dhe prijëse e këtij procesi”, është shprehur për mediet lokale Albin Kurti. Zyrtarë nga LDK-së nuk e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen.

Analistët politikë parashikojnë krizë politike në përpjekjet për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Analisti politik i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, thotë se do të ketë vonesa dhe turbulenca në raport me formimin e qeverisë së re të Kosovës. “Ende mbetet e panjohur krejt gjendja, përderisa t’i shohim edhe rezultatet finale. Por ajo që dihet është se partitë e koalicionit PAN dhe LAA, kanë humbur shumë në këto zgjedhje. Na ana tjetër ka një rritje enorme të Vetëvendosjes, që vjen si rezultat i pakënaqësisë shumëvjeçare në raport me politikat e PDK-së dhe LDK-së. Rezultati është i pakënaqshëm për blloqet PAN dhe LDK dhe kjo vështirëson formimin e qeverisë”, analizon Naim Rashiti. Neni 95 i Kushtetutës së Kosovës e specifikon qartë se, pas çertifikimit të rezultateve, Presidenti i Republikës së Kosovës në konsultim me partinë politike, me subjektin, apo me koalicionin që është fitues i zgjedhjeve, e dekreton mandatarin që i ka fituar zgjedhjet për krijimin e qeverisë. Mandatari në afat prej 15 ditësh është i obliguar që të shkojë në Kuvend me listën e Qeverisë dhe të votohet. Nëse nuk i fiton votat e nevojshme prej 61 deputetësh, atëherë konsiderohet që qeveria nuk është zgjedhur nga mandatari i parë. Presidenti më pas në afat prej 10 ditësh e cakton mandatarin tjetër sipas të njëjtës procedurë. Nëse as mandatari i dytë nga partia fituese e zgjedhjeve nuk mund të sigurojë 61 vota të deputetëve për ta bërë qeverinë, atëherë, është në “diskrecionin” apo vullnetin e e Presidentit, nëse do t’ia jap mandatin partive të dyta dhe të treta (në bazë të përqindjeve në zgjedhje) që i sigurojnë 61 vota për ta bërë qeverinë, apo të shpallë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme. Kështu thuhet në një interpretim të Gjykatës Kushtetuese, nga viti 2014.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>