Në Paris po mbahet Forumi V Evropian katoliko-ortodoks  

rv14993_articolo

“Evropa e frikësuar nga kërcënimi i terrorizmit fundamentalist, vlera e njeriut dhe liria fetare”. Kjo, tema e zgjedhur për Forumin V evropian katoliko-ortodoks, nismë e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (Ccee), së bashku me Patriarkanën Ekumenike, në marrëveshje me Kishat ortodokse të pranishme në Evropë. Punimet – njofton agjencia Sir – u hapën dje, në Paris, me përshëndetjen e kryeipeshkvit të kryeqytetit francez, kardinalit André Vingt-Trois. Më pas punimet i drejtuan dy bashkëpresidentët e Forumit, metropoliti Gennadios i Sassimës, i Patriarkanës ekumenike dhe kardinali Peter Erdë, kryeipeshkëv i Esztergom-Budapestit. Punimet do të përfundojnë të enjten, më 12 janar, me hartimin e një mesazhi përfundimtar nga ana e pjesëmarrësve. Në delegacionin ortodoks bëjnë pjesë metropolitët e patriarkanave ekumenike të Antiokisë, Moskës, Serbisë, Rumanisë, Qipros, Greqisë, Shqipërisë e Sllovakisë. Në delegacionin katolik bën pjesë edhe kardinali Angelo Bagnasco, kryetar i Konferencës ipeshkvnore italiane.

Evropa, përballë terrorizmit fundamentalist/Tema e zgjedhur për edicionin V të këtij Forumi ekumenik – “Evropa përballë terrorizmit fundamentalist” – do të zhvillohet nga pjesëmarrësit duke u nisur nga disa tema me interes të përbashkët, si dinjiteti i njeriut dhe liria fetare; intoleranca fetare, diskriminimi dhe persekutimi; fundamentalizmi dhe terrorizmi i sotëm; kohezioni shoqëror dhe fenomeni i frikës në shtetin e së drejtës, duke e parë përmes misionit të qeveritarëve  dhe kontributit të Kishave në përballimin e konflikteve dhe në promovimin e së mirës së përbashkët e të solidaritetit e, së fundi, më e rëndësishmja, kumtimi i Jezu Krishtit, si përgjigje ndaj fundamentalizmit dhe terrorizimit. Të mërkurën, më 11 janar, në orën 19,30, pranë Katedrales së Shën Marisë së Parisit, anëtarët e dy delegacioneve do të marrin pjesë  në kremtimin e Lutjeve mbrëmësore, gjatë të cilave do të ekspozohet Kurora e Ferrave  – me ftesën e kryedioqezës së Parisit.

Forumi do të diskutojë edhe për çështje antropologjike e baritore. Ndërsa temat e prekura në katër Forumet ishin: Forumi I evropian katoliko-ortodoks u mbajt në vitin 2008 (11-14 dhjetor) në Trento të Italisë me temë “Familja: pasuri për njerëzimin”; Forumi II, në Ishullin e Rodit, në Greqi, në vitin 2010 (18-22 tetor) me temë “Marrëdhëniet Kishë-Shtet”;  Forumi III, në Lisbonë të Portugalisë, në vitin 2012 (5-8 qershor), me temë “Kriza ekonomike dhe varfëria. Sfida per Evropën e sotme”; e Forumi IV u mbajt në Minsk të Bjellorusisë, në vitin 2014 (2-6 qershor) me temë: “Feja dhe larmitë kulturore: sfidat për  Kishat e krishtera në Evropë”.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>