Në Senatin amerikan, Republikanët po analizojnë masa të reja kundër Iranit

Republikanët në Senat kanë në plan të propozojnë një projekt-ligj që do të shtonte kushte të reja në ligjin ekzistues për t’u dhënë atyre autoritetin e rishikimit për marrëveshjen me Iranin. Senatori Lindsey Graham, republikan nga Karolina e Jugut tha për Zërin e Amerikës se Plani i Përbashkët për Veprim, siç njihet ligji ekzistues, është një “marrëveshje e dobët” dhe shpjegoi se Presidenti Trump e refuzoi kohët e fundit pasi kjo marrëveshje i ofron Iranit përfitime më të mëdha se ato që ka marrë në shkëmbim Amerika. Në një intervistë me gazetaren Greta Van Susteren që e zhvilloi intervistën për Zërin e Amerikës, Senatori Graham tha se do të punojë me Senatorin Tom Cotton të Komisionit për Forcat e Armatosura dhe Senatorin Bob Corker të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë për të hartuar një ligj të ri lidhur me Iranin. Ai tha se do të kthente në fuqi sanksionet nëse Irani vazhdon të prodhojë raketa balistike ndërkontinentale, që përbëjnë shkelje të rezolutës së Këshillit të Sigurimit, apo nëse Irani nuk lejon inspektorë të Agjencisë Ndërkombëtare Atomike në objektet e tij, ose nëse vazhdon të veprojë si “sponsorizuesi më i madh shtetëror i terrorizmit”. Presidenti Trump nuk pranoi të certifikonte se Irani po përmbush kushtet e marrëveshjes, duke thënë më 13 tetor se “që nga nënshkrimi i marrëveshjes, agresioni nga ky regjim i rrezikshëm vetëm është rritur”. Si rezultat i vendimit të presidentit, procesi kthehet përsëri në duart e Kongresit, ku ligjvënësit kanë autoritetin të vendosin sanksione ekonomike nëse presidenti thotë se Irani nuk po përmbush kushtet e marrëveshjes. Në fillim të tetorit, 180 anëtarë demokratë të Kongresit dërguan një letër në adresë të presidentit ku i kërkonin të certifikonte se Irani po respekton traktatin, përndryshme mund të kishte pasoja për sigurinë kombëtare. Senatori Graham thotë se do të përpiqet të sigurojë mbështetje dypartiake për një “marrëveshje më të mirë për botën”, por nëse demokratët nuk e mbështesin me numrin e duhur të votave, ai do të përpiqet të rivendosë sanksione të reja brenda ligjit ekzistues. Senatori vë në dukje se sanksionet ekonomike e bindën Iranin të ulej për të arritur një marrëveshje dhe ai shpreson se do të ketë mbështetje ndërkombëtare për të rivendosur sanksione të reja nëse Irani nuk ndryshon sjellje. Zoti Graham mendon se administrata Trump duhet të dalë me një strategji më të qartë për Iranin, sidomos kur është fjala për tensionet mes Irakut dhe rajonit autonom kurd në Irak, pasi trupat irakiane futën nën kontroll qytetin e Kirkukut dhe separatistët kurdë u tërhoqën nga fushat naftëmbajtëse që, si kurdët, si irakianët duan t’i kontrollojnë. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur forcat kurde Peshmerga dhe forcat irakiane në përpjekjet për të dëbuar ISIS nga rajoni. Lidhur me Korenë e Veriut, Senatori Graham tha se Presidenti Trump duhet të bindë Kinën se nuk kërkon luftë, “por nëse do të ketë luftë, konflikti do të zhvillohet në Azi dhe jo në Amerikë”.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>