Në Tiranë Kuçedra e Ujit ia del – dyfishohet çmimi për secilin kryeqytetas

Enti Rregullator i Ujit, një strukturë vasale e Edi Ramës, miratoi pa zhurmë propozimin e baskisë për rritjen e çmimit të ujit me 20 lekë/litri, ose rreth 50 përqind më shumë se çmimi ekzistues. Bien masat mbrojtëse, tarifat e sahatëve, cilësia e papijshme e ujit dhe regjimi i ri i gjobave që zbaton rëndom UKT-ja e kthejnë Tiranën në një çiflig, në të cilin Erion Veliaj ka vendosur të dyfishojë çmimin e ujit

Rritja e çmimit të ujit – Bozdo: “Nëse do të reduktoheshin humbjet, vlera duhet të ulej”

 

Shqipëria siç e ka thënë edhe vetë kryeministri Edi Rama në takimet e ditëve të fundit është ndër të paktat shtete që i mjafton vetëm 1 për qind e pasurive ujore për të furnizuar në 24 orë të gjithë qytetarët. Këtë pohim kaq të vërtetë Rama fatkeqësisht e ka artikuluar gjatë kohës që i ka kujtuar shqiptarëve numërimin mbrapsht për nisjen e Reformës së Ujit, me të cilën do të hapë dyert e qelive për popullin e thjeshtë. Shqiptarët, të cilët furnizohen vetëm 1 orë ose fare me ujë të pijshëm dhe që duke nisur nga kryeqyteti e në të gjitha qytetet e tjera shfrytëzojnë si në asnjë vend të botës depozitat mbi çati për të pasur ujë të rrjedhshëm, janë kthyer në objekt sulmi nga vetë kryeministri i vendit. Sikur të mos mjaftonte nisja e kësaj fushate të egër të qeverisë Rama, nga Tirana për kryeqytetasit ka ardhur një tjetër surprizë e hidhur lidhur me ujin e pijshëm. Prej fillimit të vitit të ardhshëm për banorët e Tiranës çmimi i ujit do të jetë 44% më i lartë, që do të thotë 20 lekë më shumë për m3. E majta shqiptare është kthyer kështu në një strukturë të mirëfilltë kriminale, që prodhon çdo ditë vendime gjakpirëse për qytetarët, të cilët përveçse të papunë, tashmë duhet të paguajnë më shumë për ujin që është një e mirë e domosdoshme, i cili në një vend si ai që propagandon Rama, mund të ishte edhe falas. Lali Eri me miratimin e rritjes së çmimit të ujit për kryeqytetasit mori atë që synonte prej kohësh, sepse i hapet rrugë kështu dhënies me koncesion të Ujësjellësit tek oligarkët klientë të qeverisë së Edi Ramës. UKT aktualisht ka fitime të vogla, sepse vidhet e plaçkitet barbarisht nga “Rilindja” e Erjon Veliaj që e kanë shndërruar në një organ që punëson militantët e PS-së. Është e vërtetë që ky institucion faturon vetëm 20% të sasisë së ujit që shet, por zgjidhja me rritjen e çmimit që propozoi kuçedra “Rilindje” është për të masakruar qytetarët e për të vjelë sa më shumë nga xhepat e tyre. Fitimet e UKT-së mund të rriteshin, madje të katërfishoheshin edhe me investime të Bashkisë së Tiranës për të përmirësuar rrjetin dhe menaxhimin. Po të ndalojë vjedhja, grabitja dhe keqmenaxhimi, UKT mund të realizojë minimalisht një fitim mbi 25 milionë dollarë në vit me çmimin e hershëm, jo këtë çmim të ekzagjeruar që po vendos Lali Eri. Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë miratoi tarifat e reja për Bashkinë Tiranë, sipas të cilave çmimi i ujit për konsumatorët është rritur me 44 %. Sipas tabelave të vendimit, familjarët që jetojnë në Tiranë do të paguajnë 65 lekë/m3; institucionet publike do paguajnë 140 lekë/m3, ndërsa ato privatë 155 lekë/m3. Vendimi i publikuar në faqen e ERU, Në mbështetje të nenit 14 dhe 21, të ligjit nr. 8102 datë 28.03.1996 “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, i ndryshuar, vendimit të Komisionit Kombëtar Rregullator nr. 39, datë 09.12.2015 “Për miratimin e politikës tarifore për shërbimin e furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, vendimit të Komisionit Kombëtar Rregullator nr. 40, datë 09.12 2015 “Për miratimin e dokumentacionit mbështetës për miratimin e tarifave për shërbimin e furnizimit me ujë, largimin e përpunimin e ujërave të ndotura”, vendimit të Komisionit Kombëtar Rregullator nr. 41, datë 09.12. 2015 “Për miratimin e procesit të miratimit të tarifave për shërbimin e furnizimit me ujë, largimin e përpunimin e ujërave të ndotura” dhe vendimit të Komisionit Kombëtar Rregullator nr. 42, datë 09.12.2015 “Për miratimin e metodologjisë për vendosjen e tarifave për shërbimin e furnizimit me ujë dhe largim e përpunimin e ujërave të ndotura”, Komisioni Kombëtar Rregullator vendosi miratimin e tarifave për shoqërinë Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a si më poshtë: 3. Pagesa rregullatore vjetore për shoqërinë Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a do të jetë 0.6 % e të ardhurave vjetore të parashikuara nga aktiviteti; 4. Vendimi i Komisionit Kombëtar Rregullator nr. 40, datë 22.12.2011 “Për miratimin e tarifave të ujit për konsum publik për Sha UK Tiranë” shfuqizohet; 5. Ky vendim hyn në fuqi më 01.01.2018 dhe është i vlefshëm deri në miratimin e tarifave të reja.

Kërkesa e UKT për çmimin/ Në mes të këtij viti Ujësjellës Kanalizime Tiranë aplikoi pranë Entit Rregullator të Ujit për një rritje të çmimit të ujit duke e argumentuar këtë me paratë që do t’i duheshin për të zbatuar një plan ambicioz investimesh. Në korrik kjo kërkesë kaloi edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës  i cili miratoi rritjen e çmimit të ujit në kryeqytet me 20 lekë për m3 duke e çuar nga 45 lekë në 65 lekë/m3 për familjet dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset. Kjo rritje sipas Bashkisë së Tiranës e cila ka edhe kompetenca të plota mbi ndërmarrjen Ujësjellës-Kanalizime, bëhet për të kryer investime në rrjet që në 5 vitet e ardhshme do të garantojnë furnizimin 24 orë me ujë të kryeqytetit. UKT nga ana tjetër ka regjistruar një ecuri pozitive tek bilanci financiar i vitit 2016 kur regjistroi një fitim 5 milionë euro.

Rritja e çmimit të ujit, Bozdo: Nëse do të reduktoheshin humbjet, vlera duhet të ulej

Enno Bozdo, ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, ka reaguar përmes një komenti në lidhje me rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Bozdo thekson se humbjet në rrjet janë mbi 70 %, që do të thotë se reduktimi i tyre jo vetëm do të bënte që çmimi të mos rritej, por edhe të ulej më tej. “ERRU çuditërisht vendos të rrisë çmimin e ujit në Tiranë. Pavarësisht së UKT i ka humbjet në rrjet mbi 70%. Do të mjaftonte reduktimi i këtyre humbjeve që çmimi jo vetëm të mos rritej, por madje të ulej. ERRU, si rregull, duhet ta detyrojë UKT më parë të ulë humbjet. Por ERRU i bën fresk politikës së ditës, jo qytetarëve. Nqs UKT do kishte një plan biznesi serioz, çdo bankë do ta financonte, pa patur nevojë të rritet aspak çmimi ujit. P.S. Ndërkaq Veliaj ka dy vjet që mburret se e ka përmirësuar ndjeshëm menaxhimin e UKT. Por qartazi gënjen! Me sa duket, do ta japin me koncesion. Por më parë po e kthejnë në fitimprurëse….sigurisht me lekët tona”, shkruan Bozdo.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>