Në zgjedhjet parlamentare të 2 Dhjetorit 1945, Lezha votoi kundra Frontit…

Një vit pas çlirimit të vendit, më 2 Dhjetor 1945 u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Në këto zgjedhje Lezha votoi për demokracinë, duke iu kundërvënë hapur regjimit komunist që po instalohej në Shqipëri. Të dhënat mbi rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve për Lezhën, të nxjerra nga Arkivi i ish Komitetit të Partisë së këtij rrethi. Fondi Nr. 1, Dosja Nr. 4, Dokumenti Nr. 7 që i përket periudhës 22.09.1945 – 06.12.1945 e dëshmojnë mësë miri këtë fakt. Referuar dokumentit Nr 7, jepen këto të dhëna mbi zgjedhjet parlamentare të 2 Dhjetorit 1945, për Nënprefekturën e Lezhës sipas fonogramit që është nisur me shënimin urgjent dhe konkretisht:

Fonogram urgjent, Nr. Ekstra, datë 04.12.1945, drejtuar shokut Subi Bakiri, Sekretar Organizativ i PKSH, për Qarkun Shkodër.

Po japim përfundimet ekzakte të votimeve:

Kandidati i frontit Beqir Gjylbegaj ka marrë 5079 vota.

Kandidati i pavarur, Cuf Lohja, i cili përfaqësonte opozitën ka marrë 1978 vota.

Arka boshe (arka e atyre që ishin kundra frontit dhe PKSH e veshur me të zezë), 679 vota.

Votues të regjistruar gjithësejt 10381.

Duhet theksuar fakti se në këtë fonogram nuk përfshihen numri i atyre zgjedhësve që bojkotuan zgjedhjet, që ishte 2645. Kjo me qëllim për të nxjerrë fitues kandidatin e frontit. Siç del edhe nga shifrat, Lezha në këto zgjedhje votoi kundër Frontit, duke ju kundërvënë hapur regjimit komunist që po instalohej në Shqipëri.

Një aritmetikë e thjeshtë e mbledhjes së votuesve që votuan kandidatin e opozitës, me votuesit që votuan kundër dhe votuesit që nuk morën pjesë në votime (1978+679+2645+), bëjnë gjithësejt 5302 zgjedhës, çfarë dëshmon se Lezha në zgjedhjet e 2 Dhjetorit të vitit 1945 nuk ka votuar për kandidatin e frontit që mbështetej nga PKSH. Dhe po qe se në fonogram do të vihej edhe shifra e atyre zgjedhësve që bojkotuan zgjedhjet, rezultati do të ishte + 223 vota kundra frontit. Komentet në këtë rast janë të tepërta.

Sqarojmë se kandidatë të pavarur që përfaqësonin opozitën shqiptare në këto zgjedhje që udhëhiqej asokohe nga Gjergj Kokoshi, dhe që përkrahej nga aleatët e fuqive të mëdha: SHBA, Angli, Francë, ka patur vetëm në disa rrethe të Shqipërisë si: Shkodrër, Lezhë, Mirditë, Malsi e Madhe, Krujë, Dibër, Kukës etj.

Gjithashtu në relacionin që shoqëronte fonogramin jepeshin edhe shkaqet e vërteta të disfatës së frontit në këto zgjedhje, duke specifikuar për çdo zonë dhe konkretisht: 1. Në Zadrimë nënvizohej në relacion se; “Xhakojt dhe murgeshat kanë shkuar shtëpi më shtëpi, duke zhvilluar propagandë dhe shpërndarë fletushka, për të mos marrë pjesë në zgjedhje ose për të votuar kundër pushtetit të Enver Hoxhës. 2. Në Malsinë e Lezhës, Manati, Tresh, Spitën, Prull, Zejmen, Pllanë dhe në komunën e Rubikut (e përbërë nga 11 fshatra, është hapur fjala se do të votojmë për Markun e Gjonit, Mark Gjomarkaj). 3. Në Bregun e Matës, në dy ishujt dhe në katundet e tjera malësore është diktuar se: “Do të thyejnë arkat e votimit për arsye se shteti po u grabit pasurinë”.

Disa ditë pas votimeve ishte përhapur thashethemi se në të katër anët e Lezhës, të gjithë komisionerët e votimit janë vënë në “Be”, para Ungjillit, se të gjitha kokrrat e arkës së zezë i kanë parë në arkën e frontit, se ndryshe?!, i priste….

Ja vlen të bëjmë me dije edhe disa sqarime të tjera për interes të lezhjanëve dhe jo vetëm, se aso kohe kur u zhvilluan këto zgjedhje, Lezha ka qenë Nënprefekturë e Shkodrës dhe Subi Bakiri, ka qenë sekretar organizativ i PKSH për qarkun e Shkodrës; Sadik Rama, ka qenë sekretar i Komitetit të Partisë për Lezhën. (Komiteti i Partisë së Lezhës është themeluar më 22.09.1945, më komunistë të importuar nga Shqipëria e Jugut. Nga Lezha nuk ka patur asnjë komunist). Në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945, është votuar me kokrra kauçuku të rrumbullakta, në masën sa një kokër ulliri.

Rikthim në identitet…

Po të analizosh me kujdes këtë material arkivor, ajo që të bie në sy është fakti se komunistët shqiptarë, pasi tradhtuan idealet e luftës Nacional-Çlirimtare, për të vendosur pushtetin e tyre, në zgjedhjet e vitit 1945 përdorën dhunën, presionin dhe manipulimin, metoda këto të diktaturave. Çuditërisht edhe në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, janë përdorur po të njëjtat metoda, por paksa më të sofistikuara, që janë identike me metodat që pasardhësit e etërve komunistë të konvertuar në “rilindas”, përdorën në këto zgjedhje. Një shprehje thotë se: “Ajo që harrohet rrezikon të përsëritet”. Por pyetjet që shtrohet në kë rast janë se: -A do ta pranojnë shqiptarët kthimin në identitet, që servirin “rilindasit” e kohës së sotme, çka do të thotë kthim në identitetin diktatorial të moderuar të tyre, në diktatin e grupeve dhe bandave kriminale të trafikut dhe drogës të veshura me pushtet dhe me suport politik?; Po diplomacia ndërkombëtare çfarë qëndrimi do të mbajë përballë këtij realiteti hidhërues dhe kërcënues për jetën e shqiptarëve?; Deri kur do të vazhdohet me ngritjen e pushteteve përmes falsifikimit dhe manipulimit të zgjedhjeve, dhe ditirambet që i thurin njëri-tjetrit oligarkët e krimit, korrupsionit dhe monopoleve të tjera?; A do të kthehet ndonjeherë në Shqipëri institucioni i votës së lirë? A është e përgatitur opozita shqiptare të marrë përsipër përgjegjësinë kombëtare për ti prirë popullit shqiptar në udhën e ëndrrës së tij të kahershme, në kthimin e votës së lirë dhe shkëputjen nga kthetrat e varfërisë dhe sundimit nga oligarkët e krimit dhe narkotrafikut?. Janë këto disa nga pyetjet që presin përgjigje dhe ndërgjegjësim qytetar me qëllim krijimin e frymës së protestës mbarë popullore për të rikthyer vlerat e demokracisë dhe integrimit të këtij vendi, që më shumë se asnjëherë tjetër në këto vite të pluralizmit janë vënë në rrezik.

Fillim Dhjetori 2017

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>