Një frymë që u shua ….

in memoriam për fagotistin dhe pedagogun ass. Prof. Fatos Jaho

 

Para disa ditësh, u nda nga jeta në moshën 57 vjeçare, nga një sëmundje e papritur, instrumentisti i talentuar dhe pedagogu i përkushtuar i klasës së fagotit në Universitetin e Arteve, ass. Prof. Fatos Jaho.

Dhimbja që shkaktoi ikja e papritur e tij nga kjo jetë është shumë e madhe si për familjarët, miqtë e tij të afërt, por edhe për trupën pedagogjike të Universitetit të Arteve e artëdashësve, pasi Fatos Jaho ishte një muzikant i afirmuar, por mbi të gjitha një njeri me cilësi të rralla humane: tepër i edukuar e i kulturuar, i komunikueshëm dhe që rrezatonte mbi të gjitha pozitivitet, virtyte këto që po zbehen dhe humbin përditë mes nesh!

Jeta e tij artistike ka pasur vetëm ngjitje drejt suksesit, sukses që do të shenjohej qysh prej studimeve të mesme e të larta (1972 – 1981) të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera, në klasën e prof. Reshat Hysës.

Nga viti 1981 – 2000 ishte fagot i parë, solist, pranë orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, kurse nga viti 2000 – 2006 si fagot i parë, solist, pranë orkestrës së Radio – Televizionit Shqiptar.

Atij i takon merita e krijimit të kuartetit të parë të fagotëve në skenën muzikore shqiptare në mesin e viteve ’90, kuartet i cili dha koncerte dhe mori pjesë në aktivitete të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit.

Me këtë ansambël fryme u interpretuan shumë vepra të kompozitorëve të huaj, por edhe vepra premierë të kompozitorëve shqiptarë si Gjon Simoni, Vaso Tole, Endri Sina etj., të kompozuara enkas për këtë formacion të veçantë të muzikës së dhomës.

Qysh prej vitit 2005, Fatos Jaho ishte pedagog i rregullt në Fakultetin e Muzikës së Univeristetit të Arteve, duke qenë titullar i klasës së fagotit të këtij Fakulteti. Përkushtimi do të ishte kryefjala e punës së tij të palodhur me studentët, për të cilët ishte jo vetëm pedagogu i respektuar por edhe miku e bashkëbiseduesi i tyre më i afërt. Vlen të përmendet përsëri komunikimi tepër i ngrohtë e i kulturar me këta instrumentistë të rinj, të cilët shihnin tek pedagogu i tyre modelin e njeriut dhe artistit të vërtetë.

Një tjetër kontribut të rëndësishëm artistik e pedagogjik ai ka lënë edhe në Kosovë.  Duke bashkëpunuar dhe kontribuar në krijimin e Opera – Filarmonisë së Kosovës (2001) u angazhua edhe si pedagog në Fakultetin e Muzikës në Prishtinë, duke qenë, së pari, themeluesi i klasës së fagotit në Kosovë – një atribut që do të mbetet gjithmonë i tij dhe do të kujtohet në breza.

Fatos Jaho është laureat i disa çmimeve të para në Shqipëri në konkurset “Nikolla Zoraqi”, “Pjetër Gaci” etj., dhe disa herë i nominuar për çmimet “Kult”.  Atij i takon merita e pjesëmarrjes dhe interpretimit në konkursin e parë të kuarteteve të fagotëve në Postdam të Gjermanisë.

Karriera e tij solistike, krahas asaj si pjesëtar aktiv i orkestrave kryesore në vend dhe formacioneve të muzikës së dhomës, ka zënë një vend të rëndësishëm në aktivitetit të tij artistik.

Ai ka koncertuar suksesshëm si solist me orkestrat e TKOB, RTSH, orkestrën kamertale të UART, Filarmoninë e Kosovës, orkestrën simfonike Herich Hajne dhe së fundmi si pjesëmarrës në Festivalin e 28-të të Portoheli në Greqi.

Koncerti i fundit si solist ishte pikërisht më datën 12 shkurt 2015 në sallën e madhe të koncerteve të UA, ku interpetoi me sukses premierën e koncertin për fagot e orkestër (me tre kohë) të L. Malokut, me orkestrën e UA nën dirigjimin e P. Afezollit, duke dëshmuar edhe njëherë se ai ishte fagotisti më i mirë i trevave shqiptare.

Ky koncert dëshmoi edhe njëherë talentin, përkushtimin dhe profezionalizmin e instrumentistit të shkëlqyer F. Jaho dhe do të kujtohet gjithmonë si koncerti final i jetës së tij artistike.

Projekti i fundit koncertal i tij, për të cilin po punonte së bashku me kolegët, ishte pikërisht një koncert me kuartetin e fagotëve, të cilin ai e krijoi me shumë dashuri.

  1. Jaho ishte dhe do të mbetet simbol i talentit, energjisë e pasionit në fushën e interpretimit dhe pedagogjisë dhe do të kujtohet gjithmonë si një organizator i talentuar për të krijuar me instrumentistët e frymës ansamble të muzikës së dhomës, të cilat kanë performuar me sukses në skenat muzikore shqiptare e jashtë saj.

Por, ndonëse fizikisht nuk do të jetë më pranë nesh, artisti Fatos Jaho nuk do t’i mungojë memories së artit dhe muzikës shqiptare, sepse jeta e tij artistike është fiksuar në ekrane e rregjistrime të shumta, por mbi të gjitha është dhe do të mbetet në memorien e atyre që e njohën nga afër mikun e tyre të mirë e fisnik, energjik e gjithmonë të qeshur, muzikantin e shkëlqyer dhe pedagogun e palodhur, i cili do të jetë gjithmonë një pikë reference për brezat e rinj të muzikantëve shqiptarë.

 

*Muzikologe, Pedagoge në UA, Tiranë