Nuk na duhet zhurmë pro-Skënderbeut, duhen rojtarë të laicizmit kombëtar

Edhe pas provokimit të Kurban-Bajramit të sivjetëm, ka disa aksioma që s’diskutohen e s’dëmtohen…e njëra prej tyre n është fakti se Skënderbeu është Heroi Kombëtar i shqiptarëve. Sa për kujtesë mund të themi se u bënë përpjekje me dekada të rreshtonin me propagandë diktatorin Hoxha krah tij, nën shembullin e Sadamit që prodhoi pllakate krah themeluesit të qytetërimit babilonas, Nabukadnezari (për referencat e oborrit të Edvinit me Skënderbeun, lë lexuesit të vlerësojnë shkallën e skizofrenisë), bile u tha se sheshi Skënderbej ishte sheshi i përbashkët i Heroit dhe i Merhumit, por gjurmët e kësaj përpjekjeje janë një skeptër i pafundmë thëniesh, barcaletash e mallkimesh që rrëfejnë zezonën e Merhumit dhe folklorin e bëmave antishqiptare të tij. Asgjë tjetër… Vendi i Merhumit është në ferrin e antishqiptarëve, ndërkohë që adhurimit të shqiptarëve për Heroin Kombëtar s’i është hequr asnjë grimë lustër.

Por në kryeqytet, këtë kurban-bajram u regjistrua një provokim i një shkalle të re. Në një kremtim shumë të rëndësishëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar, u la vend për një papajtueshmëri të hamendësuar mes shqiptarëve myslimanë dhe Skënderbeut. Mbulimi me fasada reklamash i shtatores së Heroit Kombëtar, në mënyrë që besimtarët të mos e shihnin atë kur falnin namazin, shkaktoi një revoltë të vërtetë në rrjetet sociale dhe u shoqërua me një heshtje zyrtare nga autoritetet zyrtare. E thamë se në lojë nuk është Heroi Kombëtar dhe adhurimi për të, por shkelja totale e kushtetutës së Shqipërisë dhe i një sërë ligjesh të saj, për interesa pragmatike dhe për hir të një axhende që synon rrënimin e aspiratave për integrimin tonë në BE.

Shteti shqiptar i ka rrënjët e veta tek Rilindja Kombëtare dhe vuri themelet e një shteti kombëtar, që u ngrit nën shembullin e idealeve të revolucionit francez. Ai regjistron edhe disa suksese të vetat në historinë e tij të re prej një shekulli dhe mes tyre regjistrohet standardi avangarde që ai ka arritur në ndarjen e tij nga fetë dhe në respektimin rigoroz të laicizmit. Përveç diktaturës, kur Shqipëria kishte veç një fe zyrtare, atë të kultit të diktatorit, 50 vitet e mbetura janë një shembull se as foshnjëria e shtetit dhe as tranzicioni i vështirë nuk ua errësuan shqiptarëve adhurimin që kishin ndaj laicitetit, si zemra e shqiptarizmit të tyre.

Dje revolta në rrjetet sociale rrëfen për një provokim që kërkonte një vigjilencë tjetër nga strukturat e shtetit. Fshehja e autoriteteve dhe lënia e provokacionit jetim nuk ka lidhje me Komunitetin Mysliman Shqiptar. Dorasët e perçes që iu vu shtatores së Skënderbeut nuk janë aty, por edhe në qofshin, janë çirakë të një përpjekje më të gjerë për të rrënuar standardin kushtetues se Shqipëria nuk ka fe zyrtare.

Përpjekjet nuk janë krejt të reja, por dje u regjistrua një shfaqje publike e rendit të parë si dhe një heshtje po e rendit të parë, nga ana e institucioneve shtetërore. Askujt s’i duhet reagimi i një drejtori të kryeministrit në facebook. Qytetarëve që jetojnë në Shqipëri nën garancitë e një kushtetute laike u duhet reagimi institucional se asnjë provokacion s’do ta cenojë laicitetin e shtetit. Atyre u duhet garancia se kur provokacionet ndodhin, fajtorët duhet të kenë emër e mbiemër dhe duhen pamundësuar që të përsërisin më këso zararesh.

Dje patëm provokacionin dhe patëm protestën mbarëkombëtare ndaj sakrilegjit që fshihej pas kremtimit fetar, por fatkeqësisht patëm edhe konfirmimin se laicizmi i shtetit tonë s’i ka rojtarët që kujtonim se i kishte.

Për axhendën jolaike të Edi Ramës ka pasur disa rrëfime gjatë 4 viteve të para të qeverimit të tij. Njëri nga më interesantët ishte premtimi i shkelur se ai do instalonte në strukturat e shtetit shqiptar standardet e Observatorit francez të Laicizmit. Tani po shohim vetëm mbështetjen gjysëmzyrtare të provokacioneve që rrënojnë karakterin laik të shtetit, për shkaqe elektorale (siç e pamë më 25 qershor), por edhe të një axhende quasi-erdoganiste, e cila po bën therror aspiratën e integrimit. Në kulmin e njëfarësoj propagande pro-Skënderbe në rrjetet sociale, na duhet që shteti të thyejë heshtjen; të thotë përgjegjësit për sakrilegjin e djeshëm dhe t’i dalë zot kushtetutës, duke kërkuar mosvepruesit në radhën e rojtarëve kombëtarë të laicizmit. Me heshtje, mund të vijë majisja edhe në një lëmi ku shkëlqejmë, siç është harmonia fetare. Po vijoi Edi Rama të heshtë, keq e kanë ithtarët e laicizmit shqiptar dhe mund të them se s’mjafton më propaganda me internet pro-Skënderbe.

 

3 Komente

  1. sokrat sokrati

    04/09/2017 at 16:10

    Enver Hoxhes i dukej vetja me i rendesishem se Skenderbeu EDi e di vete se vjen mbas Ismail bej Qemql Vlores.
    Dhe marrezia nuk ka fund.

  2. Agim Cili

    02/09/2017 at 11:28

    Veme re se qeverinjve tashti u ka ikur krenaria shqipetare dhe i ka pushtuar dashuria per pasurim dhe tangarlleku per tu dukur ne Europe!

  3. Agim Cili

    02/09/2017 at 11:27

    Veme re se qeverinjve tashti u ka ikur krenaria shqipetare dhe i ka pushtuar dashuria per pasurim dhe tangarlleku per tu dukur ne Europe

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>