NYT: SHBA do t’i përgjigjet ekspansionit rus, armatim të rëndë në shtetet baltike dhe ato evropiano-lindore

us army

Pentagoni pritet të vendosë tanke luftarake, makina për luftime këmbësorie dhe armatim tjetër të rëndë për rreth 5 mijë trupa në disa vende Baltike dhe të Evropës Lindore, për të frenuar ndonjë agresion tjetër të Rusisë në Evropë, ka raportuar “New York Times” të shtunën.
Duke iu referuar burimeve brenda SHBA-së dhe zyrtarëve aleatë, gazeta thotë se nëse ky propozim aprovohet, do të shënonte herën e parë që nga Lufta e Ftohtë që Uashingtoni stacionon pajisje kaq të rënda ushtarake në shtetet e reja të NATO-s në Evropën Lindore që dikur ishin pjesë të sferës së ndikimit sovjetik.
Propozimi, i cili kërkon t’i sigurojë aleatët evropianë pas aneksimit rus të Krimesë së Ukrainës marsin e vitit 2014, pritet të aprovohet nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter dhe Shtëpia e Bardhë, para takimit të ministrave të mbrojtjes së shteteve të NATO-s në takimin e këtij muaji në Bruksel, ka shkruar gazeta, duke cituar zyrtarë të lartë shtetërorë. “New York Times” thotë se propozimi, siç është i hartuar tani, parasheh që “pajisje të bollshme për një kompani – mjaftueshëm për rreth 150 ushtarë – do të vendoseshin në secilin prej tri shteteve baltike: Lituani, Letoni dhe Estoni. Mjaftueshëm për një kompani apo edhe për një batalion – rreth 750 ushtarë – do të pozicionoheshin në Poloni, Rumani, Bullgari e ndoshta edhe në Hungari”.