Titizmi i Sllobos së Vogël

E mërkurë, 11 Prill 2018 18:50

Nga Qemal Sakajeva

Ndoshta, pas kaq shumë vitesh nga luftërat, nofka Little Slobo, domethënë Sllobo(dan) i Vogël, që iu pat vënë Ivica Daçiçit, atëherë zëdhënës dhe kreu për Informim dhe Propagandë i “Kasapit të Ballkanit”, ndërsa më vonë me plot funksione të larta - kryetar i Partisë Socialiste Serbe ( pas Millosheviçit), ministër i brendshëm, kryeministër, që nga prilli i vitit 2014 ministër i jashtëm - edhe mund të jetë duke kaluar disi në harresë. Por në korin e madh të figurave politike serbe, zëri i Ivica Daçiç kundër Kosovës është në duet me presidentin Aleksandër Vuçiç. Gjithë të kaluarës shumë radikale, mbajtjes ikonë të vet dhe mbrojtjes së diktatorit gjakësor edhe sot e kësaj dite, Ivica Daçiç është përpjekur t’i varë një perde ndarëse në mes, kur tha se “ E shkuara nuk më intereson, sepse unë nuk mund ta ndryshoj, por mund të bëjmë diçka të ndryshojmë të ardhmen e vendit tonë”. Ky, kudo që shkon - ai udhëton shumë nëpër botë - shfaq dy sjellje: që nga Moska deri në Këshillin e Sigurimit të OKB, që nga Afrika deri në Azi, që nga Amerika Latine deri në Lindjen e Mesme, ai vepron dhe flet ethshëm kundër Kosovës; dërsa nëpër Europë Sllobo i Vogël sillet të bëjë properëndimorin, duke e hedhur si deodorand sipër radikalit, madje me mënyra që asnjë ministër tjetër i jashtëm nuk ka provuar të bëjë diçka të ngjashme. E kemi parë në darkën e shtruar në samitin ballkaniko-kinez në Beograd, ku Daçiç rroku mikrofonin dhe këndoi këngët e famshme “O sole mio” dhe “Santa Luçia”, më 18.12. 2014. E kemi parë në darkën e shtruar nga presidenti François Hollande për kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Parsit, ku Daçiç bëri maniera prej këngëtari para mikrofonit dhe këndoi këngën e njohur napoletane “O sole mio”, më 8.7. 2016. E kemi parë në darkën e shtruar në Beograd për nder të presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan, kur Daçiç këndoi në turqisht këngën “Osman Aga”, më 11 tetor 2017. Sipas mediave serbe, presidenti Aleksandër Vuçiç pati qeshur me lot, ndërsa Kurir TV bënte me dije që Daçiç është proverbial duke mos folur gjuhë të huaja, vërtetë “Ministri ynë i jashtëm nuk di anglisht, por ai di të këndojë shumë mirë në turqisht”. Ky - Ivica Daçiç - që si serb as nuk ia përmend emrin presidentit Josif Broz Tito (lider i dikurshëm i të paangazhurëve), në një takim të ministrave të jashtëm të vendeve të painkuadruara në Baku të Azerbaixhanit, më 5.4.2018, u bëri thirrje atyre shteteve të mos e njohin Kosovën dhe të kundërshtojnë antarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Pak kohë më parë, edhe pse nuk bëri jehonë në media, ai tha me seriozitetin më të madh një përrallë me titizëm, por pa e përmendur Jugosllavinë e Titos. Ndërsa tensioni mes SHBA dhe Rusisë ka arritur një kulm të pazakontë qysh pas ndryshimeve të mëdha në vendet e Europës Lindore, me shpejtësi u përhap lajmi për një takim të mundshëm të presidentit amerikan Donald Tramp dhe presidentit rus Vladimir Putin. Për hir të së vërtetës, ishte Suedia e para që përcolli dëshirën për t’u zhvilluar ky takim atje, pa e shtjelluar përse, por duke lënë të nënkuptuar se vendi nordik është një shtet me potencial politik dhe historik për ngjarje të tilla. Por nuk vonoi e as nguroi Ivica Daçiç (me atë lehtësi siç rrok mikrofonin e këndon për t’u shtirë perëndimor), dhe bëri një shaka të hatashme me titizëm, për organizimin e bisedimeve Tramp- Putin: “ Beogradi është plotësisht i gatshëm që të jetë nikoqir i një takimi të tillë, i cili ka rëndësi planetare. Serbia si vend neutral ushtarak ka kapacitet të jashtëm politik që së bashku të presë presidentin e Federatës së Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Deklarata me dy - tri radhë tekst, pati tri situata humori politik: E para: Serbia është vend i përshtatshëm për një takim planetar! ( Por SHBA dhe NATO-n atje shihen si armiq!). E dyta: Serbia është vend neutral ushtarak! (Kjo deklaratë për paanësi, e shprehur nga Beogradi, është për t’u gajasur! Serbia ka baza ruse në territorin e vet dhe Moska nuk ndalon së furnizuari me armë moderne ushtrinë serbe.) E treta: Serbia ka kapacitet të jashtëm politik! (Çfarë megallomanie alla RSFJ, por pa një Tito!). Këto rropatje politike në të vërtetë bëhen për të rritur peshën specifike të Serbisë, për dy qëllime kryesore: të përshpejtimit për anëtarësim në BE dhe rritjen e kapitalit ndërkombëtar për të penguar e dëmtuar Kosovën në afrimimin e saj botëror. Por nuk ishte aspak shaka që Ivica Daçiç shkoi në Moskë dhe vet presidenti Putin i mbërtheu në gjoks brenda në Kremlin dekoratën e lartë dhe se radikalët në pushtet në Beograd po shpejtojnë drejt vendosjes së shtatores të Sllobodan Millosheviç - të Madhit - me mbështetjen e gjithanshme nga Sllobo i Vogël.

Modifikuar më E mërkurë, 11 Prill 2018 18:54

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Basha: Rama e Vuçiç, sponsorë të planit të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Politikë

Basha: Rama e Vuçiç, sponsorë të planit të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Në emisionin “Open” të Eni Vasilit, kreu i Partisë Demokratike komentoi edhe qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj idesë së shumëdebatuar të shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Lulzim Basha akuzoi...

Basha: Ditmir Bushati është në përgjimet me bandën e Bajrajve

Politikë

Basha: Ditmir Bushati është në përgjimet me bandën e Bajrajve

Ditët e fundit Policia e Shtetit ka vënë në pranga bandën e Bajrajve, që ishte akuzuar shpesh nga opozita si një bandë kriminale që ka marrë kontrollin e Shkodrës dhe...

Modriç mposht sërish Ronaldon, lojtari më i mirë i vitit

Sport

Modriç mposht sërish Ronaldon, lojtari më i mirë i vitit

Në mbrëmjen gala të zhvilluar të hënën në Londër, Luka Modric ka mposhtur sërish Cristiano Ronaldon, duke u shpallur futbollisti i vitit edhe nga FIFA, ndërsa pak ditë më parë...