Autostrada e Paqes, rrugë për ku?

Saturday, 23 June 2018 18:12

Nga Qemal  SAKAJEVA

Duket si e pakuptimtë  për çfarë pyetet që në krye, por skajshmërisht e pakuptimtë është sjellja serb ndaj Kosovës.

Kur ndërtohej  Ruga e Kombit, e pagëzuar me këtë emër patriotik pa ndonjë vendim të posaçëm të qeverisë së Shqipërisë, zyrtarisht dhe nga  goja  e  cilitdo dëgjohej përcaktimi  gjeografik  Durrës-Kukës-Morinë. Domethënë deri në  kufi (me Kosovën).

Kur filloi ndërtimi i  autostradës  “Ibrahim Rugova”, e pagëzuar me emrin e ideatorit dhe në shenjë nderimi për të, dy skajet  shtetërore ishin Vermicë - Prishtinë - Merdare. Domethënë nga  vija e kufirit jugor (me Shqipërinë) deri në vijën kufitare  veriore (me Serbinë).

Kurse autostrada serbe Nish- Merdare pritet të nis nga ndërtimi vitin e ardhshëm. Zgjatjen e saj drejt jugut, në kufi me Kosovën, thuajse nuk e pengon asgjë. Kjo autostradë do të jetë e gjatë 77 km,  dhe është projekt i financuar nga Bashkimi Europian nëpërmjet dy bankave: Bankës Europiane të Investimeve    (EIB) dhe Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH).

Këto tri autostrada kanë veçoritë e tyre të terrenit dhe mënyrës së investimit.

Shqipëria e ka ndërtuar krejtësisht me buxhetin e saj. Ajo u përshkua përmes malesh të vështira  dhe është më e gjata si distancë.

Kosova e ndërton me buxhetin e vet. Dhe është pak më e shkurtër.

Serbia do ta ndërtojë me financimi e Bashkimit Europian. Dhe është më e shkurtëra. Duke e gjetur të gatshme autostradën për të dalë në portin e Durrësit, Serbia do të jetë dyfish e fituar.

Ndoshta, për t’u përfituar më lehtësisht financimi i saj, Beogradi  ka përdorur edhe demagogjinë, duke e quajtur Autostrada e Paqes. Politikanët serbë e dinë, se fjala paqë  tingëllon fort  ëmbël në Bruksel kur  shqiptohet nga shteti që ka bërë disa luftëra, por për në Kosovë kjo fjalë përcillet ndryshe nga Serbia. Nuk është paragjykim, apo mendim i guximshëm, për të thënë se Beogradi ka synuar t’i bëjë naivë zyrtarët në BE me fjalën paqë. Kjo arsyetohet: pasi e patën fituar financimin e projektit, duke e paraqitur publikisht edhe me emrin Autostrada e Paqes, zyrtarët e Beogradit paqen e lanë në Bruksel, ndërsa për Kosovën caqet e rrugës i përcaktojnë si kolonizatorë: Nish- Merdare- Prishtinë. Le ta theksojmë: Nuk thonë Nish-Merdare (domethënë deri në kufi me Kosovën), por e përfshijnë edhe Prishtinën, duke  u thënë serbëve se mes Serbisë dhe Kosovës nuk ka kufij, dhe se po ndërtojnë një autostradë për në Kosovë e Metohi, në territor serb. Këto ditë, ministri i jashtëm Ivica Daçiç, nuk foli me nënkuptime, ai tha se Serbia nuk ka kufij me Kosovën.

Që rruga t’i shërbejë paqes, apo të emërtohet dhe me këtë fjalë joshëse për veshët e njerëzve, duhet që nëpër të të mos kalojnë  autokolona me ushtarë të armatosur, tanke dhe të tjera armë vrasëse; as zyrtarë serbë që shkojnë në Kosovë gjasme nëpër manastire, ku të qarkuar nga priftërinj, mbajnë fjalime me  fjalor kolonizatorësh. Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e ndërtimit, transportit dhe infrastrukturës Zorana Mihajloviç deklaroi se, “nuk ka rrugë që nuk është domethënëse për Serbinë”, ndaj dhe skaji fundor jugor  i autostradës serbe nuk shënohet në Merdare, por me domethënie çohet në Prishtinë (përtej kufirit të Serbisë), ndërsa dihet nga çdo serb që kufiri mes dy vendeve është në Merdare dhe se segmenti i autostradës Prishtinë - Merdare ndërtohet nga Kosova me buxhetin e saj.

Në kohën që po bëhen përpjekje për të rifilluar bisedimet Serbi- Kosovë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, nuk ka të ndalur terminologjia pushtuese serbe.

Presidentin Aleksandër Vuçiç e nervozon kërkesa e mundshme e Prishtinës për të bërë demarkacionin e kufijve mes dy vendeve. Madje ai trimërohet duke thënë se nuk i frikësohet Perëndimit, dhe nuk do të  ulet në bisedime nëse shtrohet çështja e caktimit të kufijve Serbi- Kosovë. Presidenti Vuçiç synon  me të gjitha fuqitë që me bisedime të arrijë ndarjen e Kosovës.

Ministri i jashtëm Ivica Daçiç ka deklaruar pak javë më parë: “Çdo ditë thërras ndonjë vend për të parë se çfarë po bëjnë. Dje e kam thirrur Mauriciusin, të premten Moldavinë e Nigerinë”. Ai, edhe me lajme të rreme - si në rastin për Liberinë -  nuk i ndërpret përpjekjet të pengojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ministri i Inovacionit Nenad Popoviç, tha: “ ... ne pa Kosovën, pa një centimetër të saj, nuk ekzistojmë”, dhe, “Serbia ka qenë 500 vjet nën robërinë turke dhe as atëherë nuk ka hequr dorë nga Kosova, porse e ka pritur momentin që të kthehet aty”.

Sipas portalit b92, ultraradikali Vojisllav Sheshel, deklaroi se do të shkonte  t’i takonte në burg dy drejtues dhe pjesëtarë të Beretave të Kuqe, Millorad Ulemik Legia dhe Zvezdan Jovanoviç (nuk ka lajm nëse i ka takuar në qeli), për t’u thënë: “Mezi po presim që të shkojmë për ta mbrojtur Kosovën serbe”.

Sipas kësaj politike, pse të mos bëhet pyetja që, Autostrada e Paqes e financuar nga Bashkimi Europian, është rrugë për ku? Dalje e Serbisë në Adriatik përmes Shqipërisë? Apo rikthim me rrugë e mendësi kolonialiste në Kosovë?

Kosova nuk është dhe s’do të jetë koloni serbe. Kurrë më!

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Basha: Rama e Vuçiç, sponsorë të planit të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Politikë

Basha: Rama e Vuçiç, sponsorë të planit të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Në emisionin “Open” të Eni Vasilit, kreu i Partisë Demokratike komentoi edhe qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj idesë së shumëdebatuar të shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Lulzim Basha akuzoi...

Basha: Ditmir Bushati është në përgjimet me bandën e Bajrajve

Politikë

Basha: Ditmir Bushati është në përgjimet me bandën e Bajrajve

Ditët e fundit Policia e Shtetit ka vënë në pranga bandën e Bajrajve, që ishte akuzuar shpesh nga opozita si një bandë kriminale që ka marrë kontrollin e Shkodrës dhe...

Modriç mposht sërish Ronaldon, lojtari më i mirë i vitit

Sport

Modriç mposht sërish Ronaldon, lojtari më i mirë i vitit

Në mbrëmjen gala të zhvilluar të hënën në Londër, Luka Modric ka mposhtur sërish Cristiano Ronaldon, duke u shpallur futbollisti i vitit edhe nga FIFA, ndërsa pak ditë më parë...