Ateizmi selektiv

Diel, 01 July 2018 13:40

Nëse dyshon në besimin tënd, ti në fakt nuk ke besim. Besimi yt është i vërtetë vetëm atëherë kur as në një cep të mendjes nuk të lindë dyshimi se ajo në të cilën beson mundë të jetë e pavërtetë.

Shkruan: h. Sulejman ef. Rexhepi

Nuk ka dyshim se qëllimi primar i fesë është ngritja shpirtërore e besimtarëve dhe udhëzimet që do të rezultojnë me vënien e një kontakti aktiv mes njeriut dhe Zotit. Një gjë e këtillë, kuptohet, mundë të arrihet vetëm me dituri të cilën duhet kërkuar vazhdimisht, duke mos harruar se burimi i vërtetë i të gjitha diturive është Zoti, Krijuesi dhe Sundimtari i botëve.

I zhytur në greminën e kotësisë në të cilën shpirti dhe shpirtërorja sakatosen, një njeri i pa ditur nuk është i vetëdijshëm as për ekzistencën e vetes e as për ekzistencën e Zotit. Ndërkohë, një njeri i ditur dhe i mençur gjithmonë synon burimin e diturisë, lumturisë dhe kënaqësisë të cilat mundë të gjenden vetëm te Zoti. Një njeri , që është i vetëdijshëm se në situatat në të cilat me njerëzit nuk sundon Zoti patjetër do sundojë zullumqari, paraqet kënaqësi dhe gëzim edhe për vetë Krijuesin. Po i them këto gjëra pa pasur për qëllim të ndërhyjë në përcaktimet dhe orientimet e kujtdoqoftë, unë vetëm po e ritheksoj atë që çdo njeri i vetëdijshëm e ka të qartë – Zoti, përfundimisht, nuk shihet me sy, Zotin mundë t’a shohësh vetëm me zemër dhe me mendje të ndritur.

“ Të mohosh Zotin është njësoj sikur të mohosh diellin; një gjë e këtillë nuk ka logjikë dhe kuptim sepse ai vazhdon të ndriçojë”, ka thënë një shkrimtar gjerman. Por, ja që në mesin tonë, disi në mënyrë klandestine, duke e hedhur gurin e duke e fshehur dorën, po paraqiten individë, kryesisht anonimusë, që dëshirojnë të ndezin zjarrin e debatit të pakuptimtë lidhur me ekzistencën e Zotit. Dhe, nuk do ishte kjo diçka e re sepse, çka do që ne mendojmë për ateizmin, ai është një përcaktim dhe bindje e njerëzve të caktuar. I ri dhe fortë i dhimbshëm është fenomeni i mohimit ekskluzivisht të besimit të myslimanëve , fenomen ky që po paraqitet në shoqërinë shqiptare si reflektim I një fryme radikale antiislame e cila po lëshon shtat nëpër botë.

Ateistët e vërtetë, në mesin e të cilëve, duhet pranuar, ka edhe intelektual të shquar, së paku, kanë qëndrim mohues ndaj Zotit dhe fesë në përgjithësi, por asnjëherë nuk është dëgjuar që ateistët të selektojnë fetë duke e mohuar njërën e duke e pranuar tjetrën. Ky fenomen nuk quhet ateizëm, anipse disa shqiptarë të çuditshëm dëshirojnë të fshehin urejtjen e tyre ndaj Islamit duke u maskuar me “oreolin intelektual” të ateizmit. Ky ateizëm selektiv, për momentin mbetet një fenomen tipik shqiptar të cilin duhet analizuar, nëse për asgjë tjetër atëherë për shkak se synim i dukshëm i tijë është mbjellja e urrejtjes dhe përçarjes dhe dëmtimi i harmonisë ndërfetare që i shquan shqiptarët si komb.Pse ?

Sepse, duke e sulmuar Islamin e duke e mbrojtur Krishterimin dhe duke e bërë këtë gjë nën petkun kinse të intelektualizmit dhe ateizmit, ne po përjetojmë një diskriminim dhe ofendim të pa parë e të pa dëgjuar ndaj myslimanëve në përgjithësi dhe ndaj besimtarëve myslimanë shqiptarë në veçanti. Sepse, barazimi I vazhdueshëm I besimtarëve myslimanë shqiptarë me radikalizmin paraqet një dashakeqësi dhe imputim që nuk mundë të tolerohet më. Sepse, “primitivizmi” që po ju veshet besimtarëve myslimanë gjithmonë kur ata e shprehin publikisht bindjen dhe besimin e tyre, është një fushatë e orkestruar dhe e udhëhequr nga laboratorë në të cilat përpunohen idetë dhe skenarët për nxitje të tensioneve brenda shqiptare. Sepse, të maskosh të gjitha këto paudhësi me brengën për shqiptarizmin, është një pengesë artificiale në kohët kur kombi shqiptar si tërësi po tregon shenja të këndelljes nga periudha e stërzgjatur e tranzicionit. Sepse, veprimet e këtilla, thjeshtë, janë një gjynah i pafalshëm.

Mendoj se shoqëria shqiptare, përfundimisht duhet të hapë debatin lidhur me këto dukuri e fenomene dhe të parandalojë tendencat që asgjë të hajrit nuk mund t’i sjellin nëse vazhdojnë të përhapen. Të akuzohen pa kurrfarë motivi shqiptarët myslimanë se paraqesin rrezik për evrointegrimet dhe të heshtet qyqërish kur nëpër protesta të ndryshme në Maqedoni shpalosen flamujt e “Vëllazërisë Krishtere” dhe priftërinj të ndryshëm kanosen se do e rrokin armën në duar, është alarm për vetëdijen tonë kolektive.

Për detajet e këtij shqetësimi që po e ndjej jam i gatshëm të flas publikisht, siç janë të gatshëm të flasin të gjithë teologët myslimanë dhe të gjithë intelektualët e mirëfilltë që s’kanë nevojë të fshihen pas maskave të ndryshme. Unë nuk besoj, unë jam i bindur se aty ku nuk ka frikë nga Zoti, fillon të mbretërojë mentaliteti që kanoset të mbulojë në gjak shoqërinë , andaj apeloj që të gjithë ne, myslimanë e të krishterë, të japim kontributin aty ku mundemi për të parandaluar përhapjen e mjegullnajave. Fillimisht, me një lutje me të cilën ne nuk do e ndryshojmë Zotin, por jam i sigurt se do e ndryshojmë veten. Zoti është dashuri dhe nga dashuria ndaj Zotit nuk mund të lindë asgjë e keqe.

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Kompanisë Air Albania i mungojnë 29,8 milionë euro kapital

Aktualitet

Kompanisë Air Albania i mungojnë 29,8 milionë euro kapital

Të premten e shkuar, Kryeministri Edi Rama inauguroi udhëtimin e parë të kompanisë ajrore shqiptare Air Albania, projekt i Kryeministrit Rama nën kujdesin e Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan. Ngjarja u...

Zyrtarja e lartë e DASH për çështjet evropiane, Elisabeth Millard viziton Tiranën

Aktualitet

Zyrtarja e lartë e DASH për çështjet evropiane, Elisabeth Millard viziton Tiranën

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se Zv. Ndihmës Sekretarja e Shtetit Elisabeth Millard do të zhvillojë një vizitë treditore në Shqipëri. Ambasada amerikane në Tiranë i ka...

Akuza të forta ndaj policisë nga banorët e Jalës: Na grabitën lekët dhe sendet me vlerë

Aktualitet

Akuza të forta ndaj policisë nga banorët e Jalës: Na grabitën lekët dhe sendet me vlerë

Një ditë pas përplasjes me policinë për prishjen e 9 godinave në Jalë, 8 të shoqëruarit janë lënë të lirë. Edi Bala një nga banorët e Jalës në një lidhje telefonike...