Si e tronditën EURO-n flukset ilegale në ekonomi

E Enjte, 26 July 2018 12:43

Ecuria e kursit të këmbimit ka zënë shumë vend në debatet dhe diskutimet në nivele të ndryshme. Ky diskutim e ka zanafillën së pari në momentin e mbiçmimit të lekut dhe luhatjet që ka pasur monedha jonë në raport me monedhën Euro. Që në fillim duhet të theksojmë se një qëndrueshmëri e kursit të këmbimit përmirëson imazhin e vendit dhe të ekonomisë në nivel ndërkombëtar. Në përgjithësi ka një seri faktorësh që kanë një ndikim mbi kursin e këmbimit si bilanci tregtar dhe i mallrave, ai i pagesave,  fluksi i remitancave, investimet e huaja normat e interesit, politika e taksave shpenzimet publike, niveli i borxhit, ndërhyrjet e Bankës Qendrore në tregun e monedhës, detyrimet e pagesave mujore të institucioneve publike dhe private, faktorë psikologjikë, etj. Por një faktor tjetër i rëndësishëm dhe shumë i theksuar në ekonomitë në zhvillim janë flukset jozyrtare të shoqëruara me transaksionet informale, jashtë institucioneve financiare.

Faktorët për nga rëndësia e tyre dhe që ndikojnë në mënyrë të qëndrueshme janë: bilanci i mallrave, dhe i shërbimeve, investimet e huaja, dhe remitancat. Ndërsa transaksionet informale ndonëse nuk kanë një bazë teorike në kushte të caktuara mund të marrin përmasa të konsiderueshme dhe të jenë të qëndrueshme në kohë.

Në përgjithësi modelet ekonomike tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet kursit të këmbimit  me bilancin tregtar dhe të shërbimeve, të investimeve të huaja direkt dhe remitancave. Ka një lidhje negative ndërmjet kursit të këmbimit dhe fluksit të investimeve të huaja direkte dhe të remitancave. Rritja e flukseve rrit ofertën në treg për monedhën e huaj duke ulur ndjeshëm kursin e këmbimit, si dhe e kundërta. Krahas faktorëve të mësipërm një faktor tjetër po aq i rëndësishëm që ndikon në dinamikën e kursit të këmbimit është bilanci tregtar dhe i pagesave.

Ka një lidhje negative me bilancin tregtar të mallrave dhe shërbimeve. Një rritje  e bilancit negativ të mallrave dhe shërbimeve do të rriste kërkesën për monedhën në Euro dhe do të sillte mbiçmimin e saj dhe  nënçmimin e lekut. Nënçmimi i monedhës, stimulon rritjen e eksporteve, zvogëlon importet dhe përcakton një tendencë për të stabilizuar këtë bilanc.

Në mënyrë të natyrshme mund të përcaktojmë dhe lidhjen ndërmjet kursit të këmbimit dhe faktorëve të tjerë. Por në fakt këto ngelen faktorë të përkohshëm dhe efektet që rrjedhin prej tyre janë të përkohshëm gjithashtu. Ndërsa flukset ilegale dhe transaksionet informale që i shoqërojnë ato në  monedhë të huaj, pa pasur nevojën e një modeli ekonomik, është  mëse e kuptueshme kanë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe madje edhe më të shpejtë në kohë ndaj kursit të këmbimit.

Është në interes të analizohet ecuria e tre prej faktorëve më të rëndësishëm, domethënë e bilancit tregtar të mallrave dhe shërbimeve, i fluksit të investimeve të huaja si dhe remitancave në ndikimin e kursit të këmbimit, duke iu referuar një periudhe kohore 2009-2017. Viti 2009 si dhe 2010 në vazhdim, tregojnë nivelin më të lartë të  bilancit negativ të mallrave dhe shërbimeve, dhe njëkohësisht dhe më të lartë të flukseve mbi baza vjetore të investimeve të huaja direkte dhe të remitancave, Ndërsa më pas ka  një zvogëlim të bilancit negativ të mallrave dhe shërbimeve. Një rënie tregon edhe fluksi i investimeve të huaja dhe remitancave, dhe në mënyre të veçantë periudha 2014-2017 në terma vjetorë tregojnë një rënie të vazhdueshme të tyre.

Nga të dhënat  statistikore, rezulton se në vitin 2009 ka një bilanc negativ të  mallrave dhe shërbimeve në vlerën 2130 milion euro dhe pothuajse të njëjtë  me vitin 2017 prej 2107 milionw euro. Po ashtu dhe niveli i flukseve të investimeve të huaja dhe të remitancave në terma vjetore në vitin 2009 si dhe në vitin 2010 tregojnë një nivel më të lartë të flukseve krahasuar me vitet në vazhdim.

Viti 2010 tregon një fluks  mbi baza  vjetore prej 730 milion euro të Investimeve të Huaja Direkte dhe rreth 782 milion euro të remitancave ndërsa viti 2017 tregon rreth 634 milionw euro të investimeve të huaja dhe 653 milion euro të remitancave.

Në  veçanti viti 2013 shënon vitin me një nivel më të larët të flukseve të investimeve të huaja prej rreth 793 milion Euro. Duke filluar nga viti 2014 fluksi i investimeve të huaja tregon një rënie në rreth 744 milion euro në terma vjetore për të arritur nivelin 631 milion euro në vitin 2017. I njëjti trend shikohet dhe në ecurinë e remitancave. Niveli më i lartë  i remitancave shënohet në 2010 dhe në vitet në vazhdim shënohet një rënie e vazhdueshme, e 697 milionë në vitin 2013 për të arritur në nivelin e 653 milion euro  në vitin 2017. Duke parë ecurinë  e këtyre treguesve gjatë periudhës 2009-2017 si treguesit më të rëndësishëm që përcaktojnë ofertën dhe kërkesën në  monedhën euro, mund të arrihet lehtë në konkluzionin se mbiçmimi i monedhës që ka filluar nga tremujori i tretë i vitit 2015 nuk mund të jenë rezultat i këtyre faktorëve.

Gjatë periudhës  të analizës vërehet se në tremujorin e parë të vitit 2010 deri në tremujorin e dytë të 2015 , kursi i këmbimit ka një qëndrueshmëri dhe mesatarja e tremujorëve është në nivelin e 139,6 lek/Euro. Në tremujorin e parë të vitit 2010 kursi i këmbimit tregon 138.9 lek/Euro dhe në tremujorin e dytë të vitit 2015 tregon 140.6 Lek/Euro. Duke filluar nga tremujori i tretë i vitit 2015 dhe deri në tremujorin e parë të vitit 2018, ka një trend të vazhdueshëm të mbiçmimit të lekut duke kaluar nga 130.7 Lek/Euro. Në tremujorin e tretë të vitit 2015 në 132.5 Lek/ Euro në tremujorin e parë të vitit 2018. Mbiçmimi ka vazhduar dhe më tej mbas tremujorit të parë për të arritur në fund të muajit maj në 125.9 Lek/Euro dhe në ditët e parë të muajit qershor në nivelin e 124.1 Lekë /Euro.

Gjatë periudhës 2009-2017 së  mësipërme tre nga faktorët më të rëndësishëm nuk reflektojnë ndryshime në volumin e tyre, përkundrazi investimeve e huaja direkt dhe remitancat shfaqen në ulje gjatë periudhës. Po ashtu dhe bilanci negativ i mallrave dhe shërbimeve ka të njëjtin nivel në fund dhe në fillim të periudhës  të marrë në analizë  Ajo që rezulton natyrshëm të konsiderohet është efekti i flukseve ilegale dhe transaksioneve nga këto burime jashtë sektorit bankar në Cash  në Euro. Mund të rezultojnë që ky faktor mund të jetë po aq i rëndësishëm sa faktorët e tjerë kryesorë.

Mbiçmimi në mënyrë të vazhdueshme i lekut gjatë kësaj periudhe si dhe më i theksuar në vazhdim gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2018 mund të jetë tregues i rritjes së intensitetit të flukseve ilegale në euro nga veprimtari të jashtëligjshme. Në  raportin e Komisionit Evropian të muajit prill 2018 nënvizohet:” se është një progres i vogël në çmontimin e grupeve të organizuara kriminale dhe numri i dënimeve përfundimtare në krimin e organizuar mbetet tepër i ulët…., më shumë përpjekje duhet të bëhen për trajtimin e pastrimit të parave, për asetet kriminale dhe pasurinë e pajustifikueshme: (2018 Report on Albania Brussels, 17 April 2018 European Commision – Fact Sheet, Keu findings of the 2018 Report on Albania).

Sigurisht nuk është e lehtë të identifikohet vëllimi i tyre. Por ajo që ne dimë është fakti se, ekonomia e vendit tonë prezanton një nivel të lartë të përdorimit në Cash të monedhës Euro në transaksione jashtë sistemit financiar. Transaksionet në Euro në Cash janë prezente kudo. Janë në blerjet e apartamenteve, pronave, në blerjet e udhëtimeve turistike, në blerjet e pajisjeve shtëpiake, të automjeteve në kryerjen e shërbimeve në blerje të mallrave etj.

Ndikimi mbi kursin e këmbimit të flukseve ilegale përveç efekteve negative në ekonomi, rrit pasigurinë mbi ecurinë e mëtejshme të kursit të këmbimit duke shkaktuar një efekt të rritur psikologjik.

Dy momente duhet të konsiderohen dhe të ndiqen seriozisht: së pari burimi i flukseve ilegave, dhe përdorimi i këtyre burimeve ilegale në transaksione informale jashtë sistemit financiar.

Modifikuar më E Enjte, 26 July 2018 12:44

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Kosova, të martën bëhet anëtare e INTERPOL-it

Bota Shqiptare

Kosova, të martën bëhet anëtare e INTERPOL-it

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, u shpreh optimist se Kosova nga nesër do të jetë anëtare e organizatës policore ndërkombëtare - INTERPOL. "Vota pro është...

LAJM I FUNDIT/ Kërkohet dorëheqja e deputetit të PS, fyeu fëmijët autikë

Aktualitet

LAJM I FUNDIT/ Kërkohet dorëheqja e deputetit të PS, fyeu fëmijët autikë

Ndaj gjuhës fyese të deputetit socialist Alket Hyseni kundrejt autikëve ka reaguar edhe drejtuesja e fondacionit “Down Syndrome Albania” Emanuela Pepkola Zaimi e cila ka kërkuar dorëheqjen. “Alket Hyseni jepni dorëheqjen”...

5 vjet pa Sokol Olldashin, Basha status të veçantë

Politikë

5 vjet pa Sokol Olldashin, Basha status të veçantë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka përkujtuar ish-ministrin dhe deputetin demokrat Sokoll Olldashi në 5-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. kryetari i PD-së Lulzim Basha, e kujton përmes një mesazhi...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!