Adem Demaçi; njehsimi i lirisë me njeriun

Premte, 27 July 2018 11:47

Nga Shezai Rrokaj

Ndodh rrallë që tek i njëjti njeri të bëhen bashkë dashuria për kombin, për lirinë e tij me sakrificën sublime për arritjen e saj; ndodh rrallë që të bëhen bashkë filozofia e mendimit politik për lirinë me veprimtarinë konkrete prej misionari, duke ngritur zërin për të denoncuar atë realitet të tmerrshëm të shtypjes barbare të mbi 2 milion shqiptarëve në zemër të Evropës.  Ndodh rrallë gjithashtu të bëhen bashkë tek i njëjti njeri, shkrimtari me lirinë e fjalës pa kufi, që veç zemra e mendja e tij mund t’i japin strehë, siç ndodh po ashtu rrallë që tek i njëjti njeri të bëhen bashkë personaliteti i mendimit me njeriun e veprimit, njeriu që çmohet nga populli i vet me njeriun që e çmojnë popuj dhe personalitete të huaja. Ky është modeli i njeriut me emrin Adem Demaçi.

Historia na rrëfen raste kur dalin njerëz të shquar: filozofë në fushën e mendimit, liderë politikë, që udhëheqin popujt drejt progresit, shkrimtarë veprash që japin mesazh universal në pankroni, predikues religjozë që Atin e Shenjtë a Profetin e kanë kalorës të shenjtërimit të njerëzve, veprimtarë shoqërorë që zgjidhin mospajtime njerëzore në këtë botë konfliktesh, moskuptimesh e keqkuptimesh, shkencëtarë që vihen në shërbim të përmirësimit të cilësisë së jetës. Tek Adem Demaçi përmblidhen të gjitha këto virtyte, sepse ai e ka fituar betejën me lirinë, betejën me të vertetën, betejën me dashurinë për vendin e tij, betejën me sakrificën sublime, ndaj frikës e ankthit, betejën me guximin e këmbënguljen, betejën ndaj tradhtisë së interesave kombëtare, betejën ndaj shpërfilljes së njeriut të thjeshtë e servilizmit poshtërues ndaj pushtetit e pushtuesit. Kjo është arsyeja përse qëndrestarë të tillë të vijës së parë, mbeten kalorës të virtytit e ambasadorë të paqes universale, një pasuri e vyer për njerëzimin dhe pikë referimi për të ardhmen dhe për vetë kombin. Për ne shqiptarët ai është krenari kombëtare e simbol i  përkushtimit në emër të virtytit; për popujt e tjerë, e njerëzimin në tërësi, një garant i së mirës dhe model rrugëtimi në përsosjen njerëzore.

Qysh në fëmini, Aden Demaçi u tregua plot zell dhe i suksesshëm. Krahas krijimtarisë letrare, ai ishte shumë i gjallë në kontaktet e tij në mesin e inteligjencës së re, duke shprehur pa ngurrim idetë e tij kundër padrejtësive të regjimit serb ndaj shqiptarëve, i cili i diskriminonte shqiptarët, duke i konsideruar qytetarë të dorës së dytë. Në pranverën e vitit 1958, falë përkujdesjes së poetit Esat Mekuli, ai botoi në dy numra radhas romanin “Gjarprinjt e gjakut”, i cili u prit shumë mirë jo vetëm nga inteligjenca e kohës, por edhe nga gjithë populli, duke ia rritur ndjeshëm popullaritetin. Gjithë metafora e romanit si dhe alegoria në shkrime të tjera, është një mesazh politik, që shqiptarët të linin mënjanë inatet dhe ngatërresat mes tyre dhe t’i shpenzonin energjitë e tyre kundër regjimit totalitar shovinist serb. Sfida përballë regjimit ishte e qartë: ose të përkulej para regjimit policesk, duke u përfshirë në strukturën e tij, ose të mbante gjallë kauzën me shpresën e lirisë në anën e popullit të tij. Kuptohet, nuk kishte mëdyshje: kauza e lirisë ishte më e fortë se kalvari i mundimeve që do të shoqëronin jetën e tij.

Propaganda e kohës e kishte shumë për zemër shrehjen e shumëpërfolur “në emër të popullit”, ku Ademi akuzohej për “propagandë armiqësore”. Po cili ishte ky popull? Popullin e vet Ademi e donte, sepse aty kishte pirë qumshtin e nënës e bashkë me të edhe fjalët e para të gjuhës së bukur shqipe. Por edhe me popullin serb ai nuk kishte punë. Mëkati i tij ishte se donte lirinë e popullit të tij, se donte bashkimin me pjesën tjetër të shqiptarëve, në mënyrë që kombi ynë të mos ishte rasti më i paprecedent në Evropë e përtej saj, i copëzimit shtetëror, kur trevat etnike ishin të njësuara, kur gjuha, gjaku, territori, historia, djepi i kulturës dhe zakoneve fliste e flet me një zë. Ky popull, siç bën historinë duhet të përcaktojë edhe fatin a të ardhmen e vet, në mënyrë që të mos prodhojë histori, kurse fatin e tij ta vendosin të tjerët.

Së bashku me qindra intelektualë të tjerë, ai u vu në krye të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Edhe burgosja e tij prej 8 qershorit 1964 deri në 8 qershor 1974, vetëm se ia shtoi edhe më shumë dëshirën për një Kosovë të pavarur e të bashkuar me trungun tjetër.

Por, ta doje popullin tënd të lirë dhe të barabartë, si të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, të Evropës së qytetëruar e më tej, pasi, sikundër çdo popull tjetër, shqiptarët e kanë këtë të drejtë natyrore për të vetëvendosur për fatin e tyre e për të mos qenë qytetarë të përçmuar të një shteti tjetër, të cilit nuk i përkasin as etnikisht e as ideologjikisht, parim ky, i fundit i trumbetuar në shumë vende të kampit komunist, kjo e vërtetë pra, si drita e diellit, do të konsiderohej herezi mesjetare prej klikës serbe, e cila ishte verbuar prej irredentizmit shovinist, duke mos dashur të kuptonte trendin e shpërbërjes së shteteve shumetnike pas rënies de facto të komunizmit.

 Dhe simboli i lirisë do të ngujohej për t’ia mbyllur gojën për 15 vjet të tjera në burgjet famëkeqe serbe, deri në vitet ’90-të. Izolimi në burg e privoi Adem Demaçin nga familja, shoqëria, nga marrëdhëniet me botën intelektuale dhe kushtet normale të një intelektuali për të shpalosur gjithë nervin krijues. Ky izolim e pengoi të ndjente në të drejtën e tij natyrore gëzime familjare, festa, madje edhe trishtime, sikundër çdo njeri që përballet me to në jetë. Por izolimi nuk e përkuli Adem Demaçin, atij iu shtua më tej dashuria për vendin dhe kuptimin i lirisë, e cila kur është e vetëdijshme e kapërcen dimensionin fizik dhe bëhet thjesht vetë kuptimësia e qenies njerëzore. Kjo është edhe arsyeja që ai është cilësuar edhe “rojtar i popullit të vet.”  Kjo është arsyeja që Parlamenti Evropian i ka dhënë çmimin “Saharov”, në vitin 1991. Fjala e lirë është themeli i demokaracisë. Prej saj garantohen të drejtat e njeriut dhe gjithë marrëdhëniet e tjera që synojnë progresin shoqëror.

Adem Demaçi përuroi së fundmi veprën e tij letrare 10 vëllimshe, të cilën studiuesi Ymer Çiraku do ta cilësonte si “kalendar artistik i kohës së tij dhe i kohës së popullit të tij, si dy skaje këto që nuk ndahen dot, por që puqen e shkrihen mes tyre tërësisht. Krijimtaria e Demaçit është një trilogji e pandarë nga jeta e tij: ajo lidhet me jetën e tij para burgosjes, me jetën e tij në qelitë e izolimit si dhe me vitet e lirisë pas viteve ’90. Të tria këto faza i bashkon fjala burg si ndëshkim për heshtje, përkulje e nënshtrim, por që në fakt, si për ironi të fatit, që të tria ia rritën atij më shumë dimensionin e lirisë. Gjithë vepra ka thyrjet e veta: shkëputje, ndalesa, mungesa, censurë e konfiskime, për të cilën Rexhep Qosja do të shprehej se kjo krijimtari ‘nuk mund të prezantohet asnjëherë e plotë’. Nuk mund të ndodhte ndryshe; kalvari i veprës ishte ngushtësisht i lidhur me kalvarin e jetës, ndaj edhe triologjia ka një ndarje kronologjike. Edhe gjinia e saj është e larmishme, duke përfshirë, prozë të shkurtër dhe romane, poezi, dramë e publicistikë: thuajse të gjitha gjinitë e shkrimit, gjë e cila, përpos talentit të tij si shkrimtar, dëshmon gjithashtu më së miri se diversiteti i brengës dhe hapësira e lirisë shtrihen dhe shkrihen në kahje të kundërta në pafundësi.

Gjithë filozofia e mendimit të Adem Demaçit ndërtohet vetëm në një trajtë. Ai nuk flet pak për të thënë shumë. Nuk filozofon në lumë fjalësh pa kuptim apo me larmi kuptimore kundërthënëse. Gjuha e tij thotë atë që ai mendon, thelbësoren, atë që thjesht, qartë, pa dykuptimësi populli i tij kërkon. Ajo është një filozofi e drejtpërdrejtë, si i thonë “shqip”, sy më sy e pa drojë. Kjo është vlera për të cilën ka nevojë njërëzimi, vlera për të cilën kanë nevojë brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë. Liria nuk këmbehet me asgjë, sepse ajo natyrshëm njësohet me njeriun. Njerëzit që e kanë fituar këtë betejë me të vërtetën nuk tërhiqen prej këtij virtyti në asnjë rrethanë. Ata nuk e vënë kurrë në dukje, nuk mburren, nuk e zmadhojnë e as e ngushtojnë dimensionin e saj, madje ajo rri kaq natyrshëm tek ta, saqë as vetë ata nuk e dinë që është diçka për të cilën duhet të krenohen.

Ky është Adem Demaçi: vlera e modelit përmes kostos së sakrificave ekstreme, që i del zot vendit të vet, njeriu që foli pak për veten, por njeriu që punoi shumë çdo ditë për vetëdijen kombëtare, në mënyrë që ajo të largohet prej boshllëkut, prej folklorizmave, prej shpërdorimit të kohës nëpër kotësira. Ai e donte Kosovën të lirë dhe të bashkuar. Ky është shekulli i filozofisë së tij, ky është shekulli i veprës së tij, ky është shekulli i shqiptarëve.

Modifikuar më Premte, 27 July 2018 11:48

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Basha: Rama e Vuçiç, sponsorë të planit të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Politikë

Basha: Rama e Vuçiç, sponsorë të planit të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Në emisionin “Open” të Eni Vasilit, kreu i Partisë Demokratike komentoi edhe qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj idesë së shumëdebatuar të shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Lulzim Basha akuzoi...

Basha: Ditmir Bushati është në përgjimet me bandën e Bajrajve

Politikë

Basha: Ditmir Bushati është në përgjimet me bandën e Bajrajve

Ditët e fundit Policia e Shtetit ka vënë në pranga bandën e Bajrajve, që ishte akuzuar shpesh nga opozita si një bandë kriminale që ka marrë kontrollin e Shkodrës dhe...

Modriç mposht sërish Ronaldon, lojtari më i mirë i vitit

Sport

Modriç mposht sërish Ronaldon, lojtari më i mirë i vitit

Në mbrëmjen gala të zhvilluar të hënën në Londër, Luka Modric ka mposhtur sërish Cristiano Ronaldon, duke u shpallur futbollisti i vitit edhe nga FIFA, ndërsa pak ditë më parë...