Kriza në raportet BE-SHBA e dëmshme edhe për Kosovën

E mërkurë, 01 August 2018 09:12

Deri tash BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur një qëndrim të përbashkët rreth Kosovës. Mendohet në shtetet kryesore të BE-së që kanë njohur dhe mbështetur pavarësinë. Kjo në masë të madhe vazhdon edhe sot. Por acarimet që ndodhin në raportet e BE-së me administratën e presidentit Trump, dhe pamundësia që të parashikohen veprimet e Trumpit, mund të kenë efekt edhe në Kosovë

Në skenën politike ndërkombëtare po ndodhin gjëra që para disa vjetësh do të konsideroheshin si të pamundura. Përderisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë në krye të botës së lirë, duke promovuar vlerat demokratike, liritë e mediave dhe të shprehjes, tregtinë e lirë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut nëpër botë, sot vetë SHBA-ja ka një president i cili admiron diktatorët dhe liderët autokratë, kritikon dhe sulmon aleatët tradicionalë dhe sulmon ashpër edhe mediat në vendin e tij.

Është e vërtetë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë sistemin e kontrollit dhe të balancës dhe presidenti amerikan, edhe po të dojë, nuk mund të bëjë krye më vete çfarëdo që do. Por prononcimet e tij dhe sjellja ndaj mediave, sulmet ndaj gazetarëve, shpallja si “fake news” e çfarëdo që është kritike ndaj tij, plasimi i pohimeve të paverifikuara si fakte, kanë bërë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos jenë më shembull i lirive që deri më tash i ka promovuar anekënd botës.

Kush ka besuar se Shtëpia e Bardhë do t’ia ndalojë një mediumi pjesëmarrjen në konferenca shtypi. Me siguri të madhe mund të pohojmë se e tërë diplomacia amerikane do të çohej në këmbë për të mbrojtur ndonjë medium nga ky shtet po qe se do t’i ndalohej pjesëmarrja në ndonjë shtet tjetër. Por kjo është tash “Amerika e Trumpit” me të cilën duhet të mësohemi të jetojmë, së paku edhe nja dy vjet, derisa diçka të mos ndryshojë, nëse fare ndryshon.

Në samitin e fundit të NATO-s në Bruksel, sipas disa dëshmitarëve, Trump thuhet se ka qenë i rirituar me arsyetimet e liderëve të shteteve të tjera që kanë thënë se nuk mund të marrin vendime aty për aty, sepse kanë procedura. Madje disa burime thonë se ai i ka pyetur të pranishmit se pse nuk marrin shembull nga presidenti i Turqisë, Erdogan, i cili merr vendime të shpejta kur të dojë.

Për shkak të rolit të Kongresit dhe të Senatit, pastaj për shkak të profesionalizimit të pjesës së madhe të administratës amerikane, deri më tash është zvogëluar dëmi i veprimeve të presidentit Trump. Me gjithë sulmet e tij ndaj aleatëve në NATO dhe ndaj vetë NATO-s, kjo aleancë është duke qëndruar dhe madje roli ushtarak amerikan në Evropë është rritur. Me gjithë deklaratat e çuditshme për “malazeztë agresivë që mund ta nisin luftën e tretë botërore” me të cilat Trump lë përshtypjen se nuk e ka idenë për mënyrën e funksionimit t NATO-s e aq më pak për Ballkanin, ky shtet është bërë anëtar i NATO-s, dhe Maqedonia ka marrë po ashtu ftesën. Se sa shumë di për Ballkanin dhe sa i rëndësishëm është ky rajon për mandatin e tij, Trump e ka dëshmuar edhe me përgjigjen në një pyetje në Bruksel se “çfarë plani kanë për të parandaluar ndikimin rus në Ballkan”. Ai ka shfrytëzuar rastin të përgjigjet se “ nuk do të flas për planet e ardhshme”.

Fat është se me Ballkanin dhe me raportet e ndjeshme me aleatët evropianë, përkundër deklaratave dhe postimeve në “Twiter” të Trumpit, merren ende profesionistët në State Departament dhe në Pentagon, por edhe shumë kongresistë dhe senatorë. Ata janë të vetëdijshëm se sa është investuar në këtë rajon, së bashku me BE-në dhe aleatët e tjerë. E dinë po ashtu se jo të gjithë faktorët ndërkombëtarë kanë interes të njëjtë dhe se Rusia edhe në këtë rajon nga bashkëpunuesi po bëhet konkurrent i Perëndimit. Ndoshta është mirë që Trump nuk e çan shumë kokën për Ballkanin, sepse me ndonjë deklaratë të tij të papritur mund të krijojë huti dhe problem. Prandaj ndoshta është më mirë që me Ballkanin të merren zyrtarët e nivelit të mesëm dhe të ulët, edhe pse sa herë që takohen liderët e Ballkanit me ndonjë politikan nga SHBA-ja gjithmonë këto takime i plasojnë si “takime me zyrtarë të lartë amerikanë”. Për dallim nga presidenti Trump, ata së paku e dinë se për çfarë flasin.

Vazhdimi i politikës amerikane në Ballkan dhe raportet me BE-në në këtë drejtim janë të rëndësishme edhe për Kosovën. Sidomos nëse kemi parasysh rolin udhëheqës të SHBA-së në Kosovë dhe besimin e parezervë që kanë shqiptarët e Kosovës ndaj Amerikës e pafuqinë e shpeshtë politike të BE-së të shkaktuar nga ndasitë në qëndrime rreth statusit të Kosovës.

Deri tash BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur një qëndrim të përbashkët rreth Kosovës. Mendohet në shtetet kryesore të BE-së që kanë njohur dhe mbështetur pavarësinë. Kjo në masë të madhe vazhdon edhe sot. Por acarimet që ndodhin në raportet e BE-së me administratën e presidentit Trump dhe pamundësia që të parashikohen veprimet e Trumpit mund të kenë efekt edhe në Kosovë.

Diplomacia serbe po shpreson shumë se mund të përfitojë nga opsesionet e Trumpit se çfarëdo që ka bërë administrata amerikane para tij ka qenë gabim. Këtu e bazojnë edhe shpresën se Uashingtoni mund të jetë më fleksibil ndaj ideve kundër të cilave ka qenë deri më tash, si për shembull ato për ndarjen e Kosovës. Trump është një person i cili vepron në moment, pa analizuar efektet afatgjata. Ai shumë shpejt edhe i ndryshon qëndrimet. Por pasojat që mund të ketë rajoni mund të jenë afatgjata. Kemi shumë arsye për të kritikuar BE-në për pafuqi dhe krijim të problemeve në Ballkan për shkak se nuk ka ditur si të veprojë apo nuk ka dashur. Por një gjë është e vërtetë, nëse do të ketë zgjidhje të këqija për problemet e rajonit të Ballkanit, BE-ja do ta paguajë çmimin më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Roli udhëheqës i SHBA-së ka qenë vendimtar edhe për veprimet e BE-së në rajon. BE-ja më me dëshirë do të paguajë sado që të duhet në aspektin financiar sesa që të marrë vendime të duhura politike. Zvogëlimi i interesimit amerikan në rajonin e Ballkanit mund të ketë pasoja për rajonin e edhe më keq do të jetë sikur nga Uashingtoni të mbështeten idetë e rrezikshme për zgjidhjen e kontesteve në këtë rajon. Prandaj edhe Kosova, edhe vendet e tjera të rajonit duhet me kujdes të vëzhgojnë se si do të zhvillohen në të ardhmen raportet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së dhe si do të tejkalohen tensionet që shpesh krijohen për shkak të qëndrimeve të presidentit Trump.

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Aksidenti në Leister, zbulohet arsyeja e rrëzimit të helikopteri

Sport

Aksidenti në Leister, zbulohet arsyeja e rrëzimit të helikopteri

Është zbuluar shkaku sepse helikopteri që u rrëzua pranë stadiumit të Leister Sitit dështoi t’i përgjigjej komandës së pedalit së pilotit në momentin që u ngrit në ajër. Sipas asaj...

Renditja/ 10 më të pasurit në Shqipëri

Aktualitet

Renditja/ 10 më të pasurit në Shqipëri

Instituti Europian Pashko ka publikuar listën e 10 personave më të pasur në Shqipëri. Analiza është bazuar në të dhënat financiare zyrtare të deklaruara në institucionet shtetërore për 60 individët...

Kolaps në Kiev për shkak të borës

Globi

Kolaps në Kiev për shkak të borës

Për shkak të kushteve komplekse të motit dhe borës së madhe që bie nga ky mëngjes, në Kiev kanë ndodhur rreth 300 aksidente trafiku. Sipas agjencisë ukrainase Unian, nënkryetari i shërbimit...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!