E dashur Prishtinë, harrimi i prioriteteve çon në humbje

Hënë, 13 August 2018 15:21

Nga SHABAN MURATI

Një moment piku po nxitet artificialisht në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë lidhur me arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. Çfarë bën Serbia është e kuptueshme në logjikën e mbrojtjes së interesave të saj dhe vazhdimit të trajtimit të Kosovës si provincë. Serbia po ngutet shumë, sepse e din nga përvoja që diplomacia shqiptare në ngutje hutohet dhe humbet gjithmonë ndeshjet diplomatike. Në këtë ngutje idiote, që i duhet Serbisë, por jo Kosovës, Prishtina po harron disa shtyllat të epërsisë së saj diplomatike dhe strategjike. 1-Që Serbia është shteti agresor, kundër të cilit Aleanca Atllantike ndërmori ndërhyrjen humanitare ushtarake në 1999 dhe çliroi Kosovën. 2.-Që Serbia ka nevojë për Kosovën tani, ka nevojë më shumë se Kosova për marrëveshjen përfundimare të normalizimit të marrëdhënieve, sepse marrëveshja është veto e pranimit të Serbisë në BE. 3-Kosova i ka ezauruar kompromiset e saj të dhimbshme me planin Ahtisaari para se të bëhej shtet i pavarur dhe nuk mund e nuk duhet t’I përsërisë ato tani, që është shtet. 4-Tribunali më i lartë gjyqësor i OKB, GJND, e ka legalizuar pavarësinë e Kosovës në 22 korrik 2010 si të përputhëshme me ligjin ndërkombëtar dhe me rezoluten 1244.

Kosova i ka bërë një dhuratë të madhe Serbisë me bisedimet “në vend numuro” me të në Bruksel, të cilat i mundësuan Serbisë marrjen e statusit të shtetit kandidat dhe hapjen e bisedimeve të pranimit me BE. Dhe Kosova në shkëmbim nuk mori ndonjë arritje politike apo lëshim politik nga Serbia. Kosova harron se në bisedimet me Serbinë duhet ta vendosë veten në pozitën që SHBA, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Franca kishin përballë Gjermanisë së mundur naziste në vitin 1945. Shteti viktimë nuk mund të vejë shenjën e barazimit me shtetin agresor, presidenti i sotëm i të cilit ka qenë ministër i qeverisë së agresionit dhe që sot e kësaj dite ende nuk i ka kërkuar falje Kosovës për krimet dhe masakrat e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Ajo, që është shqetësuese, për të mos thënë uluritëse, është humnera diplomatike dhe strategjike, që Prishtina po hap me duart e veta nën këmbët e saj. Instrumenti i hapjes së kësaj humnere është ngatërrimi apo vendosja kokëposhtë e rendit të prioriteteve apo të detyrave në planin diplomatik dhe strategjik në tratativat me Serbinë.

Gabimi i parë është nxjerrja në plan të parë e çeshtjes efemere të koregjimit apo ristrukturimit të kufijve apo e shkëmbimit të territoreve, duke fshirë kërkesën primare dhe kryesore, që është njohja reciproke e dy shteteve. Objektivi primar i njohjes nga Serbia të shtetit të pavarur të Kosovës, që duhet të kishte qenë finalja e bisedimeve të Brukselit dhe e një marrëveshje reale normalizimi, befas është spostuar prapa listës për t’u zëvëndësuar me temën folklorike të ndarjes së kufijve, temë ku dehen të gjithë udhëheqësit ballkanikë. Vetëm presidenti serb nuk duket i dehur në këtë katrahure diplomatike balllanike, sepse edhe dy ditë më parë foli për koregjim kufijsh midis shqiptarëve dhe serbëve dhe jo midis dy shteteve, sepse për Beogradin fjala është për një ndarje të re administrativo-territoriale të Serbisë, ku Kosova llogaritet si provincë serbe.

Gabimi i dytë është kërkesa e një referendumi për të pyetur popullin e Kosovës nëse është dakord me koregjimin e kufijve. Është absurde të bësh referendum për një çeshtje, që nuk ekziston, dhe për të cilën nuk ka një marrrëveshje ndërshtetërore të nënshkruar me shtetin fqinj. Referendumi ndoshta mund të kërkohej pas njohjes zyrtare nga Serbia të shtetit të Kosovës. Prishtina nuk bëri referendum për marrëveshjen e kufirit me Maqedoninë, perse iu tek tani të bëjë me Serbinë pa marrëveshje kufiri?

Gabimi i tretë i pafalshëm është prishja e prioriteteve, duke hedhur tezat filoserbe të rihapjes së ceshtjes se statusit të Kosovës. Kjo don të thotë të vesh vetë në dyshim realitetin juridik, politik dhe gjeografik të shtetit të Kosovës dhe të fshish pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Këtë synon dalja me idenë e një konference ndërkombëtare të tipit të Rambujesë. Pavarësisht naivitetit të referimit te konferenca e mëparshme diplomatike, që nuk ka asnjë lloj ngjashmërie me temën e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, çeshtja shtrohet pse dikush don të përmbysë rendin e gjërave dhe të kthejë mbrapsht historinë, duke u rikthyer 20 vjet apo 12-13 vjet mbrapa, kur nisen bisedimet ndërkombëtare për statusin e Kosovës. Serbia dhe Rusia kanë 20 vjet që i bien këtij kavalli diplomatik. Del edhe një zëdhënës profan i OKB në 1 gusht 2018 dhe flet në majë të thanës si zëdhënës i Rusisë për bisedime per statusin. Ata, që bashkë me Serbinë kërkojnë Rambujera, synojnë të fusin Rusinë në tryezën e bisedimeve dhe në Ballkan.  Ndaj është e papranueshme që t’i hapet rrugë në mjediset politike dhe mediatike të Kosovës një ideje kaq të mbrapshtë. Rambujeja sot është BE, e cila duhet t’i përmbahet kushtit zyrtar, që i ka vënë Serbisë se nuk ka anëtarësim në BE pa njohur shtetin e pavarur të Kosovës. Do të jetë nje gabim fatal, tragjik dhe kombëtar i Prishtinës, nëse e lejon veten të futet nëpër degët e ngatërruarra të lianeve diplomatike, ku diplomacia serbe, ruse dhe ndonjë europiane, duan të tresin pavarësinë e Kosovës.

E dashur Prishtinë, rendi i prioriteteve diplomatike dhe strategjike të Kosovës është i thjeshtë: Njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia. Ky është prioriteti i prioriteteve! Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mund të diskutohen çeshtje, që dy palët i konsiderojnë të hapura. Prishtina nuk duhet të dëgjojë asnjë sirenë diplomatike, që e fton të mbytet në detin e Serbisë. Nuk duhet të dëgjojë as këshilltarët jugosllavë, që i gëlojnë nëpër zyrat qeveritare, të cilët i bëri Serbia milionerë dhe janë gati t’i shesin asaj territore shqiptare dhe gjithë Kosovën dhe Shqipërinë. Njohja e Kosovës si shtet nga Serbia pa asnjë çmim është prioriteti numur një, është kushti i parë dhe çelsi i normalizimit real të marrëdhënieve dhe është zgjidhja, që mund të quhet e përhershme.

Modifikuar më Hënë, 13 August 2018 15:23

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Aksidenti në Leister, zbulohet arsyeja e rrëzimit të helikopteri

Sport

Aksidenti në Leister, zbulohet arsyeja e rrëzimit të helikopteri

Është zbuluar shkaku sepse helikopteri që u rrëzua pranë stadiumit të Leister Sitit dështoi t’i përgjigjej komandës së pedalit së pilotit në momentin që u ngrit në ajër. Sipas asaj...

Renditja/ 10 më të pasurit në Shqipëri

Aktualitet

Renditja/ 10 më të pasurit në Shqipëri

Instituti Europian Pashko ka publikuar listën e 10 personave më të pasur në Shqipëri. Analiza është bazuar në të dhënat financiare zyrtare të deklaruara në institucionet shtetërore për 60 individët...

Kolaps në Kiev për shkak të borës

Globi

Kolaps në Kiev për shkak të borës

Për shkak të kushteve komplekse të motit dhe borës së madhe që bie nga ky mëngjes, në Kiev kanë ndodhur rreth 300 aksidente trafiku. Sipas agjencisë ukrainase Unian, nënkryetari i shërbimit...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!