Një model i ri mbi sigurinë njerëzore

Diel, 26 August 2018 09:50

Nga Havier Solana

Madrid – Është duke u bërë gjithnjë e më e qartë, se globalizimi nuk përparon në mënyrë të qëndrueshme, por përmes ulje-ngritjeve. Aktualisht, ai duket se është në një rënie, i penguar nga një numër në rritje udhëheqësish politikë të papërgjegjshëm të cilët e përshkruajnë atë si rrënjën e të gjitha të këqijave.
Me retorikën e intolerancës së maskuar si nostalgji, populistët si presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbështesin ndërtimin e mureve dhe mbylljen e kufijve, për të kërkuar “sovranitetin” dhe “sigurinë”. Natyrisht, ka qenë gjithnjë naiv supozimi se shteti-komb mund të zhvendoset lehtësisht nga roli i tij qendror në çështjet njerëzore.
Por është po aq mbresëlënëse të besohet, se fenomenet si Brexit apo zgjedhja e Donald Trumpit, janë një ogur i mirë për rikthimin e një bote, në të cilën mbretëron në mënyrë të padiskutueshme shteti-komb. Në këtë fazë, bota është aq shumë e ndërlidhur, saqë çdo diskutim i globalizimit të përmbysur është spektakolar.
Në fushën e sigurisë, ne duhet të përballemi me anën e errët të kësaj ndërlidhjeje. Mekanizmat ligjorë dhe institucionalë, janë aktualisht të papërshtatshëm për t’iu kundërvënë kërcënimeve të sotme, dhe kjo ishte e vërtetë edhe para se Brexit dhe Trump t’i përkeqësonin gjërat.
Sikurse argumentojnë Kristin Çinkin dhe Meri Kaldor e Shkollës Ekonomike dhe Shkencave Politike në Londër, në librin e tyre “Ligji ndërkombëtar dhe luftërat e reja”, është zhdukur dallimi klasik midis konflikteve të armatosura ndërkombëtare dhe jo ndërkombëtare.
Sot dhe në këtë epokë, siguria e brendshme dhe e jashtme, duhet të kuptohen si vazhdimësi të njëra-tjetrës. Çinkin dhe Kaldor tregojnë se “luftërat e reja” si konflikti në Siri, tentojnë të përfshijnë një grupim të gjerë lojtarësh – publikë dhe privatë, vendas dhe ndërkombëtarë – dhe të kapërcejë kufijtë kombëtarë.
Kjo e fundit është ilustruar nga zgjerimet territoriale të Shtetit Islamik në Irak, si dhe sulmet e tij në shumë vende të tjera. Për më tepër, luftërat e reja kanë zakonisht një komponent të fortë etnik, fetar ose fisnor, dhe zgjasin për një kohë të gjatë, në dëm të popullatave civile.
Rritja e fundit e konflikteve me një dimension ndërshtetëror, nënkupton se modeli i vjetër Vestfalian i sovranitetit – ku shtetet monopolizojnë përdorimit legjitim të forcës brenda kufijve të tyre – është bërë tanimë i papërdorshëm. Nëse duam të ndërtojmë një shoqëri vërtet ndërkombëtare, duhet të mendojmë për sovranitetin, në kuptimin jo vetëm të autoritetit, por edhe të përgjegjësisë.
Prandaj, bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e gatshme të ndërhyjë në vendet, ku qeveria përbën një rrezik për popullsinë e vet. Kjo është logjika e doktrinës së “përgjegjësisë për të mbrojtur” (R2P), të cilën Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi në mënyrë unanime më 2005-ën.
Mjerisht, kur përdorimi i forcës justifikohet për arsye humanitare, ndërhyrjet fokusohen ngushtësisht tek konsideratat taktike ushtarake. Në letër, R2P përfshin gjithashtu përgjegjësinë për të parandaluar dhe një përgjegjësi për të rindërtuar, të cilat zakonisht lihen mënjanë.
Edhe më keq akoma, kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka autorizuar ndërhyrjet me “të gjitha arsyet e nevojshme” në bazë të R2P – në Libi dhe Bregun e Fildishtë, si në vitin 2011 – koncepti është akuzuar për ndryshimin e regjimit. Që atëherë, R2P është stigmatizuar si një prerogativ i fuqisë – një e drejtë e pakodifikuar për të ndërhyrë, e cila evokohet më shumë në mënyrë selektive, sesa si një detyrë kolektive.
Për pasojë, ai u mënjanua. Dështimi i Këshillit të Sigurimit për të pasur ndonjë reagim të vërtetë ndaj krizës në Siri, është trashëgimi e dhimbshme e rasteve të mëparshme të tejkalimit të kompetencave në vendeve të tjera, dhe tregon se humanizmi mbetet ende i dyti në gjeopolitikë.
Por a do të thotë kjo se jemi të dënuar të zgjedhim midis teprimeve ndërhyrëse të Irakut apo Libisë, dhe mosveprimit që lejon mizoritë e mëdha si ato që ndodhën në Ruandë dhe Srebrenicë (ku paqeruajtësit e OKB, nuk ishin të autorizuar të ndërhynin)?
Retorika e administratës Trump, me sa duket do të sugjeronte se këto janë vetëm dy opsione.
Tek e fundit, administrata është e ndarë ndaras midis izolacionistëve dhe “skifterëve” neokonservatorë si Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Xhon Bolton, i cili duket se nuk është i zhgënjyer nga historia e gjatë e dështimeve, kur është fjala për ndryshimin e regjimit.
Por as ne nuk duhet të heqim dorë, për të pranuar një kornizë të ashpër të ndërhyrjes humanitare, dhe as të nënvlerësojmë aftësinë e të drejtës ndërkombëtare për të transformuar veten, dhe në të njëjtën kohë, të transformojmë shoqëritë në nivel global.
Çinkin dhe Kaldor, propozojnë një model të qëndrueshëm të sigurisë në të cilin mbrojtja e individit – në vend të shtetit – fiton përparësi, pa përdorur paternalizmin. Për të patur sukses, ky model duhet të përqendrohet në sigurinë gjithëpërfshirëse dhe jo episodike.
Duhet të brendësojë prioritetet e popullatave të prekura, duke përfshirë ato të grave dhe grupeve të tjera të pafavorizuara strukturore. Ai duhet t’i japë përparësi mjeteve jo-ushtarake, duke vënë një theks të veçantë tek çarmatimi. Duhet të jetë i pozicionuar në mënyrë të vendosur në etikën e të drejtave të njeriut, dhe në një mjet ligjor të përshtatur me logjikën e “luftërave të reja”. Dhe duhet të përfshijë konceptin e “sigurisë njerëzore”, ku e drejta për t’u mbrojtur do të zëvendësonte R2P.
Ky model nuk është i paarritshëm. Në fakt, R2P dhe modeli i sigurisë njerëzore u zhvilluan njëkohësisht, me mbështetjen e paçmuar të një mendimtari kryesor dhe qytetari global:të ndjerit  Kofi Anan. Shumë nga parimet themelore të këtij modeli të fundit, u parashtruan në një dokument të vitit 2004, “Një doktrinë e sigurisë njerëzore për Europën”, e paraqitur në Barcelonë nga Grupi i Studimit mbi Aftësitë e Sigurisë Evropiane.
Tre vjet më vonë, “Raporti i Madridit” i Grupit Studimor të Sigurisë Njerëzore, e zhvilloi më tej atë ide. Në mënyrë të veçantë, Grupi i Studimit përshkroi udhëzimet për zgjerimin e misioneve të jashtme të Bashkimit Evropian. Këto udhëzime, frymëzuan për shembull përdorimin e vëzhguesve të të drejtave të njeriut dhe konsultimeve qytetare.
Megjithatë, ashtu si me R2P, doktrina e sigurisë njerëzore nuk u zbatua. Ose thënë ndryshe u eklipsua nga gjeopolitika, dhe nga fokusi ushtarak i fushatave të ndryshme antiterroriste. Megjithatë, duhet të kujtojmë se rikonfigurimet më të mëdha të së drejtës ndërkombëtare gjatë historisë, kanë ndjekur gjithmonë trazirat gjeopolitike.
Në një kohë kur popullata civile, është gjithnjë e më e prekshme ndaj kërcënimeve të reja, siç është lufta kibernetike, rishpikja e konceptit të sigurisë njerëzore, nuk është një projekt idealist. Përkundrazi, ajo është një domosdoshmëri urgjente.
Duke menduar në aspektin e sigurisë njerëzore, ne mund të zhvillojmë një strategji gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese, për menaxhimin e konflikteve të pazakonta që po shumëfishohen në mbarë botën. Nuk mund të ketë ndryshim të globalizimit. Nëse do të zbusim pasojat e tij negative, ekziston vetëm një rrugë:forcimi i efekteve të saj pozitive.
Shënim: Havier Solana, ka qenë Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe Ministri i Jashtëm i Spanjës. Ai është aktualisht kryetar i Qendrës ESADE për Ekonominë dhe Gjeopolitikën Globale. Burimi: “Project Syndicate” Në shqip nga bota.al

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Liga e Kombeve, të gjitha rezultatet sot

Sport

Liga e Kombeve, të gjitha rezultatet sot

Kanë përfunduar sfidat e programuara për ditën e sotme në Ligën e Kombeve dhe rezultatet surprizë nuk kanë munguar. Uellsi është mposhtur në shtëpi nga skuadra e Danimarkës, e cila...

Kim i pranishëm në testimin e një arme të teknologjisë së lartë

Globi

Kim i pranishëm në testimin e një arme të teknologjisë së lartë

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka mbikëqyrur testin e një arme taktike të teknologjisë së lartë në një qendër mbrojtëse, sipas medias shtetërore e Phenianit. Ajo shtoi se...

Miqësorja/ Shpresat mundin Maltën pa shumë problem

Sport

Miqësorja/ Shpresat mundin Maltën pa shumë problem

Kombëtarja e Shqipërisë U 21 mundi me rezultatin 2-0 Maltën në një ndeshje miqësore të luajtur në stadiumin “Selman Stermasi” në kryeqytet. Kjo sfidë ishte një test për trajnerin Alban...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!