Dialogu mashtrues

E mërkurë, 05 September 2018 17:58

Nga Agustin Palokaj


Tash ka edhe më shumë dëshmi se dialogu në Bruksel, i nisur për të vënë nën hije mendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka qenë mashtrues për qytetarët e Kosovës. Në fillim u shit si “dialog teknik”, u tha se “statusi është çështje e pakthyeshme” dhe se “dialogu nuk do të merret me çështje territoriale”. Pasi prodhoi më shumë probleme sesa që i zgjodhi, tash dialogu thuhet se po hyn në fazën në të cilën do të prodhojë një “zgjidhje historike”

Një dilemë gjithmonë e ka përcjellë dialogun në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo se për çfarë është dhe për çfarë nuk është ky dialog. As pas shtatë vjetësh nuk kemi arritur ta marrim një përgjigje të saktë në këtë dilemë. Sa e sa herë e kemi dëgjuar fjalën “kurrë” nga përfaqësuesit e Kosovës në këtë dialog, në të shumtën e rasteve si të dërguar të posaçëm të Hashim Thaçit, dikur kryeministër, pastaj zëvendëskryeministër e tash president.

“Kurrë nuk do të bisedojmë me Serbinë për çështjet e brendshme politike të Kosovës”, është një thënie nga fillimi i dialogut. Si doli atëherë marrëveshja për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Ajo, sipas kësaj marrëveshjeje, do të krijohet në territorin e Kosovës e jo diku tjetër. Pastaj thuhej se “Nuk do të pranojmë me Serbinë të diskutohet për veriun e Kosovës”. Madje ish-presidentja Atifete Jahjaga, midis Brukselit, shkoi edhe më larg duke thënë se “çështja e veriut nuk ekziston”. Këtë e tha pikërisht në ditën kur përfaqësuesja e lartë e atëhershme e BE-së, Catherine Ashton, paralajmëroi hyrjen e dialogut në fazën në të cilën do të hapet “çështja e ndjeshme e veriut të Kosovës”. Pastaj u tha se “dialogu do t’i integrojë serbët e Kosovës në institucionet e Kosovës dhe do të zhdukë strukturat paralele në veri”. Veriu mbetet më pak i kontrolluar nga Kosova sesa që ishte më parë. Serbët e Kosovës janë më pak të integruar sot në jetën politike të vendit sesa që ishin para dialogut. Ata që sot në emër të serbëve të Kosovës marrin pjesë në Kuvend dhe Qeveri janë direkt përfaqësues të Beogradit dhe nuk e fshehin këtë. Ata kur thonë “shteti ynë” mendojnë në Republikën e Serbisë dhe kur thonë “Qeveria jonë” mendojnë në atë të Serbisë e jo atë në të cilën formalisht marrin pjesë. Në fakt serbët që edhe para dialogut kishin nisur të pranonin realitetin në Kosovë, e që nuk janë nga veriu, u dënuan përmes dialogut, u lanë anash, u defaktorizuan dhe Beogradit iu dha mundësia t’i frikësojë dhe shantazhojë. Vetë BE-ja ka të dhëna për frikësimin e kandidatëve në zgjedhjet në Kosovë që kanë qenë kundër “Lista Srpskas” së Beogradit.

U tha se “me dialogun bashkohet Mitrovica”, por të gjithë ata që kanë pasur rast të shkojnë qoftë edhe afër urës e dinë se ajo sot është edhe më e ndarë, apo së paku po aq e ndarë sa edhe para dialogut.

U tha se Kosova përmes dialogut do të sigurojë “pako dhuratash” nga BE-ja, përfshirë edhe liberalizimin e vizave dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në BE. Liberalizim vizash nuk ka, Kosova nuk është fare formalisht në procesin e zgjerimit, sepse nuk njihet nga 5 shtete anëtare, ndërsa vetë procesi i zgjerimit është ngadalësuar për të gjithë e për Kosovën është i mbyllur.

U tha se “dialogu nuk ka lidhje me statusin”, por Serbia tash pretendon se u dëshmua se pa u marr vesh “Prishtina dhe Beogradi” statusi i Kosovës nuk mund të konsiderohet si i zgjidhur. Këtë e kanë pranuar edhe shumë shtete, të cilat vazhdojnë të mos e njohin Kosovën.

U tha se Kosova, përmes dialogut, do të sigurojë anëtarësim në shumë organizata ndërkombëtare. Por u anëtarësua vetëm aty ku Serbia, me gjithë përpjekjet maksimale nuk arriti të ketë sukses e të pengojë si në UEFA e FIFA për shembull. Asnjë anëtarësim nuk ndodhi si fryt i marrëveshjeve në dialog në Bruksel. Përkundrazi, disa, si ajo në UNESCO, nuk u realizuan sepse me këtë nuk pajtohej Serbia.

U tha se “me Marrëveshjen e Brukselit, Serbia do të obligohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare”. Kjo vërtet ishte ide, por Kosova pranoi që me kërkesën e Serbisë, pika e marrëveshjes për këtë çështje të zbehet dhe të reduktohet në fjalët që “palët nuk duhet të pengojnë, apo të inkurajojnë të tjerët të pengojnë njëra-tjetrën në rrugën evropiane”. As nuk ka një definim të “rrugës evropiane” e as nuk ka obligim të Serbisë që të mos e pengojë Kosovën kudo që të ketë mundësi, prej nismave rajonale e deri në organizatat ndërkombëtare.

U tha se “dialogu do të ndihmojë zbulimin e fatit të të pagjeturve”, por as këtu nuk pati përparim e as gatishmëri. Fare pak, apo aspak nuk është përmendur kjo temë në dialog në Bruksel.

Tash ka edhe më shumë dëshmi se dialogu në Bruksel, i nisur për të vënë nën hije mendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka qenë mashtrues për qytetarët e Kosovës. Në fillim u shit si “dialog teknik”, u tha se “statusi është çështje e pakthyeshme” dhe se “dialogu nuk do të merret me çështje territoriale”. Pasi prodhoi më shumë probleme sesa që i zgjodhi, tash dialogu thuhet se po hyn në fazën në të cilën do të prodhojë një “zgjidhje historike”.

Konfuzionet që ka krijuar dialogu vazhdojnë dhe në të po krijohen edhe konfuzione të reja. Për shembull para disa ditësh përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogherini, e cila në emër të BE-së edhe “lehtëson” dialogun, ka thënë se për BE-në do të jetë e pranueshme secila marrëveshje mes palëve, nëse ajo është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me parimet e BE-së. Palët edhe këtë e shohin ndryshe. Por vetë Mogherini asnjëherë nuk u bëri thirrje vendeve të BE-së që të njohin Kosovën pasi, sipas vlerësimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me shpalljen e pavarësisë nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare madje nuk e ka shkelur as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Për më tepër, Serbisë ende pa reagime i lejohet të përsërisë se Kosova është pjesë e saj, sipas kësaj Rezolute.

Ky dialog ka prodhuar edhe shumë ide. Njëra prej tyre ka qenë ajo që personazhet kryesorë të dialogut të nominohen për hiç më pak se Çmimin Nobel për paqe. Njëherë thuhej se këtë çmim do të duhej ta marrin treshja “Ashton-Thaçi-Daçiq” e tash në qarqet diplomatike qarkullon edhe ideja se pse të mos nominohet treshja “Mogherini-Thaçi-Vuçiq”.

Sikur që Ashton shtyu arritjen e një marrëveshjeje, e cila as sot nuk është zbatuar, sepse donte në fund të mandatit të saj të ketë një sukses, ashtu sot duket se edhe Mogherini bën një gjë të ngjashme. Po kësaj radhe idetë që qarkullojnë janë pak më të rrezikshme sesa ato të cilat qarkullonin në kohën e baroneshës Ashton. Sikur sot pakkujt i intereson se ku është baronesha Ashton, ashtu pas disa vitesh nuk do t’u interesojë shumë ku është zonja Mogherini, apo Johanes Hahn apo ndonjë nëpunës tjetër i BE-së.

Edhe sot në kohën kur flitet për “Marrëveshjen historike” që do të zgjidhte një “problem 200-vjeçar” (për këtë le të flasin historianët, sepse nuk duket se ky problem është aq i vjetër vërtet), nuk ka përgjigje të saktë në pyetjen se për çfarë është e për çfarë nuk është dialogu i Brukselit. Dhe mungesa e përgjigjes në këtë pyetje e bën atë dialog mashtrues dhe dialog që ka krijuar më shumë probleme, sesa që i ka zgjidhur. Koha.net

Modifikuar më E mërkurë, 05 September 2018 18:01

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Zbulohet ndeshja e trukuar nga grupi "Bajri"

Aktualitet

Zbulohet ndeshja e trukuar nga grupi "Bajri"

Mes 11 personave të arrestuar si pjesë e grupit kriminal "Bajri", është edhe shtetasi Armir Grima, trajner i kombëtares së futbollit për femra i cili gjatë karrierës së tij sportive...

"Pronari më shikonte format, më kërkonte foto' 23 vjeçarja tregon ngacmimin seksual në punë

Aktualitet

"Pronari më shikonte format, më kërkonte foto' 23 vjeçarja tregon ngacmimin seksual në punë

Ada është një vajzë 23-vjeçare nga Berati, e cila pasi përfundoi studimet e larta vendosi që të qëndrojë në Tiranë për t’u punësuar.Por, në ambientet punëdhënëse që ajo ka frekuentuar...

Punime në stacionin Selitë, ja zonat pa energji elektrike nesër

Aktualitet

Punime në stacionin Selitë, ja zonat pa energji elektrike nesër

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njofton abonentët e Tiranës se nesër do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të punimeve në nënstacionin Selitës. OSHEE bën me dije se...