Tropoja Oaz lirie

E Enjte, 19 Prill 2018 14:35

Në 19 vjetorin e rënies së Komandant Veteranit Sali Çekajt në Betejën e Koshares Prillet e dhimbshëm por të lavdishëm në Enciklopedinë Shqiptare

Nga Azgan HAKLAJ

E titullova kështu këtë opinion timin sepse në historinë e Kombit Shqiptar, gjatë sagës së gjatë përmes kasandrash me sakrificë kristiane për mbijetesë, ka shumë prille të përgjakshme. Nuk e kam fjalën për romanin e gjeniut të letrave Shqipe Ismail Kadare "Prilli i thyer" por për prille luftrash e sakrificash në shekuj të shqiptarëve për liri, pavarsi e demokraci. Kam shkruar për shkrirjen e akujve të janarit nga gjaku i derdhur dhe lotët e dhimbjes, për janarin tragjik të Gjergj Kastriotit ( Skenderbeut), Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Ibrahim Rugovës, të rënies heroike të trinomit të lirisë Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zenullahu. Kam shkruar për janarin e Kongresit të Lushnjes që certifikoi e konsolidoi Shtetin Shqiptar. Kam folur për Shkurtin e Kryengritjes së parë antikomuniste të udhëhequr nga vigani i bjeshkëve Prek Cali 73 vite më parë. Për shkurtin e pavarësisë Kosovës që këtë vit shënoi 10 vjetorin.

Kam shkruar për marset e lavdishëm të Gjergj Kastriotit, të Prek Calit, të Jasharajve e Haradinajve, për marset si projektues të nëntorëve të pavarësisë. Për nëntorit e pavarësisë të Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit. Për nëntorin e UÇK-së.

Sot do të flas për prillin e Shtimes dhe Slivovës, të betejave legjendare të Ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kunder ushtrive turke. Për prillin e Kryengritjes së Malsisë Madhe të udhëhequr nga Ded Gjon Luli, që kulmoi me ngritjen e Flamurit Kombëtar të Gjergj Kastriotit pas 500 vjetësh robëri në bjeshkët e Deçiçit në Bratilë me dt 6 prill 1911. Për mars- prillin e masakrës së Tivarit. Per 2 prillin, masakrën e diktaturës komuniste që vrau martirët e demokracisë në Shkodër. Do të risjell në kujtesë prillet e përgjakshme të Koshares dhe Maznikut, ku ranë qindra dëshmorë për të mbetur në memorien historike  flakadan lirie. Në kalendarin historik të Kombit Shqiptar nuk ka ditë, javë, muaj, vit që të mos jenë të shquar data të rëndësishme të sakrificës sublime për liri e pavarësi, çlirim kombëtar e demokraci. Me datë 18 prill të vitit 1881 Ushtria e Lidhjes Shqiptare e Prizrenit që këtë vit shënon 140 vjetorin e saj, u ndesh me ushtritë turke në Shtime dhe Slivovë. Rreth 4000 luftëtarë, vullnetarë shqiptarë patën përballë 20 batalione të Armatës së Dervish Pashës me rreth 15000 ushtarë, oficer të pajisur me armatimin më të mirë të kohës, Betejat ishin të përgjakshme me heroizëm të madh të shqiptarëve ndonëse në kushte të pabarabarta, por qendrestar, të paepur e të pathyeshëm deri në flijim për Atdheun. Me date 21 prilli Mic Sokoli i vuni gjoksin topit të sulltanit. Luftimet ishin të tmerrshme e pati shumë të vrarë. Me date 21 prill për shkak të epërsisë së armikut ushtria e lidhjes tërhiqet. Me date 22 dhe 23 prill zhvilluan ndeshje në Dukel dhe Suharekë për të penguar ushtritë osmane të hynin në Prizren.

Në maj u bënë përleshjet e fundit në thellësi të Rrafshit të Dukagjinit. Shqiptarët vazhduan rezistencën me kuvende e kryengritje, për liri e pavarësi, e do të veçoj Lidhjen e Pejës me besa besë të Haxhi Zekës, kryengritjet e viteve 1908-1909-1910-1911. Në Kuvendin e Junikut të vitit të 21-25 Maj të vitit 1912 u hartua platforma e Kryengritjes së Përgjithshme që u finalizua me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorën e Ismail Qemalit me 28 nëntor 1912. Këshilli Kombëtar që doli nga zgjedhjet e dt 5 mars filloi punimet me dt 21 prill 1921. Ai përbëhej nga 78 deputet. Statuti i Lushnjes që njihet në histori si statuti I Shtetit Shqiptar e shnderroi këtë akt në kushtetutë të mirëfilltë. Ky keshill kombëtar mori emrin parlament. 7 prilli është dita e pushtimit fashist. Shqiptarët u përpoqën në menynë sporadike por nuk i rezistuan Romës së Musolinit. U deshën vite lufte për të çliruar Shqipërinë. Pas përfundimit të luftës Dytë Botërore shqiptarët edhe pse u çliruan mbetën të ndarë përsëri, e ranë në kthetrat e komunizmit gjakatarë. Ne mars- prillin 1945 ndodhi masakra mizore e Tivarit. Platforma e këtij veprimi çnjerëzorë e lëvizjes nacionalçlirimtare të jugosllavisë u ba projekti famëkeq i Çubriolloviçit 7 mars 1937 dhe 3 Nëntorit 1944.

Ky projekt i spastrimit etnik gjeti zbatim me zhdukje e shpërngulje të shqiptarëve dhe zëvendësimi i tyre me kolonë serbë. Masakra e Drenicës ishte prologu i masakrës së Tivarit. Në muajt mars- prill u ba mobilizimi i dhunshëm i rekrutëve në të gjitha qytetet e Kosovës për ti nisur në frontin e Sremit e të Adriatikut.

Shumicën i përqendruan në qytetin e Prizrenit dhe i çarmatosën se ju thanë do ju armatosim në Kroaci e Slloveni. Kolonat e para u nisën me 24-27 mars dhe të dytat me 19- 24 prill 1945. Enver Hoxha, babai shpirtëror i Edi Ramës lejoi shqiptarët të mobilizuar me dhunë, pa armë në dorë të kalojnë në rrugën e vdekjes apo Golgota Shqiptare siç e ka quajtur Zekiria Cana rrugëtimin e tmerrshëm Prizren-Kukës-Pukë-Shkodër -Tivar- Dubrovnik -Rjekë. Xhelatët e Aleksandër Rankoviçit janë shquar për krimet e tyre kundër mijra shqiptarëve të rekrutuar dhunshëm, nga Kukesi në Ulqin. Me date 31 mars dhe 1 prill filloi kasaphana e përgjakshme. Ata janë rrethuar nga të gjitha anët në Tivar nga ushtarët malazezë dhe janë qëlluar në mënyrë të pamëshirshme me breshëritë vdekjeprurëse të armëve ku mbetën të vrarë mijra vetë.

Asnjë penë nuk mund ta përshkruaj saktë këtë masakër barbare dhe numrin e të vrarëve. Enver Hoxha në vend që të denonconte këtë masakër dekoroi skenaristët dhe regjisorët e saj, binomin Tito- Rankoviç. Me date 24 prill me dekretin 48 nga Presidiumi I Kuvendit Popullor caktohet dt 25 prill dita e forcave kufitare dhe shqiptarët mbetën të ndarë me mur berlinez. Pikërisht me 31 mars 2018 Edi Rama vendosi traun Rrugës së Kombit mbi themelet e Golgotës Shqiptare.

Rrëmbimet e protestuesve në mesnatë nga shteti maskë dhe burgosjet e tyre politike të dyshes Rama Xhafa të kujtojnë Gestapon e Hitlerit.

2 prilli i vitit 1991 është prilli i përgjakshëm i demokracisë. Falangat e Kuçdrës komuniste që po jepte shpirt realizuan masakrën e Shkodrës. U përgjak Shkodra, djepi kulturës, dijes dhe demokracisë. Mbetën në fushën e nderit, pishtarët e demokracisë Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku. Urdhëruesi i masakrës së 2 prillit Gramoz Ruçi sot është Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë. Sa herë të flas për prillin e Betejës së Koshares kam prapë për të thanë. Me date 9 prill filloi kjo betejë homerike që shembi kufirin mes shqiptarëve. Me date 11 ra njeri prej hartuesve të platformës së operacionit shigjeta, poeti dramaturgu, i pari që shembi piramidën, Komandant Katana Agim Ramadani. Me 16 prill në malet e Maznikut ranë në një betejë tjetër të UÇK-së me ushtrinë gjakatare serbe herojtë e Kombit tonë Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj, Hasim Halilaj.

Po këto ditë të prillit 13 vite me parë u vra mizorisht dëshmori i Atdheut Enver Haradinaj. Kjo vrasje barbare siç e ka cilësuar Presidenti Rugova kishte si qellim destabilizimin e Kosovës. Dita e varrimit u shpall ditë zie nga Presidenti Rugova dhe u dënua nga kryeministri Kosumi, kryeministri Nano, partitë politike në Kosovë dhe mbarë opinioni publik në hapësirën shqiptare.

19 vite më parë si sot në Betejën e Koshares ra njeri prej hartuesve të operacionit shigjeta figura poliedrike shumë dimensionale, juristi, politikani, intelektuali, oficeri gueril Komandant Veterani, Sali Çekaj që bëri gjithçka mundi për çlirimin e Kosovës.

Vepra e tij u derdh në bronx dhe në këngë.

"Më ka rritë nëna n'zhguna veku

Ma thonë emrin Sali Çeku

I thonë Sali Çeku trimit veteran

I këndon dyfeku një këndim dardan

Jo nuk e ndal hapin ky kollos i Kombit

Jo nuk e ndal vrapin ka bekim prej Zotit."

Atë ditë u plagos djaloshi nga Shkupi Nuhi Tahiri i cili mori plagë të rënda dhe iu nenshtrue 9 operacioneve por fatmirësisht mbijetoi.

Në inagurimin e shtatores së Sali Çekajt në Deçanin legjendarë Presidenti Rugova në përshëndetjen e tij vlerësoi lart rolin dhe kontributin e Sali Çekajt. Rugova çmoi shumë mbështetjen e Tropojës për çlirimin e Kosovës. Ai tha se Tropoja në shekuj ka qenë djep i patriotizmi dhe nacionalizmit. Në shekuj mbeti kështjellë e pamposhtur, barrikadë e invadorëve të ndryshëm.

Tropoja është Oaz lirie.

Ai vlerësoi Betejën e Koshares dhe thyrjen e kufirit.

" Kosova ka liri se pati Koshare,

Ka Koshare se pati Tropojë" tha Presidenti

Beteja e Koshares është unike, simotër e Betejës Spartane të Termopileve përballë ushtrive perse të Kserksit. Nderim për heronjtë e gjallë dhe të vdekur të kësaj beteje,

114 dëshmorët e saj prehen në lëndinat e Koshares. Lavdi dëshmorëve të Atdheut.

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Zbulohet ndeshja e trukuar nga grupi "Bajri"

Aktualitet

Zbulohet ndeshja e trukuar nga grupi "Bajri"

Mes 11 personave të arrestuar si pjesë e grupit kriminal "Bajri", është edhe shtetasi Armir Grima, trajner i kombëtares së futbollit për femra i cili gjatë karrierës së tij sportive...

"Pronari më shikonte format, më kërkonte foto' 23 vjeçarja tregon ngacmimin seksual në punë

Aktualitet

"Pronari më shikonte format, më kërkonte foto' 23 vjeçarja tregon ngacmimin seksual në punë

Ada është një vajzë 23-vjeçare nga Berati, e cila pasi përfundoi studimet e larta vendosi që të qëndrojë në Tiranë për t’u punësuar.Por, në ambientet punëdhënëse që ajo ka frekuentuar...

Punime në stacionin Selitë, ja zonat pa energji elektrike nesër

Aktualitet

Punime në stacionin Selitë, ja zonat pa energji elektrike nesër

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njofton abonentët e Tiranës se nesër do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të punimeve në nënstacionin Selitës. OSHEE bën me dije se...