Rëndësia e perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor

Diel, 29 Prill 2018 13:30

Nga Graham Watson


Në mbledhjen e Këshillit Europian në Bruksel, kreu i shteteve dhe qeverive, shqyrtoi çështjet më të rëndësishme, si taksat dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, Turqi dhe Rusi.

Për të arritur sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, perspektiva e anëtarësimit nuk është më e mjaftueshme. BE-ja duhet të vazhdojë luftën e saj kundër propagandës ruse dhe të angazhohet sa më shumë të jetë e mundur në këtë drejtim. Ajo ka nevojë për një qasje të re e më të sigurt, shkruan për EURACTIV.com, Sir Graham Watson*.

Jetëgjatësia e jashtëzakonshme e paqes së pasluftës në Europën Perëndimore, e siguruar për tre breza radhazi nga llaçi i Bashkimit Europian dhe tullat e NATO-s tani po përballet me rreziqe dhe kërcënime të shumta, si nga brenda ashtu edhe nga grabitqarët e jashtëm.Reve të zeza të politikës u janë shtuar edhe shkreptimat e rrufeve të gjeopolitikës.

Kjo paqe e trashëguar ndër breza nuk mund të garantohet më gjatë duke kërkuar strehim në bunkerët e kombeve. Në mënyrë të jashtëzakonshme si një reagim ndaj kërcënimeve të jashtme, tendenca e shteteve anëtare të BE-së, ka qenë ajo e një bashkimi të fortë. Helmimi i fundit i një agjenti të dyfishtë rus në Salisbury thekson edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit dhe diplomacisë, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së Bashkimit Europian.Nuk është nevoja për të qenë as një luftëtar gjakftohtë, as një praktikues i teorive konspirative për të kuptuar sesi Rusia po bëhet kudo, gjithnjë e më shumë e pranishme.
Ajo ndërhyri ushtarakisht në Ukrainë, ndërsa në Kaukazin Jugor ajo ndërhyri duke mos përdorur forcën ushtarake.

Ndërsa tani ajo po lufton fuqishëm me BE-në për të pasur një rol sa më të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, duke qenë aktive edhe në politikat e shteteve anëtare të BE-së në atë rajon, duke krijuar dhe duke shfrytëzuar lidhjet e ngushta historike dhe kulturore dhe duke përfituar nga vështirësitë politike dhe ekonomike të atyre vendeve, në mënyrë që të rrisë ndikimin e saj aty. Dhe padyshim që ndikimi në rritje i Rusisë ka filluar të ndihet që nga Tiraspoli në Moldavi, e deri në Tiranë, në Shqipëri.

Dhe mesa duket, deri më tani, kjo ndërhyrje nga ana e Moskës po funksionon. Mbështetja publike në rajon për integrimin në BE është në rënie. Ashtu siç u shpreh një vit më parë, kryediplomatja europiane, Federica Mogherini, paqëndrueshmëria politike në vendet e Ballkanit Perëndimor rrezikon ta shndërrojë këtë rajon në një fushë shahu në përballjen gjeopolitike midis Rusisë dhe Perëndimit.Fatmirësisht, Presidenca aktuale e BE-së është në duart e një vendi ballkanik, Bullgarisë, ku kjo e fundit ka bërë të pamundurën që të rikthejë dhe të vendosë çështjen e Ballkanit Perëndimor në axhendën e BE-së.

Dhe pas një periudhe të gjatë të “lodhjes nga zgjerimi”, ka një ndërgjegjësim të ri politik në Bruksel ndaj nevojës për t’iu përgjigjur ambicieve europiane të viktimave të konfliktit më të fundit të armatosur të kontinentit tonë.Në një moment që konfirmoi rënien e kristian-demokratëve të pas- Kohlit, z. Juncker, në fjalimin e tij të parë pas zgjedhjes si President i KE-së, në vitin 2014, e përjashtoi zgjerimin e mëtejshëm të BE-së gjatë drejtimit të tij dhe theksoi ndjenjën e “lodhjes së zgjerimit”.Tani, në programin e saj të Presidencës, Bullgaria këmbëngul në zgjerimin e BE-së si një prioritet kyç të këtij programi.

Ajo u zotua të jetë një Presidencë Ballkanike dhe të punojë për t’i dhënë Ballkanit Perëndimor një perspektivë të qartë europiane. Ekziston një plan veprimi për secilin nga shtetet, pa krijuar shpresa joreale, por hapa konkretë.

Dialogu është një element vendimtar në këtë proces, prandaj Presidenca bullgare e Borisovit po organizon një samit joformal të krerëve të shteteve dhe qeverive në maj. Pesëmbëdhjetë vjet pas takimit në Selanik, gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen me homologët e tyre të BE-së.Për bullgarët, integrimi i Ballkanit është shumë i rëndësishëm, si për mundësitë e investimeve, hapjen e vendeve të reja të punës, lidhjet e ndryshme që do të krijohen, por edhe për të realizuar premtimet e zhvillimit përpara në rrugën drejt BE-së.

Bullgaria e di mirë se një hap i tillë është i rëndësishëm për stabilitetin në Europë.
Ashtu siç tregojnë edhe progres-raportet specifike të vendit, mbështetja për anëtarësimin në BE në Ballkanin Perëndimor mbetet e fortë, por e rrezikuar shumë nga një “erozion” i mundshëm. Mbështetja më e flaktë vërehet në të gjithë Shqipërinë, një vend i cili ka bërë hapa galopantë në krahasim me të kaluarën e tij, që po zhvillohet dhe shumë shpejt, njëkohësisht duke luftuar me sukses terrorizmin dhe krimin e organizuar.

“Strategjia Kombëtare e saj për të luftuar Ekstremizmin e Dhunshëm” është hartuar në përputhje me Iniciativën kundër terrorizmit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Disa diskutojnë mbi faktin nëse Shqipëria duhet të marrë miratimin për të filluar negociatat nga Komisioni dhe Këshilli. Pikëpyetja mbi koston e mohimit të një bashkëpunimi të tillë hedh më shumë dritë mbi sfidat me të cilat do të përballemi.

Perspektiva e anëtarësimit nuk është më e mjaftueshme. BE-ja, në njëfarë mënyre, duhet t’i tregojë vendin propagandës ruse në rritje dhe të angazhohet drejt një qasje më të zgjuar. Ajo duhet të punojë dhe të përqendrohet kryesisht mbi ndikimin e pranisë së saj në rajon. Nuk duhet harruar as fakti se të gjashtë këto shtete të marra së bashku kanë një popullsi prej vetëm 18 milionë banorësh. Ne nuk mund të ndajmë integrimin ekonomik nga axhenda e sigurisë. Nevojitet një qasje e re dhe më e sigurt.

*Graham Watson ka qenë deputet i Parlamentit Europian nga viti 1994 deri në vitin 2014. Ai udhëhoqi në këtë Parlament, demokrat liberalët nga viti 2002 deri në vitin 2009 dhe president i Partisë “Aleanca e Liberal Demokratëve për Europën” nga viti 2011 deri në vitin 2015. Ai tani është anëtar i Komitetit Europian Social dhe Ekonomik, si dhe shërben si këshilltar në disa kompani ndërkombëtare.

Modifikuar më Hënë, 30 Prill 2018 13:06

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Basha: Rama e Vuçiç, sponsorë të planit të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Politikë

Basha: Rama e Vuçiç, sponsorë të planit të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Në emisionin “Open” të Eni Vasilit, kreu i Partisë Demokratike komentoi edhe qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj idesë së shumëdebatuar të shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Lulzim Basha akuzoi...

Basha: Ditmir Bushati është në përgjimet me bandën e Bajrajve

Politikë

Basha: Ditmir Bushati është në përgjimet me bandën e Bajrajve

Ditët e fundit Policia e Shtetit ka vënë në pranga bandën e Bajrajve, që ishte akuzuar shpesh nga opozita si një bandë kriminale që ka marrë kontrollin e Shkodrës dhe...

Modriç mposht sërish Ronaldon, lojtari më i mirë i vitit

Sport

Modriç mposht sërish Ronaldon, lojtari më i mirë i vitit

Në mbrëmjen gala të zhvilluar të hënën në Londër, Luka Modric ka mposhtur sërish Cristiano Ronaldon, duke u shpallur futbollisti i vitit edhe nga FIFA, ndërsa pak ditë më parë...