Toleranca e BE-së ndaj Serbisë po bëhet e patolerueshme

E Enjte, 03 May 2018 09:55

Nga Agustin Palokaj

Do të ishte për të gjithë mirë sikur Serbia të ishte ashtu siç e paramendojnë disa liderë të BE-së: paqedashëse, e gatshme për fqinjësi dhe pajtim, me vizion për zhvillim, faktor stabiliteti. Por për fat të keq Serbia është e tillë vetëm në imagjinatën e tyre. Serbia sot mohon gjenocidin në Srebrenicë, nuk do t’i gjykojë përgjegjësit në nivelin e lartë për krime lufte ndaj fqinjëve, grindet me Kroacinë e Kosovën, ndërsa në skenën ndërkombëtare koordinon veprimet jo vetëm me Moskën, por edhe me regjime totalitare.

Në institucionet e BE-së dhe në administratat e disa shteteve anëtare është një gjeneratë e re e politikanëve, e cila pak di, e as nuk ka ndonjë interes të mësojë, për të kaluarën e hidhur të Ballkanit Perëndimor. I dinë se atje ka pasur “konflikte të përgjakshme” dhe se duhet bërë gjithçka që ato të mos përsëriten. Por më shumë nuk u intereson. Nuk u interesojnë shumë as dënimet e krimeve të luftës, me përjashtim të atyre që dyshohet se i ka kryer UÇK-ja, dhe atë përmes një Gjykate Speciale kinse të Kosovës, e cila vepron në Hagë.
Por shpesh harrojnë se si ka nisur lufta, çka ka ndodhur në të dhe kush kanë qenë përgjegjësit dhe aktorët kryesorë. Deri para disa vitesh liderët e BE-së porosisnin se popujt e Ballkanit duhet ta tejkalojnë të kaluarën, por askush nuk ka të drejtë të kërkojë nga ta që ta harrojnë të kaluarën. Tash liderët e BE-së u ndihmojnë forcave që jo shumë vite më herët ishin bartës të politikës antievropiane dhe përfaqësues të asaj që quhej “e kaluar e errët”. Kjo vlen para se gjithash për Serbinë ku politikanët kryesorë janë presidenti Aleksandar Vuçiq, zëvendës-kryeministri Ivica Daçiq dhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vullin. Të tre ata ishin bashkëpunëtorë të Slobodan Milosheviqit dhe Vojisllav Sheshelit, një prej përgjegjësve kryesorë për të kaluarën e përgjakshme të rajonit.
Para vetëm 18 vjetësh BE-ja festonte humbjen e forcave të errëta të së kaluarës në Serbi. E sot një lidership tjetër i BE-së i thur lavde pikërisht atyre njerëzve. Ata ndoshta kanë ndryshuar sjelljen e tyre, por nuk është e sigurt se sa në të vërtetë kanë ndryshuar qëndrimet e tyre. Me përjashtim të disa tentimeve të Vuçiqit që të distancohet nga disa deklarata nga e kaluara e tij, dhe atë me rezerva të shumta dhe relativizime, dy të tjerët nuk kanë heq dorë publikisht asnjëherë nga mentori i tyre Milosheviq. Daçiq dhe Vulin madje kanë kërkuar që edhe t’i ndërtohet përmendore atij.
Ka një kohë të gjatë që zyrat e personave kryesorë në BE që merren me Ballkanin veprojnë sikur të ishin Ambasada të Serbisë. Tash si e tillë po bëhet edhe zyra e presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk. Kjo përshtypje fitohet pas vizitës në vendet e Ballkanit që ky i fundit e bëri javën që shkoj në përgatitje për samitin e Sofjes.
Tusk në mënyrë të turpshme lavdëronte jo vetëm Vuçiqin, por tërë Serbinë dhe të kaluarën e saj. Përmendi heroizmin, vizionin, kokëfortësinë, pragmatizmin, efikasitetin e politikës së Serbisë.
Fjalimi i tij në Beograd, i shkruar për të edhe në gjuhën serbe, që nuk është ende gjuhë e BE-së, dukej si një recitim me lahutë i ndonjë rapsodi malazias.
Ja disa nga margaritarët e presidentit të Këshillit Evropian që u kuptuan si shokante tek fqinjët e Serbisë, edhe pse pak kush foli publikisht:
“E di se në politikë ju jeni kreativë, ashtu siç ishte Nikolla Teslla në shkencë, efikas sikur Novak Gjokoviq në tenis dhe - kurdo që të doni - sharmant sikur kur hidhet vallja juaj”.
Me këtë fjali Tusk jo vetëm se nuk e ka dënuar politikën proruse të Serbisë, por e ka inkurajuar atë. Madje e ka lavdëruar. Ka porositur që vendet e tjera që mbështesin krejtësisht BE-në, si Shqipëria dhe Mali i Zi për shembull, janë budallenj dhe nuk e kanë kreativitetin, sharmin dhe efikasitetin që e ka Serbia në politikë.
“Shumë herë në histori keni dëshmuar se jeni stoikë, kokëfortë dhe të pavarur. Ju dhe vetëm ju vendosni për fatin tuaj. Dhe e di se nuk do të lejoni që kjo të ndryshojë”. Me këtë ai ka fyer edhe viktimat e luftës dhe ka relativizuar faktin se pikërisht kokëfortësia e Serbisë ka shkaktuar aq shumë vuajtje për tërë rajonin. Me të drejtë kjo mund të kuptohet edhe si lëvdatë për atë që në Serbi quhet rezistencë ndaj NATO-s, dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare kur kërkohej të gjendej një zgjidhje pa luftë për problemet në ish-Jugosllavi.
“Po rri këtu pranë mikut tim dhe presidentit tuaj Aleksandar Vuçiqit - serb nga gjaku dhe mishi. Mendoj se nuk është e mundur të gjendet ndonjë serb më i madh se ai”. Këtu Tusk e merr rolin e një matësi të madhësisë së serbëve. Ndoshta këtu e ka thënë të vërtetën, sepse së paku në Kroaci, Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë “Serbomadh” janë ata që kanë dashur Serbinë e madhe. E Vuçiq ka qenë i tillë dhe këtë nuk e ka fshehur asnjëherë. Në një fjalim në Glina të Kroacisë kishte thënë se ajo është “tokë e Serbisë” dhe kishte bërë thirrje që të krijohet Serbia e madhe. Kur para disa javësh në Kroaci ia rikujtuan këtë thënie gazetarët ai filloi t’i sulmojë dhe ofendojë ata duke thënë se po gënjejnë. Por ekziston video-incizimi i atij fjalimi dhe u pa se ishte Vuçiq ai që gënjente. Njëlloj ekziston edhe fjalimi i Vuçiqit kur kërcënonte se “për një serb do të vrasin 100 myslimanë”. Pasi po merr vesh serbisht ndoshta këtë do të duhej ta dëgjonte edhe Tusk, ashtu në origjinal, se si tingëllon miku i tij kur bën kërcënime të tilla.
Por nuk është vetëm Tusk, ai i cili lavdërohet se e ka mik Vuçiqin. Të tillë ka shumë në BE dhe NATO. Tusk vetëm i tejkaloj të gjithë të tjerët me patetizëm dhe paturpësi. Si nuk i shkoj mendja që së paku në Sarajevë të flasë për viktimat e luftës. Si nuk i shkoj mendja që në Kosovë dhe Bosnjë të fliste për të pagjeturit.
Duhet të kuptohet se BE-ja dhe fqinjët e Serbisë shohin një shans që me Vuçiqin të zgjidhin disa probleme që nuk kanë mundur më parë. Por duhet të kenë kujdes që të mos i ofendojnë njerëzit, sidomos viktimat e luftës duke i ndihmuar Serbisë që në vend që të përballet me të kaluarën e saj të mburret me të.
Do të ishte për të gjithë mirë sikur Serbia të ishte ashtu siç e paramendojnë disa liderë të BE-së: paqedashëse, e gatshme për fqinjësi dhe pajtim, me vizion për zhvillim, faktor stabiliteti. Por për fat të keq Serbia është e tillë vetëm në imagjinatën e tyre. Serbia sot mohon gjenocidin në Srebrenicë, nuk do t’i gjykojë përgjegjësit në nivelin e lartë për krime lufte ndaj fqinjëve, grindet me Kroacinë e Kosovën, ndërsa në skenën ndërkombëtare koordinon veprimet jo vetëm me Moskën, por edhe me regjime totalitare.
Sa është vizionare dhe pragmatike, e gatshme për pajtim Serbia dëshmon edhe përshkallëzimi i situatës në raportet e saj me Kroacinë. Zagrebi shpalli persona non-grata ministrin e Mbrojtjes të Serbisë, Aleksandar Vulin. Dhe Serbia reagoi. Këto reagime dukeshin aq bizare. Ish-zëdhënësi i Milosheviqit, Ivica Daçiq, ftonte Kroacinë që të sillet në mënyrë evropiane. E pse Kroacia shpalli persona non-grata Vulinin. Ky i fundit, në pyetje se a do të shkojë në Kroaci nëse nuk i lejohet, u përgjigj: “Kur dhe ku shkoj unë në Kroaci nuk vendos ndonjë ministër kroat, por komandanti suprem i forcave ushtarake të Serbisë, Alksandar Vuçiq”. Kroacia e kuptoi këtë deklaratë si luftë nxitëse dhe ia ndaloi atij hyrjen. Kryeministri i Kroacisë, Andej Plenkoviq, refuzoi të flasë në telefon me homologen e tij nga Serbia. Dhe tash ka përshkallëzuar përsëri situata në relacionin Zagreb-Beograd.
Në Bruksel do të duhej ta dinin, e për fat të keq nuk e dinë, se çfarë ndjenjash nxit në Kroaci deklarata e ministrit të Mbrojtjes të Serbisë se për të shkelur tokën kroate vendos “komandanti suprem i forcave të armatosura të Serbisë”. Beogradi u mundua të paraqesë këtë si një “ekzagjerim” të kroatëve apo si vendosje e “deliktit verbal”. Kinse Vulin vetëm ka përdorur të drejtën për shprehje të lirë.
E tërë kjo ndodhi pasi i dënuari për krime lufte Vojisllav Shesheli në Kuvendin e Serbisë fyeu delegacionin e Kroacisë, i cili për këtë shkak edhe ndërpreu vizitën në fjalë. Në BE e dënuan atë duke thënë se “një sjellje e tillë nuk ka vend në institucionet demokratike” dhe se ajo “tregon mosrespekt ndaj institucioneve që përfaqësojnë qytetarët dhe shkon në kundërshtim me fqinjësinë e mirë, bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin”.
Por në BE nuk kishin përgjigje në pyetjen se a mund të jetë një i dënuar për krim lufte deputet në Parlamentin e një vendi që është kandidat për anëtarësim në BE.
Duket se BE-ja ka hyrë në një rreth vicioz që problemet që i kanë vendet e rajonit, e sidomos Serbia, vetëm i përmend në Raportin e Progresit, por as vetë nuk i merr seriozisht.
Vetëm disa ditë para se të thurte lavde të mëdha për Serbinë dhe pushtetin e Vuçiqit, Donald Tusk, Komisioni Evropian në Raport Progresi e kritikonte Serbisë për mosbashkëpunim me mekanizmat e gjykatave penale ndërkombëtare (pasardhës të Gjykatës së Hagës për krimet e luftës). Në atë raport Komisioni Evropian tërhiqte vërejtjen se deklaratat e disa politikanëve të nivelit të lartë në Serbi, të cilët vënë në pikëpyetje aktvendimet e Gjykatës së Hagës nuk i kontribuojnë respektimit më të gjerë të sundimit të ligjit dhe përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare të Serbisë për krijimin e rrethanave, në të cilat në mënyrë efikase dhe të guximshme do të procesoheshin krimet e luftës.
Raporti i Progresit, po ashtu, nënvizon se në Serbi nuk ka aktakuza për krime lufte ndaj zyrtarëve të lartë, por proceset zhvillohen vetëm ndaj disa pjesëtarëve të nivelit të ultë të policisë e disa janë transferuar nga ana e Bosnjë-Hercegovinës. Nga Serbia kërkohet që të përshpejtojë procesimin e rasteve të krimeve të luftës para gjykatave vendore.
Por të gjitha këto janë vetëm sa për sy e faqe të përmendura në letër, sepse Serbia nuk hasur në asnjë pengesë për shkak të këtyre shkeljeve që i identifikon Raporti i Progresit. Sikur Kroacia të kishte vlerësime të tilla në Raportet e Progresit kur ishte në negociata të anëtarësimit ato negociata do të suspendoheshin menjëherë. Por ndaj Serbisë ekziston një tolerancë e patolerueshme, e cila i bën dëm edhe Serbisë edhe fqinjëve të saj.
© KOHA Ditore

Modifikuar më E Enjte, 03 May 2018 09:59

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Të martën përgatituni për ndryshimin drastik të motit në Shqipëri

Aktualitet

Të martën përgatituni për ndryshimin drastik të motit në Shqipëri

Teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballen me një dimër të parakohshëm, me reshjet të dendura dëbore që deri më tani ka shkaktuar të paktën 8 viktima, edhe Europa duket...

Lamtumirë kilogram! Shkencëtarët votojnë ndryshimin

Kuriozitete

Lamtumirë kilogram! Shkencëtarët votojnë ndryshimin

Rreth 130 vite pasi kilogrami u përcaktua nga një masë metali që është mbajtur në një kasafortë në Paris, shkencëtarët kanë votuar për ndryshim dhe një sistem të ri që...

Aksident i rëndë në aksin Librazhd – Elbasan

Aktualitet

Aksident i rëndë në aksin Librazhd – Elbasan

Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Librazhd – Elbasan. Aksidenti ka ndodhur pranë lokalit të njohur me emrin “Zeneli”. Ka qenë një autobus që është përplasur me...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!