Për dosjet e zhdukura dhe një përgjigje për P.Milon dhe A.Taren

E Enjte, 10 May 2018 18:08

Nga Kastriot Dervishi

Ngaqë zakonisht në darkë jam në punë e nuk kam kohë të shikoj emisione televizive, një miku im më dërgoi sot linkun e emisionit “Studio e hapur”, në të cilin qenka diskutuar ndër të tjera edhe “asgjësimi i dosjeve” të ish Ministrisë së Punëve të Brendshme, sot Ministria e Brendshme. Deklarimet e dy prej pjesëmarrësve në këtë emision, Paskal Milo dhe Auron Tare, si dy persona që nuk e njohin fare Arkivin e Ministrisë së Brendshme, janë dezinformime publike të rrjedhura nga mungesa e informacionit. Pavarësisht se kanë folur shumë, asnjëri nuk ngriti problemin e gjendjes së rëndë të rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë, prej së cilës çdo ditë dëmtohen dokumente. Unë kam kaq vjet që ngre shqetësimin për ndërtimin e arkivave të shtetit shqiptar gjendjen e rëndë të këtij rrjeti, etj, ndërsa zotërinjtë në fjalë, asnjëherë nuk e kanë pasur këtë merak, por bëjnë sa ziliqarin e sa punëtorin agjitativ të partisë.

Parimisht z.Milo dhe z.Tare diskutuan sikur Arkivi i MB-së kishte qenë në rregull gjatë diktaturës dhe tani kishin dalë probleme. Këtë përcaktim së pari e kanë nga adhurimi për diktaturën komuniste, e cila në fakt ka qenë edhe një rrumpallë administrative që asnjëherë nuk ndërtoi arkivat që i duheshin një shteti. Gjendjen e rëndë të trashëguar e kanë pasqyruar disa raporte zyrtare, të cilat më është dashur t’i gjej e konsultoj (nuk i kam pasur të gatshme), në mënyrë që të njihja sa më mirë atë që kishte ndodhur. 

Me vendimin nr.407, datë 21.9.1992 të Këshillit të Ministrave u formua një komision ekspertësh me përfaqësues nga Ministria e Rendit Publik, Gjykata Kushtetuese (një anëtar i saj), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, SHIK-u, Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Mbrojtjes. Pavarësisht kohës së shkurtër të këtij inspektimi, komisioni konstatoi gjendjen e rëndë të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, sidomos në mungesën e inventarizimit të fondeve arkivore të tij. Siç e kam gjetur unë, le ta gjejë këtë raport z.Milo se do ta ndihmojë që së paku mos flasë kur nuk ka gjë për të thënë. Aty do mësojë shumë gjëra. Në kohën kur unë fillova punë në vitin 2007, nuk njihej as kompjuteri sepse shkruhej me dorë. Ringritja e Arkivit të MB-së, është ndër krenaritë e jetës sime, një detyrë e ushtruar me idealizëm e me shumë sakrificë. Arkivi ishte vetëm depo që nuk funksiononte me asnjë parim të arkivistikës. Nuk dihej çfarë kishte. Mungonin: regjistri i fondeve, numrat e fondeve, inventarët e fondeve, etiketat e kutive; kishte përpunime të gabuara, etj (nuk po flas për kushte të godinave sepse ato nuk ekzistojnë fare në Shqipëri). Përveç kësaj, ishin dhe janë kushtet higjienike shumë të vështira me papastërti, minj të ngordhur, gjarpërinj, etj. Identifikimi i dokumentacionit të Arkivit të MB-së mbaroi në parim në vitin 2011. Deri atë çast ishin të inventarizuar jo cilësisht rreth 20% e dokumentacionit të arkivuar. Në vitin 2014 ky inventarizimi i kryer në kushtet thuajse vullnetare dhe pa asnjë ndihmë financiare shkoi në 80% të fondit arkivor. Në këtë shifër ka ngelur sepse për Arkivin erdhën 4 vite të zeza që as Milo dhe as Tare nuk i shohin e nuk duan t’i shohin. Qeveria për të cilën ka luftuar me pushkë e penë Auroni dhe vetëm me penë Paskali, e ka çuar Arkivin në periudhën më të zezë të ekzistencës së tij, praktikisht e ka asgjësuar atë. Ajo që unë kërkoj prej të dyve është fare e thjeshtë: kur ka qenë më mirë Arkivi i Ministrisë së Brendshme, në vitin 2014 kur më larguannga detyra, apo sot? Luftën me mua, të gjithë së bashku e kanë humbur, por me ndikime e tyre të vogla apo të mëdha, dëmin ia kanë sjellë vetëm Arkivit.

Z.Milo dezinformoi sikur asgjësimet e dokumenteve në të kaluarën qenkan bërë në Arkiv dhe jo në degët e punëve të brendshme në rrethe. Dokumentacioni i trashëguar me problemet që thashë (mungesë përpunimi, inventarizimi, etj) është dëmtuar vetëm në një rast, më 13 mars 1997 kur populli sulmoi depon e dytë të Arkivit të MB-së. Rastet e asgjësimeve nuk i takojnë Arkivit sepse këtu nuk asgjësohen dokumente, por i takojnë sekretari-arkivave dhe kartotekave në MPB-së. Në këtë kuadër z.Milo foli edhe për “asgjësimin e 29 mijë dosjeve”, sipas një “burimi zyrtar”, të cilin ai e ka me të dëgjuar. Në fakt është fjala për një studim për gjendjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve që u krye në vitin 1995 nga Shërbimi Informativ Kombëtar në prag të miratimit të ligjit për pastërtinë e figurës. U verifikuan regjistrat “Model 10” dhe dosjet, midis të cilat dolën mospërputhje të mëdha. Rezultoi një shifër mjaft e vogël dosjesh ekzistuese (6.522, por kjo e përllogaritur jashtë fondit operativ historik). Nga ky studim rezultuan dy shifra asgjësimesh:

-Në vitet 1980-1992 në 26 degët e punëve të brendshme (për Durrësin viti fillon nga 1974) ishin asgjësuar rreth 40.000 dosje bashkëpunëtorësh.

-Nga kjo shumë, 29.000 dosje janë asgjësuar deri në vitin 1991 dhe 11.000 dosje të asgjësuara në vitet 1991-1992.

Pikërisht këtë të dhënë, që është vetëm një tregues i vogël për atë që ka ndodhur, z.Milo nuk e kupton dot. Madje, për më keq akoma ngatërrohet kur kërkon dosjen formulare të babait të tij. Së paku duhej të dinte se dosjet e përpunimeve të anëtarëve të Partisë së Punës, siç ka qenë babai i tij, nuk arkivoheshin asnjëherë, por asgjësoheshin pas mbylljes së tyre atje ku ishin hapur. Po ta dinte këtë fakt, do kursente fjalët e hedhura kot së koti në publik dhe do kursente kohën e humbur kot në autoritete të sajuara që nuk janë arkiva.

Kur unë publikoj fakte e krime të komunizmit (gjë që nuk do ta ndal asnjëherë sepse këto gërricjet e vogla të tyre nuk kanë asnjë ndikim te unë), takëmi i avokatëve të këtyre krimeve, përsërisin çështje të kota që lidhen gjoja me “sekretin”, apo gjëra të tjera pa lidhje. Ama, kur dalin përditë oficerë Sigurimi apo përgjithësisht persekutorë, kur flasin për ngjarje të djeshme me dashuri të madhe për “komandantin”, asnjëherë ky takëm nuk shqetësohet as për “sekretin” e as gjë tjetër, sepse e gjen veten te kjo kategori.

Tani dy fjalë të “gjithëditurit” Auron Tare, i cili ishte “habitur” që kryetari i misionit amerikan në Tiranë, Jakobs, kishte telegrafuar se zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 ishin “të lira”, në mënyrë që të përligjë çdo gjë që ka lidhje me kohën e Enver Hoxhës. Këtë e quajti “zbulim”. Dokumentet e viteve 1945-1946 të marrëdhënieve të SHBA-së me jashtë janë botuar qysh në vitin 1968. Madje kanë ardhur edhe në Shqipëri gjatë komunizmit dhe janë përkthyer nga Ilia Zhulati. Ndërsa i kam botuar edhe unë të plota në vitin 2013. Në të njëjtin botim ka qindra informacione të tjera, por po mjaftohem të kujtoj atë të datës 27 korrik 1946 të zv/drejtorit të zyrës për çështjet evropiane Hickerson, i cili shfaq dyshime serioze për burimet e informacionit dhe pozitën e Jakobsit në Shqipëri.

Unë jam përditë në arkiva me dëshirën e vullnetin tim si studiues. Vetëm në vitet 2015-2018 ku unë kam qenë pothuajse përditë në Arkivin Qendror Shtetëror kam siguruar një informacion të pasur që do i shërbejë shumë historisë së Shqipërisë. Kam realizuar në këtë kohë 100% objektivat e mia dhe tani po përpunohet një informacion mjaft i vlefshëm për historinë e vendit që kalon punën e kushedi sa autoriteteve dhe instituteve.

Gjatë kësaj kohe, Auron Tare nuk ka qenë asnjëherë në AQSH. Paskal Milo ka qenë nja 15-20 ditë. Madje në një rast, z.Milo pasi më pa i habitur në arkiv ishte i sinqertë në zilinë e tij kur m’u drejtua me fjalët: “Nuk u ngope ti?”. 

 

Bashkëlidhur një foto se si i kemi gjetur dosjet para inventarizimit. Foletë e insekteve kanë qenë karakteristikë e këtyre rasteve.

1 koment

  • Përgjigju Goni

    Kastriot, pushtetin PD e mori ne v. 2005 dhe me tu bere minidter Nishani, emeroi ne detyren e drejtorit te Arkivit, mikun e tije, Andrea Cupa.....ne 2007 u emeruat ju, por gjate kesaj kohe qe z. Cupa drejtoi Arkivin, nuk paska bere asnje pune ne dobi te rregullimit te atij Arkivi?......apo si miku i Nishanit, nuk ja vari punes....

    E Enjte, 10 May 2018 19:26 komentuar nga Goni

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Shqipëri-Skoci, Policia masa të rrepta për ndeshjen, ja rrugët që do të bllokohen në Shkodër

Aktualitet

Shqipëri-Skoci, Policia masa të rrepta për ndeshjen, ja rrugët që do të bllokohen në Shkodër

Policia e Shkodrës ka marrë masa të ashpra para përballjes mes Shqipërisë dhe Skocisë e vlefshme për Ligën e Kombeve. Takimi do të luhet ditën e shtunë në orën 20:45 në...

Gruevski i kishte zbrazur llogaritë bankare qysh në shtator

Globi

Gruevski i kishte zbrazur llogaritë bankare qysh në shtator

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski qysh në shtator, kur mbajti një konferencë për shtyp në Kuvend dhe akuzonte pushtetin duke thënë se është viktimë e persekutimit politik, kishte tërhequr të gjitha paratë...

Doli te Arian Çani me si ‘magjistar’ që shëron xhindët, nuk ua merr mendja se çfarë i gjeti policia në shtëpi

Bota Shqiptare

Doli te Arian Çani me si ‘magjistar’ që shëron xhindët, nuk ua merr mendja se çfarë i gjeti policia në shtëpi

Hysri Peqanit, i njohur si “Burdushi”, mjek popullor që pretendon se shëron shumë sëmundje, e ka pisk punën me policinë. Gjatë një kontrolli në banesën e tij është gjetur një...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!