Opozita e bashkuar, e gatshme ta implementojë pa kushte paketën amerikane

zv-ndihmes-sekretarin-amerikan-1

Kreu i PD Lulzim Basha zbardhi dje negociatat dyditore, duke i bërë të qartë publikut se opozita është e gatshme të miratojë pa kushte paketën e propozimeve amerikane dhe i dërgoi ftesë publike Edi Ramës të pranojë propozimet e diplomatit Yee. Transparenca e kryer gjeti gafil kryeministrin, i cili shpresonte të luante deri në fund me politikën e faktit të kryer

Vasili ashpërson tonet: Pranoni paketën McAllister, kthejmë postin e Presidentit nëse i shërben zgjidhjes së krizës

 

Klima politike e ditës së djeshme u dominua nga përpjekjet e opozitës për t’i dhënë një zgjidhje krizës së rëndë politike të vendit dhe refuzimet e njëpasnjëshme të Partisë Socialiste dhe kreut të saj Edi Rama. Menjëherë pas takimit me ambasadorin amerikan Donald Lu, kreu i selisë blu Lulzim Basha i dërgoi një letër zyrtare kryeministrit, ku e informonte se opozita ka pranuar pa kushte paketën “McAllister” dhe ndryshimet përkatëse të bëra nga zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Brian Yee. Në këtë letër kryeopozitari Basha i ka bërë gjtihashtu thirrje Ramës që ta pranojë sa më parë këtë paketë për t’i dhënë zgjidhje krizës politike. “Në emër të opozitës ju informoj se që prej ditës së djeshme në ora 12.00, opozita ka pranuar pa kushte propozimin e integruar të prezantuar si zgjidhje për krizën politike nga Ndihmës Zëvendëssekretari i Shtetit Hoyt Yee. Duke konfirmuar pranimin e plotë të propozimit të integruar, ju bëjmë thirrje që edhe ju të konfirmoni publikisht pranimin pa kushte të propozimit të SHBA, për t’i hapur rrugë zbatimit të kësaj pakete për qytetarët shqiptarë. Duke shprehur bindjen se propozimi i SHBA-së përbën rrugën e duhur për zgjidhjen e krizës, konfirmoj gatishmërinë e opozitës për implementimin e plotë të saj pa asnjë vonesë”, thuhet në letrën e Bashës.

PS nuk bie dakord me propozimet e Yee, Rama refuzon ftesën publike të Bashës/ Në një kohë që Partia Demokratike dhe aleatët e tjerë opozitarë kanë rënë dakord për të pranuar pa kushte paketën “Mc Allister” dhe propozimet e reja të zyrtarit amerikan Yee, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të refuzojë këtë zgjidhje për krizën politike duke iu përgjigjur negativisht ftesës publike të kryedemokratit Lulzim Basha për të pranuar propozimet amerikane. Rama ka shfrytëzuar një postim në rrjetet sociale për të agravuar situatën, duke mos e pranuar ftesën e kreut të PD. Rama ka frikë shtyrjen e datës së zgjedhjeve, ndaj sërish i ka kërkuar liderit të opozitës që të pranojë ofertën e përpiluar prej PS-së, ku ai ka vendosur kushtet sipas dëshirave personale, kushte të cilat nuk garantojnë as lirinë e votës dhe as standartet demokratike të procesit zgjedhor. “Lulzimbasha_al mos fol në emër të SHBA se flasin vetë! Lëri letrat publike,mos u fshih pas “McAllister”, fokusohu tek oferta që ke në tryezë”, shkruan Rama. Zgjidhja e krizës politike është refuzuar edhe nga vetë Partia Socialiste, e cila e gjendur përballë një të vërtete tronditëse luajti kartën e propagandës në deklaratën për mos dakordësinë me propozimet amerikane, duke e quajtur abuziv lajmin se opozita pranon paketën McAllister. Partia Demokratike gjithashtu ka shprehur gatishmërinë që së bashku me paketën “McAllister”, të votojë edhe Vettingun në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, por këtë e harron PS-ja në deklaratën ku refuzon zgjidhjen e krizës sipas propozimit “gjermano-amerikan”, duke mos e përmendur aspak këtë ligji kaq të rëndësishëm. Deklarata e PS i përngjan atyre që etërit komunistë të bijve kryetarë e drejtues të kësaj partie lexonin në kongrese ku e njësonin fatin e partisë me fatin e kombit, dyuke treguar edhe njëherë se frika e Ramës nga shtyrja e datës së zgjedhjeve dhe vetë procesi i reformimit të sistemit të drejtësisë është aq e madhe sa e pengon të pranojë një paketë që shmang destabilizimin e vendit.

Vasili ashpërson tonet: Pranoni paketën McAllister, kthejmë postin e Presidentit nëse i shërben zgjidhjes së krizës/ Paketa “McAllister” që zgjidh përfundimisht krizën politike në vend është në qendër të vëmendjes së klasës politike dhe ka prodhuar debate të shumta në dfistancë midis forcave të ndryshme partiake. Ditën e djeshme Partia Demokratike dhe partitë opozitare që kanë bojkotuar zgjedhjet e kanë pranuar këtë paketë ndërsa kryeministri Edi Rama ka dalë kundër saj. Mosdakordësia e kryeministrit Rama për paketën “McAllister” ka shtyrë kreun e LSI, Petrit Vasili që të reagojë ashpër, teksa është shprehur se janë të gatshëm të tërheqin Ilir Metën nga posti i Presidentit të zgjedhur, në funksion të gjetjes së një zgjidhje politike për krizën e rëndë që ka mbërthyer vendin. Vasili në një deklaratë për mediat u shpreh se të gjitha palët duhet të bien menjëherë dakord me këtë paketë që zgjidh krizën politike. Madje Vasili ka shkuar edhe më tej teksa ka theksuar se përgjegjësitë për bllokimin e zgjidhjes i takojnë atyre që nuk pranojnë këtë paketë, duke iu drejtuar indirekt kryeministrit Rama, i cili refuzon të arrijë konmpromisin në bazë të kushteve të paraqitura nga McAllister. Nuk duhet humbur asnjë orë më shumë për zgjidhjen e menjëhershme të situatës aktuale politike. Lëvizja Socialiste për Integrim i ka qëndruar dhe i qëndron pikë për pikë kompromisit të z. McAllister dhe të mbështetur nga z. Fleckenstein dhe nuk ka nevojë të diskutohet më. Paketa duhet të zbatohet pikë për pikë nga të dy palët. Boll më me këtë teatër jo transparent. Përgjegjësitë për bllokimin e zgjidhjes janë të atyre që nuk e mbështetën dhe nuk e mbështesin edhe tani propozimin e z. McAllister. Pata paralajmëruar publikisht se vizita e Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit, z. Hoyt Brian Yee ishte një shans për kompromisin. Duhet t’i jepet fund një orë e më parë të gjitha lojërave politike, që trondisin stabilitetin dhe sigurinë e vendit dhe të qytetarëve. Lëvizja Socialiste për Integrim është e gatshme të kthejë edhe postin e Presidentit të Republikës në shërbim të zgjidhjes së shpejtë të krizës”, thuhet në deklaratën e Vasilit.

PDIU: Pranoni paketën Mc Allister, refuzimi i marrëveshjes çon vendin drejt destabilizimit/ Të gjendur në një situatë të rënduar ku opozita ka pranuar të punojë nën garancinë amerikane për zbatimin e plotë të paketës “Mc Allister”, ndërsa kryeministri ka refuzuar kompromisin, partitë e tjera parlamentare u detyruan ditën e djeshme t’i bënin thirrje Edi Ramës që të binte dakord për këtë paketë të mbështetur tashme jo vetëm nga Europa por edhe SHBA-të. Kështu pas reagimit me tone të ashpra nga aleatët e LSI, edhe PDIU e Shpëtim Idrizit ka bërë thirrje për arritje të konsensusit duke pranuar paketën “Mc Allister”. “Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bën thirrje forcave kryesore politike që të marrin përgjegjësinë para qytetarëve të Shqipërisë dhe partnerëve tanë dhe të zgjidhin krizën politike sa më parë. Prandaj ne u bëjmë thirrje palëve që të rikthehen në tavolinën e bisedimeve dhe të rimarrë në shqyrtim seriozisht paketën e propozuar prej eurodeputetit gjerman David Mc Allister dhe mbështetur nga SHBA si bazë të një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike ne vend. Është e papranueshme që vendi ynë anëtar i NATO-s dhe kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, të zhytet në një spirale të tillë konfliktuale duke e njollosur rëndë reputacionin tonë ndërkombëtar dhe kërcënuar pluralizmin dhe demokracinë në vend”thuhet në deklaratën zyrtare të PDIU. Në deklaratën e PDIU, që i drejtohej padyshim kryeministrit të vendit, i cili ka dalë kundër kompromisit dhe interesit kombëtar, theksohej se mungesa e një marrëveshje rrezikon të thellojë edhe më tutje krizën politike, rrezikon cilësinë e zgjedhjeve parlamentare të ardhshme dhe stabilitetin e vendit. Deklarata e partisë së çamëve mbyllet me një thirrje për të punuar në kuadër të një reforme të re elektorale, duke pranuar indirekt se është e nevojshme shtyrja e zgjedhjeve për të pasur kohë që procesi të çohet drejt përfundimit në bazë të standarteve demokratike.  “Gjithashtu, për t’i paraprirë situatave të tilla të ngjashme në të ardhmen, ne duhet të ndërmarrim një reformë të re elektorale nëpërmjet një procesi transparent gjithëpërfshirës që vë interesat e atdheut përpara interesave të partive specifike”, përfundon reagimi.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>