Opozita: Hetim të plotë ndërkombëtar mega-aferës korruptive 600 milionëshe me CEZ-in

Eduard_Halimi16dhjetor

 

 

Partia Demokratike do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të shpallur anti-kushtetuese marrëveshjen mes Ramës dhe CEZ-it ku falen 600 milionë dollarët e shqiptarëve, ndërkohë që do paraqesë nismën ligjvënëse për hetim ndërkombëtar lidhur me aferën korruptive

 

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Eduart Halimi, ka deklaruar dje se duke e nisur që nga e java e ardhshme, Opozita do të ndërmarrë dy nisma paralele për skandalin e CEZ-it. Së pari, demokratët do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të vendit për të rrëzuar marrëveshjen e shndërruar në ligj nga mazhoranca aktuale për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke, zgjidhje që sipas demokratëve, i kushtoi 600 milionë dollarë taksapaguesve shqiptarë. Sipas Halimit, hapi i dytë i opozitës do të jetë ndërmarrja e një nisme për hetim ndërkombëtar të aferës në fjalë. “Po ditën e hënë, Partia Demokratike do të depozitojë në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin që bën të mundur hetimin e plotë ndërkombëtar të kësaj afere korruptive”, shtoi Halimi. Sipas opozitës, krerët e mazhorancës, Rama dhe Meta janë bashkuar në një pakt kriminal për të fshehur korrupsionin.

“Skandali i CEZ po merr çdo ditë përmasa tronditëse dhe provat e dëshmitë e reja po hedhin dritë për përfshirjen e drejtpërdrejtë në këtë skemë të korrupsionit më të madh në historinë e vendit, të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Është konfirmuar publikisht tashmë se falja e 600 milionë eurove kompanisë CEZ, kjo afere kriminale, dhe dëmi i tmerrshëm financiar që i është bërë vendit, ka për autorë dhe përfitues, hartuesit dhe votuesit e marrëveshjes anti-kushtetuese në parlament, Edi Rama dhe Ilir Meta.

Tani që dëshmitë e njëpasnjëshme po nxjerrin në dritë përmasat e kësaj afere korruptive, Edi Rama dhe Ilir Meta janë ri-bashkuar në pakt kriminal. Edi Rama ka nevojë për mbrojtje në aferën e 600 milionë euro fatura të njohura nga CEZ, që ai ja ka falur apo ka ndarë me CEZ. Ilir Meta ka dëshpërimisht nevojë për ndihmë teksa akuzohet për aferën 135 milionë euro DIA-CEZ. Të bashkuar në krim, Rama dhe Meta po bëjnë gjithçka për të mbyllur mundësitë e hetimit dhe për të fshehur vjedhjen më të madhe të pasurisë së shqiptarëve ku janë të dy dorëbrenda. Partia Demokratike e denoncoi këtë krim që ditën e pare. Ne dërguam për ndjekje penale CEZ, DIA dhe këdo që ishte përfshirë në këtë aferë të tmerrshme korruptive. Por me ardhjen e tyre në pushtet Rama dhe Meta nxituan të mbyllnin marrëveshjen me CEZ dhe të ndalonin me ligj, e përsëris me ligj, ndjekjen penale të të dyshuarve kryesorë, akt ky i paprecedent në historinë e vendit. Sot kur kjo dyshe duket se po përgatitet të ndalë hetimin e Jozef Hejsek, drejtorit të CEZ për llogari të Edi Ramës dhe aferës së tij 600 milion euro dhe për llogari të Ilir Metës dhe aferës 135 milion euro me Kastriot Ismailajn, dua tiu informoj se në fillim të javës së ardhshme, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për ta deklaruar si antikushtetues e për ta hedhur poshtë ligjin, pra marrëveshjen për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. S.”.

Partia Demokratike argumenton qartë në kërkesën e saj se ky akt dëmton interesat financiare të shtetit shqiptar dhe ngarkon me borxh të tmerrshëm çdo qytetar të vendit, dhe kjo si pasojë e drejtpërdrejtë e aferës më të madhe korruptive të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Po ashtu, dua tiu informoj sot se Partia Demokratike ditën e hënë do të depozitojë në Kuvendin e Shqipërisë projekt-ligjin që bën të mundur hetimin e plotë ndërkombëtar të kësaj afere korruptive. Ne e kemi të qartë se Edi Rama dhe Ilir Meta s’do të lejonin një hetim të plotë e të pandikuar nga prokuroria e vendit. Me pushtetin e kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit, ata do të ndikonin hetimin dhe do ta mbyllnin atë sipas interesit të tyre. Vetëm një hetim me prokurorë ndërkombëtar me kompetenca të plota për të hetuar, kontrolluar dhe analizuar të gjithë aferën, të pandikuar nga dy personat e përfshirë në këtë aferë, si përgjegjësit kryesorë, pra Edi Rama dhe Ilir Meta, do të sillte drejtësi për këtë skandal me përmasa qindra milionë euro. Vetëm pak orë më parë, përmes një videoje që u transmetua nga televizioni Neës 24, ne pamë se si një dëshmitar kyç, bashkëpunëtor i drejtësisë në këtë çështje, edhe pse nën mbrojtjen e policisë, është tërësisht vulnerabël, i sulmueshëm, dhe ndaj tij bëhet shantazh. Kërcënohet pikërisht dëshmitari, i cili nxjerr zbuluar Edi Ramën dhe Ilir Metën. Edi Rama dhe Ilir Meta kanë djegur çdo mundësi për hetim të kësaj afere. Ndaj hetimi ndërkombëtar është e vetmja rrugëzgjidhje, në shërbim të vendit dhe interesave të qytetarëve”, përfundon deklarata e deputetit Eduart Halimi.

Opozita: Ja dokumentet që provojnë tentativat e qeverisë për të fshehur aferën korruptive të CEZ-it

Opozita ka denoncuar tentativa e maxhorancës për të manipuluar opinionin publik rreth aferës korruptive të CEZ. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, në një dalje për media ka publikuar dokumente të cilat hedhin poshtë pretendimet e qeverisë se ka patur kërkesë për ulje të çmimit në lidhje me llogaritjen e faturave të papaguara të energjisë. Në vijim të deklaratës së tij, Bode kërkoi një hetim ndërkombëtar të çështjes së CEZ-it. “Prej disa ditësh, të zënë me presh në duar nga avokatët e vetë qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare, segmente të mazhorancës dhe persona në hetim, me dëshpërim po përpiqen të manipulojnë opinionin publik lidhur me thelbin e këtij hetimi dhe se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.

Për të sqaruar opinionin publik dhe për të denoncuar këto përpjekje të dëshpëruara të të implikuarve në këtë çështje, po paraqes faktet dhe dokumentet e mëposhtme;

  1. Siç është thënë shumë herë, kontrata e privatizimit të CEZ ka qenë e shoqëruar me një garanci bankare të Bankës Botërore prej 60 milionë Euro, e cila mund të tërhiqej nga CEZ në rastet kur ERE nuk kishte marrë vendim në përputhje me kontratën lidhur me borxhin e keq sipas studimit qe do të bënte Deloitte, kompania ndërkombëtare e zgjedhur nga të dy palët.
  2. ERE në vitin 2011, pas publikimit të raportit nga Deloitte, vendosi çmimin 2.8 lekë duke mos e marrë në konsideratë raportin e Deloitte për nivelin prej 16.85% të borxhit të keq. Pra faturave të papaguara të energjisë elektrike.
  3. Kjo solli kërkesën e CEZ drejtuar Bankës Botërore dhe Qeverise Shqiptare, për të sekuestruar garancinë prej 60 milionë euro në datën 25 nëntor 2011.
  4. Banka Botërore, në rolin e arbitrit dhe garantuesit të marrëveshjes, pas vlerësimeve të saj teknike, njoftoi institucionet shqiptare dhe CEZ, me letrën e saj të datës 14 Dhjetor 2011, ku qeveritarët e akuzuar nuk janë të interesuar ta nxjerrin. Në këtë letër Banka Botërore shkruan se;
  5. a)     Qeveria shqiptare për shkak të vendimit të mësipërm të ERE-s rrezikonte humbjen e 60 milionë eurove.
  6. b)     Ajo mbështeste qeverinë për te gjetur një zgjidhje të drejte dhe të qëndrueshme dhe se për të arritur këtë, ERE duhej të miratonte nivelin e borxhit të keq 16.85% dhe të reflektonte këtë gjë në tarifat përkatëse.
  7. c)     Kjo zgjidhje konsiderohej nga Banka Botërore si ne përputhje me praktikat me te mira dhe ne përputhje me interpretimin e saj për deklaratën rregullatore për borxhin e keq.
  8. d)     Nëse behej kjo, kërkesa e CEZ për të sekuestruar garancinë bankare te mbajtur prej saj, nuk do te ekzekutohej.

Ndërkaq, siç pretendohet se ishte ulur çmimi, CEZ kishte rrezuar me vendim gjykate vendimin e ERE për çmimin prej 2.8 lekesh qe lidhej me llogaritjen e borxhit te keq ne nivelin 14 % ( jo 16.85 siç thotë audituesi ndërkombëtar Deloitte) dhe për këtë arsye nuk paguante prej muajsh energjinë qe merrte nga KESH, duke e çuar në vështirësi financiare. Letra që përflitet e Ministrisë së Financave ëe tundin ata qe jane te akuzuar me shpresë që të manipulojnë opinionin publik por edhe provat me shpresën se mund të mbulojnë skandalin e CEZ dhe të kompanisë DIA, pa e lexuar në asnjë rast përmbajtjen e saj, kjo letër është përgjigje ndaj një letre të ERE ku njoftonte institucionet ashtu edhe Ministrinë e Financave e cila u përfshi në çështje nga dhjetori i vitit 2011 për shkak të garancisë, ku deklaronte masat qe ajo mendonte te ndërmerrte pas rekomandimit te Banke Botërore për të shëndoshur sektorin energjetik shqiptar.

Në këtë letër, nuk ka asnjë kërkese për ulje çmimi, apo as dhe një opinion se sa duhej te miratohej çmimi, pasi kjo është një e drejte ekskluzive e ERE. Letra mbështet programin e ERE ne kushtet qe te jete i bazuar ne kuadrin ligjor respektiv, ne rekomandimet e Bankës Botërore, ne heqjen e rrezikut qe vendi kishte ne procese gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare që do të përfundonte me sekuestrimin e 60 milionë eurove si dhe ne funksion të garantimit te furnizimit me energjinë elektrike të pandërprerë për popullatën pa rritur çmimin per konsumatoret. Pra kjo është letra që tundet nga të akuzurit. Sigurisht që mes institucioneve ka komunikim dhe aq më tepër që isha në rolin e garantuesit të një gjobe që mund ti vihej vendit prej 60 milionë eurosh, kur efekti i çmimit të diskutueshëm ishte 10 milionë euro.

Për ta përmbledhur, Ministria e Financave nuk ka thënë as me shume dhe as me pak, nga ajo qe Banka Botërore i ka thënë qeverise shqiptare dhe vete ERE. Aq është e vërtete kjo, sa ne Vendimin e ERE për te miratuar borxhin e keq, në mënyrë të qartë dhe pa ekuivok thuhet se [citoj] “letra e Ministrisë së Financave ne cilësinë e garantorit mbështet propozimin e Bankës Botërore”. Në përfundim, faktet qe ka konstatuar vete avokati i qeverise shqiptare, ne letrën e tij drejtuar gjykates ndërkombëtare, pasi ka shqyrtuar te gjitha dokumentet ka dale ne konkluzion se ne vitin 2012, çmimi i KESH është rritur me 48%, dhe nuk është ulur siç pretendojnë, dhe se kjo siç duket ka sjelle prishjen e pazareve mes DIA dhe atyre qe janë te lidhur me te dhe CEZ. Për saktësi ju lutem referoheni paragrafit 1743 ne faqen 31 te raportit te vete konsulentit ndërkombëtar. Partia Demokratike ka kërkuar dhe kërkon një hetim ndërkombëtar për këtë çështje si dhe dorëheqjen e Ilir Metës për ti hapur rrugen një hetimi te plote dhe të drejtë të kësaj çështje. Faktet e fundit për kërcenim dëshmitaresh janë përpjekje të pushtetarëve për të mbyllur hetimin e këtij rasti te paprecedente dhe manipulimi me faktet dhe të vërtetat po ashtu është një devijim nga vëmendja e publikut lidhur me aferën tepër të rëndë, si në rastin e raportit të DIA-s ashtu si me rastin e zgjidhjes së kontratës së privatizimit të CEZ, ku qindra milionë euro iu falën në mënyrë të paargumentuar, dhe ku u bllokua çdo process penal të personave të implikuar në çështjen me CEZ. Mbetemi të vendosur për ti hapur rrugën një hetimi ndërkombëtar”.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>