Opozita: “Narkotrafiku me avionë ka kumbarët e tij në Polici dhe në Qeveri”

ristani

Arben Ristani: “Trafiku i drogës me avionë vazhdon me të njëjtat ritme nga Vlora dhe Saranda”

Partia Demokratike ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se trafiku i drogës me avionë nga Vlora dhe Saranda vijon me po të njëjtat ritme. Në një dalje para medieve, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani u shpreh se ky fenomen vazhdon sa kohë ka mbështetjen e Qeverisë, ortake e krimit. Sipas Ristanit dëshmitarë okularë dhe burime serioze të policisë tregojnë se transporti i drogës me avionë të vegjël vijon dhe asgjë nuk bëhet për ta ndaluar këtë biznes kriminal.“Avionë të vegjël të trafikut të drogës vazhdojnë fluturimet në zonën e Vlorës dhe Sarandës. Dëshmitarë okularë dhe burime serioze të policisë tregojnë se transporti i drogës me avionë të vegjël vijon dhe asgjë nuk bëhet për ta ndaluar këtë biznes kriminal. Nuk mund të ndalet ky biznes kriminal, sepse kumbarët e tij i ka në Polici, i ka në qeveri. Edhe në rastin e pak ditëve më parë, ishte pala italiane që solli informacionin dhe zbuloi të gjithë mekanizmin e grupimin, që udhëhiqej nga shefi i Policisë së Vlorës. Autoritetet tona nuk kishin nga t’ia mbanin dhe u detyruan të ndërhynin. Mirëpo trafiku i drogës me avionë vazhdon sërish, derisa të zbulohet e të ndalohet nga policitë e vendeve fqinje”, u shpreh Ristani. Më tej, Sekretari i PD-së deklaroi se trafiku do të vazhdojë sepse është rezultat i kanabizimi të vendit, në çdo fshat e në çdo cep.“Trafiku i drogës do të vazhdojë sigurisht sepse është rezultat i kanabizimi të vendit, në çdo fshat e në çdo cep. Biznesi i trafikut të drogës pritet të ketë rritje të mëtejshme sidomos në Jug të vendit, tani që zyrtarisht kjo zonë i kaloi për administrim Koco Kokëdhimës me dekret të veçantë të Edi Ramës. Çfarë mund të presim tjetër kur trafikanti është kthyer nga Edi Rama në model, kur trafikantët janë futur prej tij në parlament, kur trafikantët janë bërë kryetarë bashkish e kanë kapur poste kyçe në administratë. Ky fenomen shkatërrues për vendin dhe për qytetarët, është dëshmi e krimit të lidhur me pushtetin dhe pushtetit të lidhur me krimin. Partia Demokratike nuk do të pajtohet asnjë minutë me këtë kriminalizim, me kthimin e vendit në republikë të drogës. Ne bashkë me qytetarët do ta ndalim këtë ortakëri të qeverisjes me krimin që sjell përfitime për një grusht trafikantësh e zyrtarësh dhe sjell rrënim për qytetarët e për vendin”, tha Ristani.