Opozita nuk e pengon statusin, protesta nuk na largon nga Europa

Reagon deputeti i PD, Eduart Selami
Deputeti i PD-së Eduard Selami ka deklaruar se protestat e opozitës nuk do e pengojnë marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria. Deputeti Selami theksoi se protesta e opozitës nuk bëhet për të ardhur në pushtet por sipas tij bëhet kundër qeverisjes jo evropiane.  “Qëllimi ynë nuk është të vijmë menjëherë në pushtet por ky problem kaq i rëndësishëm për integrimin Shqipërisë të adresohet në mënyrë të drejtë. Ministri i Brendshëm duhet të mbaj përgjegjësi për mënyrën jo profesionale që e ka trajtuar. Kryetari Basha ka thënë që nuk do bëhet pengesë dhe do aprovojë çdo ligj që është për integrimin Shqipërisë. Protesta nuk na largon nga Evropa. Shpresoj që të bëhet. Largimi i kryeministrit do përshpejtojë integrimin në Evropë.”- u shpreh Selami. Më tej ai thekson se tashmë narkotrafiku është kthyer një problem shumë dimensional. Sipas tij problemi i drogës është ngritur edhe nga fqinjët ndërsa kryeministri dhe qeveria nuk e ka marrë seriozisht. “Një trajtim kaq jo profesional ishte një shprehje e paaftësisë të përsëritur. Ne e bëmë këtë çështje të rëndësishme që është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rrugën drejt BE. Është treguar shumë xheneroz kur thotë të shkojmë në prokurori por edhe kjo është mungesë serioziteti.  Mosveprimi për të parandaluar drogën. Të gjitha janë të dënueshme. Edhe prokuroria ka gjynahet e saj. Edhe lufta kundër korrupsionit është më tepër në kufijtë të propagandës. Prokuroria duhet të kishte nisur hetimet. Kur bëhet fjalë për akuza konkrete dhe prokuroria hesht. Për më tepër kur përfshihet kryeministri i vendit. Mënyra si u trajtuar lë mjaft për të dëshiruar. Hidhet dyshimi nga ne se a ka përpjekje për bllokim. Komisioni hetimor jo vetëm nuk u bë për akuzat që ngritëm ne por u kthye të hetohen ata që po i bëjnë këto akuza”.