Opozita: Rama, presion punonjësve të administratës për të votuar kandidatët e qeverisë

kaso

Partia Demokratike denoncon format qeveritare të dhunimit të votës në 21 Qershor

 

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso ka deklaruar se PD posedon një dokument, në të cilin shihet presioni që Edi Rama i ka bërë administratës për të kontrolluar votën

Partia Demokratike vijon të denoncojë të tjera raste të abuzimit me votën në zgjedhjet e 21 Qershorit. Në një dalje para medieve, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso ka deklaruar se PD posedon një dokument, në të cilin shihet presioni që Edi Rama i ka bërë administratës për të kontrolluar votën. Sipas Kasos, punonjësit e administratës janë presionuar me largim nga puna nëse nuk votoni për kandidatët e qeverisë. PD i bën apel Qeverisë të nis hetimet për këto raste abuzive. “Një javë më parë Partia Demokratike denoncoi blerjen nga Ilir Meta dhe Edi Rama të Kryetarit të Komunës Mollas, Agron Hysa duke i dhënë 8 miliardë e 600 milionë lekë tender përpara zgjedhjeve të 21 qershorit, në këmbim të votave dhe të fushatës për kandidatin e saj në Cërrik. Ky tender ishte në kundërshtim të hapur me ligjin, pasi fituesi i shpallur që u ble nga qeveria për ti shërbyer kandidatit të Ilir Metës në Cërrik, kishte bërë ofertën më të shtrenjtë financiare, pothuajse sa fondi limit. Kjo shkelje duhet të jetë subjekt i Prokurorisë, por mbetet një nga rekordet shembullore të blerjes së votës në zgjedhjet e fundit nga dyshja Rama-Meta”, u shpreh Ivi Kaso. Më tej ai deklaron se janë bërë publike forma të reja të blerjes së votës nga Rama gjatë zgjedhjeve të 21 Qershorit. “Format e blerjes së votës, të presionit dhe shkeljes së standardeve nga dyshja Rama Meta kanë qenë të gjithanshme. Kemi këtu një dokument të bërë publik nga media, që Partia Socialiste e ka shpërndarë masivisht tek funksionarët publikë në institucione. Ky dokument, shërbente për të evidentuar në listë nëpunësit e administratës shtetërore, për të kontrolluar votën e tyre, dhe për t’u bërë atyre presion me largim nga puna në rast se nuk hidhnin votën për kandidatët e qeverisë, duke i gjurmuar ata deri tek qendra e votimit. Ky dokument dhe kjo metodë është dëshmi e presionit kriminal ndaj administratës publike, e shantazhimit të saj sistematik për ta detyruar të votojë kandidatët e qeverisë. Frymëzuesi, madje urdhëruesi i kësaj metode është Edi Rama, i cili porositi vetë drejtpërdrejt drejtorët e administratës të mbushin kutitë me vota duke ju thënë shprehimisht:
“Çdo drejtor, çdo shef, çdo përgjegjës, çdo person që ka marr një fije pushtet nga PS, dhe nga LSI do ketë detyrë konkrete. Dhe detyra konkrete do të jetë: Sa kuti votimi do të kesh ti nën përgjegjësinë tënde personale”. Sipas PD-së konstatimi i këtyre shkeljeve dhe dhunimeve të standardeve zgjedhore detyruan institucionet ndërkombëtare të flasin njëzëri dhe të dënojnë edhe në raportet paraprake; presionin politik ndaj administratës, zgjedhësve dhe institucioneve, blerjen masive të votës, dhe përfshirjen e kontigjentit kriminal, që minuan besimin e qytetarëve tek procesi zgjedhor. “Mashtrimet, kriminalizimi dhe korrupsioni qeveritar pretendojnë se janë legalizuar me votën e shumicës së qytetarëve. Kjo nuk mund të ndodhë në zgjedhje të lira. Por mund të imponohet përkohësisht në zgjedhje të kapura si ato të 21 qershorit. Vetëm përkohësisht.
Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë dhe bashkë me qytetarët do ta flakë zgjedhën e regjimit oligarkik të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Pushteti i vjedhur dhe i blerë nuk ka të ardhme”, deklaroi Ivi Kaso.