OSBE rrëzon referendumin e Erdoganit, opozita klith për manipulime masive

erdogan

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka thënë dje se referendumi për ndryshime kushtetuese në Turqi nuk i ka plotësuar standardet ndërkombëtare. Më herët edhe kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Cezar Florin Preda, i cili e ka mbikëqyrur referendumin, tha se referendumi për ndryshime kushtetuese i mbajtur dje në Turqi nuk i ka plotësuar standardet e vëna nga Këshilli i Evropës. Shefja e misionit mbikëqyrës të OSBE-së në referendumin e Turqisë, Tana de Zulueta, ka thënë se ka pasur mungesë të paanshmërisë para votës të së dielës, sepse votës “Po” i ishte dhënë mundësia për t’i dominuar mbulimet e mediave, ndërsa pala tjetër ishte kufizuar dhe shumë gazetarët ishin arrestuar. “Referendumi u mbajt në një mjedis politik në të cilin liritë thelbësore të nevojshme për mbajtjen e një procesi të vërtetë demokratik u cunguan për shkak gjendjes emergjente, ndërsa dy palët nuk kishin mundësi të barabarta gjatë fushatës për referendum,” ka thënë ajo. Ajo shtoi se resurset shtetërore janë keqpërdorur në favor të votës “Po”, dhe se aktivistët e fushatës për votim kundër ishin penguar shpesh.

Turqi, opozita ankohet për parregullsi në referendum/Partia kryesore opozitare e Turqisë i kërkoi bordit zgjedhor të vendit të anulojë rezultatet e një referendumi të rëndësishëm që i jep kompetenca të reja presidentit. Sipas opozitës, procesi i votimit përmbante parregullsi të konsiderueshme. Bulent Tezcan, nënkryetar i Partisë Popullore Republikane, përmendi probleme të shumta gjatë votimit të djeshëm, që i dha një fitore të ngushtë planeve të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të zgjeruar së tepërmi kompetencat e postit të tij. Bordi konfirmoi fitoren e “po”-së në referendum dhe tha se rezultatet përfundimtare do të shpallen pas 11 deri 12 ditësh. Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu tha se “po”-ja ka marrë 51.4 për qind të votave, ndërsa “jo”-ja 48.6 për qind. Një vendim i paprecedent i bordit zgjedhor për të pranuar si të vlefshme votat që nuk mbanin vulën zyrtare ka ngjallur zemërim tek partitë opozitare. Bordi e bëri njoftimin pas ankesave të shumë votuesve se u ishin dhënë fletë votimi pa vulë.

Një periudhë me probleme për Turqinë/Votimi vjen në një periudhë kur Turqia është e goditur nga problemet. Presidenti Erdogan mbijetoi një përpjekje për grusht shteti në muajin korrik të vitit të kaluar dhe fajësoi për këtë ish aleatin e tij, klerikun Fethullah Gulen, i cili aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara. Gjendja e jashtëzakonshme që u vendos pas grushtit të shtetit, është ende në fuqi. Një goditje e gjerë qeveritare vuri në shënjestër mbështetësit e Gulenit dhe kundërshtarët tjerë të qeverisë. Afërsisht 100 mijë veta, përfshirë gjyqtarë, mësues, akademikë, mjekë, gazetarë dhe pjesëtarë të forcave ushtarake dhe policore, kanë humbur vendet e punës dhe më shumë se 40 mijë janë arrestuar. Qindra media dhe organizata joqeveritare janë mbyllur. Turqia u përball edhe me dhunën e përtëritur ndërmjet militantëve kurdë dhe forcave të sigurisë në pjesën e brishtë juglindore të vendit, sikurse edhe me një seri sulmesh me bomba, disa nga të cilat të kryera nga grupi militant Shteti Islamik, që vepron në Siri. Lufta në Siri bëri që rreth tre milionë refugjatë të kalojnë kufirin duke kërkuar strehim në Turqi. Ankaraja dërgoi trupa në Siri për të ndihmuar forcat opozitare sirianë që të pastrojnë zonën kufitare nga kërcënimet e militantëve të Shtetit Islamik.

Pyetja e Ditës: A do të ndërpriten negociatat BE-Turqi?/Diskutimet për vazhdimin apo jo të negociatave për anëtarësimin e Turqisë në BE janë futur në një fazë shumë të nxehtë. Ka shumë politikanë që kërkojnë nga Brukseli më shumë sinqeritet dhe vendosmëri. Komisioneri i Bashkimit Evropian Jean-Claude Juncker dhe e Ngarkuara e BE për Politikë të Jashtme Federica Mogherini kanë kërkuar nga qeveria turke që të krijojë një konsensus kombëtar për ndryshimet kushtetuese, sepse rezultati i zgjedhjeve ka qenë shumë i ngushtë. Juncker dhe Mogherini nuk e kanë uruar Erdoganin për fitoren, sepse duan të presin raportin e vëzhguesve të OSBE-së. Në Turqi thuhet se ka pasur parregullsi gjatë votimit dhe numërimit. Më pas do të vendoset nëse Turqia po i përmbushë obligimet e veta, si një vend kandidat për anëtarësim në BE. Parlamenti Evropian ka kërkuar në nëntor të vitit 2016 ndërprerjen e negociatrave me Turqinë. Ndonëse Recep Tayyip Erdogani gjatë fushatës i ka quajtur nazistë shumë politikanë evropianë, vendet anëtare ende janë të përmbajtura. Kjo mund të ndryshojë pas ndryshimeve kushtetuese, sepse menjëherë janë shtuar kërkesat për ndërprerjen e negociatave me Turqinë. Kancelarja Angela Merkel angazhohet për një “deal” me Turqinë, e cila ka pranuar para një viti marrëveshjen për refugjatët. Çmimi i kësaj marrëveshjeje është rreth gjashtë miliardë euro, sa Turqia do të marrë nga BE si ndihmë për refugjatët. Ndërkohë është mbyllur itinerari ballkanik për refugjatët nga Greqia deri në Austri. Por në të ardhmen do të ketë edhe më shumë probleme në negociatat për liberalizimin e vizave për Turqinë si dhe në luftën e përbashkët të terrorizmit. Zëvendëspreidenti i Parlamentit Evropian Alexander Graf Lambsdorff (FDP), thotë se BE duhet të jetë i sinqertë dhe t’u japë fund negociatave me Turqinë: “Fantazitë e Erdoganit për pushtet të pakufizuar janë në kundërshtim me vlerat elementare të BE. Është koha e duhur që të ndërpriten negociatat e anëtarësimit dhe që raportet me Turqinë të vendosen mbi baza të reja.” Ndërsa Jean-Claude Juncker i ka hedhur poshtë edhe kritikat e politikanëve turq se do të nxjerrin nga fuqia marrëveshjen për refugjatë. Por Turqia mbetet për Evropën një faktor i rëndësishëm në çështjet e sigurisë. Ajo është anëtare e NATO-s dhe deri tani nuk është kontestuar kjo anëtarësi. Turqia ka edhe një pozitë shumë të rëndësishme gjeostrategjike.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>