Papa Françesku Bartolomeut: “Urgjent, shpejtimi i hapave drejt bashkimit të plotë mes katolikëve dhe ortodoksëve”

Në kuadrin e shkëmbimit tradicional të Delegacioneve për festat përkatëse të Pajtorëve – më 29 qershor në Romë, për kremtimin e Shenjtorëve Pjetër e Pal e më 30 nëntor në Stamboll, për kremtimin e Shën Andreut – kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të krishterëve, udhëheq delegacionin e Selisë së Shenjtë në festën e Patriarkanës Ekumenike. Gjatë Liturgjisë solemne, kryesuar nga Shenjtëria e Tij Bartolomeu, në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit, në Fanar, kardinali Koch i dorëzoi Patrikut ekumenik një mesazh autograf të Atit të Shenjtë, të cilin edhe e lexoi publikisht. “Edhe pse larg nga Roma – shkruan Françesku – për shkak të vizitës sime baritore në Birmani e Bangladesh, dëshiroj t’i bëj urimet e mia më vëllazërore Shenjtërisë Suaj dhe anëtarëve të Sinodit të Shenjtë, klerit, murgjërve dhe të gjithë besimtarëve, mbledhur për Liturgjinë Hyjnore, në kujtim të Shëna Ndreut Apostull. Kur diakoni i fton besimtarët e mbledhur  në Liturgjinë Hyjnore që të luten ‘për ata, që shtegtojnë nëpër tokë, nëpër det e nëpër ajër ‘ – shkruan Papa – ju kërkoj të luteni edhe për mua”. Papa Françesku e paraqet kështu delegacionin e dërguar: “Shenjë e solidaritetit tim shpirtëror me lutjen tuaj të falënderimit e të lavdit për gjithçka që Zoti ynë i gjithëpushtetshëm e i mëshirshëm realizoi përmes Shëna Ndreut Apostull”. Katolikëve dhe ortodoksëve Papa u kujton se është kumtimi i Fjalës së Jetës i nisur nga Apostujt, shenja e bashkimit me Atin, përmes Birit, në Shpirtin Shenjt. “Katolikë e ortodoksë, duke shpallur së bashku dogmat e shtatë Koncileve të para ekumenike, duke besuar  në  forcën e Eukaristisë e të Sakramenteve të tjera e duke ruajtur vazhdimësinë apostolike të shërbesës së ipeshkvijve, e ndjejnë thellësisht afërsinë me njeri-tjetrin”. Sot – vijon të kujtojë Papa – duke falënderuar Atin e dashurisë, duke iu bindur vullnetit të Zotit tonë Jezu Krishtit e duke i qëndruar besnikë mësimeve të Apostujve, pranojmë sa “urgjent është shpejtimi i hapave drejt bashkimit të plotë  e të dukshëm”.

Në fjalët e Papës ndjehet fort edhe gëzimi për kujtimin – në prag të Festës së Shëna Andreut, gjatë një takimi, ku mori pjesë edhe Bartolomeu – të 50-vjetorit të vizitës së Palit VI në Fanar, më 25 korrik 1967, në çastin “historik të bashkimit” të Barinjve. E në fund, dëshira e shprehur nga Papa që “katolikë e ortodoksë të promovojnë nisma të përbashkëta në nivel lokal lidhur me temat e kujdesit ndaj gjithësisë, bashkëjetesës ndërmjet popujve, kulturave e traditave të ndryshme fetare dhe pranisë së të krishterëve në Lindjen e Mesme, duke theksuar se ka shumë rrethana në të cilat katolikë e ortodoksë mund të punojnë së bashku, pa pritur ditën e bashkimit të plotë e të dukshëm”.

Kronika e Kishës Katolike Shqiptare – Takimi i komisionit të Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë për shëndetësinë/Takimi i parë i komisionit kombëtar për shëndetësinë, pranë Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë, u mbajt nën drejtimin e presidentit, ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli. Takimi i parë i komisionit kombëtar për shëndetësinë, pranë Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë, u mbajt nën drejtimin e presidentit, ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli. Punimet u zhvilluan mbi temën “Lum duart e hapura që nuk kërkojnë asgjë në këmbim, por janë duart që thërrasin bekimin e Hyjit mbi të varfërin dhe të sëmurin” e pjesëmarrësit caktuan edhe disa propozime konkrete! “Lum duart e hapura që nuk kërkojnë asgjë në këmbim, por janë duart që thërrasin bekimin e Hyjit mbi të varfërin dhe të sëmurin”!

Nën moton e Papa Françeskut u mbajt takimi i parë i komisionit kombëtar për shëndetësinë, nën drejtimin e presidentit të këtij komisioni, ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, emëruar nga Konferenca Ipeshkëvnore e Shqipërisë. Në këtë takim të zhvilluar në rezidencën e Ipeshkvisë së Sapës, morën pjesë përfaqësues nga dioqezat e Shqipërisë dhe nga  Caritasi Kombëtar.

Imzot Simoni që në fillim të këtij takimi, tha se, bota na thërret për ndihmë dhe Kisha nën udhëheqjen e Papa Françeskut ka për detyrë të jetë pranë atij që vuan. Ai ftoi më pas të pranishmit në prezantimin e situatës së sektorit shëndetësor në dioqezat ku veprojnë. Po ashtu u diskutua edhe mbi sfidat e hasura dhe vështirësitë gjatë punës së tyre edhe mbi projektet aktuale përmes të cilëve personeli shëndetësor vepron në misionin e tij. E një ndër to është edhe projekti me titull: “Kujdesi paliativ në banesë”, një projekt mjaft i rëndësishëm i mbështetur prej vitesh nga Caritas Shqiptar, dhe që aplikohet në dioqezat Rrëshen, Shkodër dhe Lezhë.

Si rrjedhojë, takimi vazhdoi edhe me propozime të reja, ku mund të përmendim: – Hartimi i një database në nivel Kombëtar për të gjitha shërbimet që ofrohen në dioqeza; – Takime më të shpeshta dhe më të hapura me komisionet, por edhe me Caritaset dioqezane e me Caritasin kombëtar; – Formimi nga ana shpirtërore i personave për të penguar korrupsionin; – Të fuqizohet vullnetarizmi nëpër dioqeza – Të përhapet në dioqezat e tjera kremtimi i ditës së të sëmurëve duke u nisur nga shembulli që ofron Dioqeza e Sapës. – Një meshtar që të kryejë vizita mujore në spitale dhe kremtime sakramentesh, etj.

Marrë nga Radio Vatikani

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>