Papunësia e të rinjve, një alarm kombëtar për Shqipërinë  

Një nga problemet më kryesore që kanë prekur këto 2 vitet e fundit rininë shqiptare, është rritja e numrit të papunësisë në radhët e të rinjve. Kemi të bëjme me studentë të diplomuar dhe të përgatitur për tregun e punës, të cilët nuk gjejnë mbështetje punësimi në profesionet përkatëse. Kjo për shkak të një sërë faktorësh me ndikim thelbësor. Duke nisur nga niveli ekonomik gjithnjë e në rënie, nga mënyrat se si bëhen emërimet, nga politika që ndiqet konkretisht për menaxhimin e këtij problemi e jo vetëm kaq.

Ajo që ndodh me rininë shqiptare tashmë është shndërruar në një proces mëse normal pune. Ndjekja e një cikli studimesh, diplomimi i tyre me gjithë vështirësitë që hasin në rrugën për tu diplomuar, e më pas periudha e papunësisë. Për shkak të shumë dyerve të mbyllura në pozicione pune brenda profilit të tyre, ata pranojnë të kryejnë punë të cilat përveçse jashtë profilit të tyre, janë edhe jashte standardeve që duhet të ofrojë një vend pune. Informaliteti në kushtet e punës kthehet në një procedurë të zakonshme e normale në radhët e tyre.

Ky është cikli që ndiqet. Ndër ta, disa bien dakord me realitetin i cili duhet të jetë i përkohshëm por në dukje nuk është i tillë, ndërsa të tjerë, të cilët përbëjnë edhe shumicën i drejtohen 2 rrugëve të tjera.

Rritja e kriminalitetit në radhët e të rinjve ka si shtysë me efekt të madh papunësinë. Të rinj të cilët në kushtet për të përballuar shpenzimet mujore i drejtohen një prej mundësive të reja të dala në pah kohët e fundit në vend. Kanabisi dhe kultivimi i tij. Sepse midis të rinjve shqiptarë, vitin e fundit nuk janë të padëgjuara bisedat edhe përsa i përket konvertimit të orës së punës për kultivim kanabisi në lek. Kusht ky që krijon lloje të reja “përzgjedhjesh” të tregut të punës. Pra po favorizohen forma të reja veprimtarie e të paligjshme në radhët e atyre të rinjve të cilët nëse do i ishin ushtruar një politike mirëmenaxhuese do kishin arritur të shkolloheshin si duhet e më pas tu ish ofruar tregu i përshtatshëm pune.

Pjesa tjetër e të rinjve të cilët janë të lodhur nga të qënurit të punësuar në një vënd jashtë kualifikimit të tyre profesional e me pagesa të ulëta, zgjedhin emigrimin. Jane të shumta statistikat dhe anketat e kryera në lidhje me aplikimet e 3 viteve të fundit për azil në Gjermani e Francë. Shifrat zyrtare tregojn se në 3 vjet jane mbi 100 mije azilkërkuesa, jemi ne vend te pare per kerkesat per azil. Ne  vitin e fundit kemi  mbi 200 mije aplikime per greencard. Te ndjekësh ëndrrën kur humbet shpresën e ka quajtur një gazetar këtë që po ndodh së fundmi. Dhe shpresa tek të rinjtë shqiptare fatkeqësisht sa vjen e merr drejtimin jashte kufirit shqiptar.Rritja e paparashikuar në tre vitet e fundit e numrit të azilkerkuesve, përqindja e aplikimeve të kryera në raport me leje qëndrimet e dhëna, tregojnë që ende Shqipëria trajtohet si një prej vëndeve që nuk garanton sigurinë e jetës së të gjithe qytetarëve të tij. Kjo gjë ndikon drejtpërsëdrejti në procesin e integrimit europian.

Reforma në arsim që penalizoi maturën e vjetshme është një tjetër faktor i cili shumë shpejt do I japë efektet mes të rinjve që i përkasin këtij cikli studimesh. Pjesës më të madhe të tyre nuk iu dha mundësia e ndjekjes së shkollës që ata donin, duke i detyruar një pjesë të tyre të zgjidhnin universitetet private pavarësisht gjendjes ekonomike të familjeve të tyre. Ndërsa pjesa tjetër, ajo më fatkeqja, nuk arriti ti ndiqte këtë vit shkollor. Duke u detyruar të nisë një punë pa arsim përkatës e rrjedhimisht që nuk ofron pagesa të përshtatshme për nje treg normal pune. Të vendosur në kushte të tilla atyre s’u mbetet gjë tjetër veçse shpresa për një reformë tjetër favorizuese apo një mundësi më të mirë e në këtë rast më e mira i referohet gjithnjë emigrimit.

Kjo është rinia shqiptare në ditët e sotshme, e vendosur në udhëkryqet të cilat ua ofron jo vetëm mosha por edhe vendi në tranzicion të vazhdueshëm. Dëshira për të qenë më mirë, e realiteti aspak favorizues. Ëndrrat për një profesion, arritja e kësaj ëndrre dhe përballja me të kushtet që ofron vendi për të cilin u diplomuan. E jo pak herë lind pyetja nëse duhet të kishin zgjedhur më mirë një fakultet tjetër apo ndoshta një rrugë tjetër, pyetje të cilat përveçse janë pa përgjigje, shtojnë shkallën e pasigurisë për të ardhmen. E të mos harrojmë më të rëndësishmen, e ardhmja do jetë në duart e tyre. Si po investohet në të ardhmen që do na prekë të gjithëve? Sa dore po u jepet të rinjve për të arritur në një ditë ku të gjithë do jemi më mirë? Si do jetë e ardhmja e Shqipërisë nëse e vetmja rrugë shpëtimi do vazhdojë të mbetët emigrim…?

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>