Parlamenti Italian, hetim për plehrat që trafikon Edi Rama

qeveria-italiane

Denoncimi i fshehjes së 1300 kontejnerëve me plehra që u lejuan të tranzitonin në Shqipëri, por që s’hynë asnjëherë në Maqedoni, ka sjellë një alarm në Shkup, por edhe një përplasje politike në Romë e Tiranë. Portali i informacionit që dha i pari skandalin ka publikuar 10 pyetje për Edi Ramën, duke shprehur çudinë që ai shqetësohet për gjyqet ndaj medieve e jo për mundësinë që mijëra tonë mbetje mund të jenë groposur në Shqipëri. Paralelisht, deputeti italian Rikardo Nuti ka kërkuar një hetim italian për një aferë që drejtohet nga Eco-Mafia

Skandali i mbetjeve/Portali “Pianeta Italia” i drejton 10 pyetje Edi Ramës mbi zhdukjen e 1300 kontejnerëve me plehra

 

Dokumentet e portit dhe doganës vërtetojnë zhdukjen e 1300 kontejnerëve që hynë në Durrës

Zhdukja e 1300 kontejnerëve  pas hyrjes në portin e Durrësit përbën ende një temë të nxehtë për mediat që investigojnë mbi çështjen, por edhe për autoritetet që kanë nisur hetimet e shtrira në Itali, Shqipëri dhe Maqedoni. Qeveria shqiptare që prej publikimit të artikujve të parë për çështjen ka nxituar të mohojë hyrjen e kontejnerëve me lëndë kimike nëpërmjet autoriteteve portuale dhe ka mbajtur të njëjtën linjë deri të hënën kur kryeministrit Edi Rama në një intervistë televizive sulmoi drejtpërdrejtë duke e kërcënuar me hedhje në gjyq median italiane Pianeta Italia. Por sulmi i kryeministrit duket se ka qenë i mirë menduar pasi lidhur me mega-aferën e mbetjeve të rrezikshme, ku dyshohet të jetë përfshirë personalisht Edi Rama falë lidhjeve të tij me “Ecomafian”, qeveria shqiptare ka bërë zyrtarisht me dije nisjen e një padie për median italiane, e cila publikoi artikullin e parë investigativ për zhdukjen e 1300 kontejnerëve me mbetje në territorin shqiptar. Ndërkohë kjo e fundit i është përgjigjur ditën e djeshme qeverisë shqiptare duke publikuar dokumentet e Portit të Durrësit dhe të Doganës së Qafë Thanës që vërtetojnë zbarkimin e mbetjeve në territorin shqiptar dhe njëkohësisht zhdukjen e tyre këtu. Pianeta Italia shkruan se artikujt e saj investigativë mbështeten mbi disa tabela, të cilët i kanë në zotërim dhe i pari prej tyre i ardhur nga Porti i Durrësit, tregon se më 2016, nga janari në dhjetor, në Shqipëri zbarkuan 24 816 kontejnerë mallrash, ndërsa ata “nën akuzë” janë nisur nga porti i Gioia Tauros, në Kalabri. Gazeta, e cila e lidh aktivitetin e saj kryesisht me investigime mbi çështjet mjedisore ka hartuar gjithashtu dhjetë pyetje, me të cilat i drejtohet kryeministrit shqiptar dhe i ripërsërit se funksionari maqedonas që ka dhënë alarmin për zhdukjen e mbetjeve në Shqipëri sinjalizon prezencën e një bërthame të “policisë fiskale” italiane që po heton tashmë për këtë rast dhe njëkohësisht dy të dërguar të ambasadave italiane në Tiranë e Shkup. Teksa i kujton deklaratën e vitit 2011 nga gazetari investigativ Roberto Saviano, i cili nga Tirana paralajmëroi shqiptarët se vendi rrezikonte të bëhej fushë plehrash e Evropës dhe që nga hetimet e tij rezultonte se ekomafiet synonin Shqipërinë dhe territorin e saj, Pianeta Italia shpreh shqetësimin se si Rama ka menduar të licencojë një biznes të kësaj natyre, duke ditur që Shqipëria nuk posedon strukturën e nevojshme as për eliminimin e mbetjeve të brendshme. 1. Zbulimet e “Pianeta Italia News” mbështeten mbi disa tabulate, të cilët i kemi në zotërim. I pari, i ardhur nga Porti i Durrësit, tregon se më 2016, nga janari në dhjetor, në Shqipëri zbarkuan 24 816 kontejnerë mallrash. Ata “nën akuzë” erdhën nga porti i Gioia Tauros, në Kalabri. Rreth 10 për qind e tyre ishin nisur për në Maqedoni, duke kaluar nga porti i Durrësit në Qafë Thanë. Tabulate të tjerë që kemi në zotërim, të ardhur nga autoritetet doganore tregojnë analitikisht numrin e kontejnerëve të tranzituar dhe prejardhjen e tyre. Nga të dhënat del në mënyrë të qartë që në Maqedoni kanë mbërritur vetëm 1140. Rreth 1300 mungojnë në apel. Pse, zoti Kryeministër, do të duhej të falsifikonim të dhëna që as nuk janë sekret e kësisoj mund të verifikohen lehtë? E pse duhet të mbrohemi nga dikush që na akuzon se kemi “shpikur” një lajm, duke ditur që këto dokumente tashmë janë në duart e autoriteteve të ndryshme gjyqësore që po hetojnë ngjarjen?

  1. Nuk do t’ju ketë shpëtuar, zoti Kryeministër, se burimi i parë i hapur që dha alarmin për “mbetjet e zhdukura” ishte një funksionar i Institutit të Tregtisë së Jashtme në Shkup, që sinjalizoi se si qindra kontejnerë humbën gjatë rrugës. Ishin pjesë e një kontrate për eliminimin e mbi një mijë kontejnerëve me plehra, por nuk mbërritën kurrë në landfillin maqedonas, i manaxhuar nga një firmë italiane, Flc Ambiente s.r.l., e cila e bleu impiantin pikërisht për këtë punë, për përpunimin e mbetjeve urbane dhe industriale që vinin nga Italia. Funksionari lajmëroi ministrin e Ambientit, drejtorin e doganës dhe kryebashkiakun e Shkupit. Të gjithë këta persona me autoritet u takuan disa herë dhe arritën në përfundimin se mbetjet janë nisur nga Italia dhe janë zhdukur në Shqipëri. Funksionari sinjalizon prezencën e një bërthame të “policisë fiskale” italiane që heton për këtë rast, dhe dy të dërguar të ambasadave italiane në Tiranë e Shkup. Edhe për këtë rast jemi në zotërim të disa e-maileve të dërguara nga funksionari i ITJ të Maqedonisë eprorëve të tij, duke lëshuar alarmin për mbetjet e humbura, duke u ndalur te “marshi prapa” i qeverisë maqedonase, që hoqi autorizimin për importin e mbetjeve më 2016 dhe në “disponibilitetin” e çuditshëm të kryeministrit shqiptar, i cili paraqiti në parlament ligjin për importin e mbetjeve urbane, industriale, kimike e të rrezikshme. Zoti Rama, a nuk thatë ju në fushatën elektorale se nuk do të lejonit kurrë që Shqipëria të bëhej kazani i plehrave të Evropës? Çfarë lidhjesh keni me botën industriale të sektorit të mbetjeve, shpesh e depërtuar–të paktën në Itali–nga krimi i organizuar? 3. Sikur të mos ishim në zotërim të kontratave që Flc Ambiente nga Frosinone ka me shumë administrata provinciale a komunale italiane për eliminimin e mbetjeve jashtë vendit, nuk do të mund të thoshim me siguri që ata kontejnerë kanë hyrë në territorin shqiptar. Siç mund ta dini, firma italiane ka investuar mbi 73 milionë euro për të organizimin dhe manaxhimin e landfillit të Shkupit, më i madhi në Evropë. Mbetjet, të zakonshme dhe speciale, të drejtuar për në Maqedoni, duhet detyrimisht të kalojnë përmes Shqipërisë. A ka kryer ndonjëherë kontrolle qeveria juaj për këto tranzite? 4. Si keni menduar të licensoni një biznes të kësaj natyre, duke ditur që vendi juaj nuk e ka strukturën e nevojshme as për eliminimin e mbetjeve të brendshme? Shqipëria nuk ka landfille teknologjikë, inceneratorë të dorës së fundit, vendgrumbullime të sigurta… Si mundet vendi juaj, zoti Kryeministër, të marrë përsipër rrezikun duke iu ofruar vendeve të tjerë një shërbim që nuk e kryen dot as për veten e vet?
  2. Flasim për ekomafian. Prokuroritë italiane janë plot me hetime për eliminimin abuziv të mbetjeve, sidomos ato industriale, kimike, të rrezikshme dhe radioaktive. Arrestimet e fundit janë bërë vetëm dje, në Siçili… Shumë rajone italiane janë të ndotura nga veprimtaria e mafieve – Camorra, ‘Ndrangheta, Cosa nostra, Sacra corona unitá – të cilat kanë groposur, mbytur, trafikuar kudo, duke konsoliduar një biznes miliardash në dëm të ambientit e të shëndetit të qytetarëve. E dini zoti Rama që në disa prej këtyre hetimeve trafikantët janë përgjuar tek flasin në telefon që duan të bëjnë biznes me landfillet shqiptare? Dhe që një gazetar i cili ia ka dedikuar jetën luftën kundër mafias, Roberto Saviano, që më 2011 paralajmëroi njerëzit në Shqipëri se vendi juaj rrezikonte të bëhej fushë plehrash e Evropës dhe që nga hetimet e tij rezultonte se ekomafia synon Shqipërinë dhe territorin e saj? Me cilët do të ishin të lumtur të bashkëpunonin?
  3. Zoti Kryeministër, ju jeni socialist, thoni që e doni lirinë e shprehjes dhe që punoni në të mirë të popullit tuaj. Nuk e di nëse e keni bërë më parë, por të hedhësh në gjyq një gazetë është një akt thellësisht antidemokratik. Ju duhet të ndienit detyrimin për ta thelluar argumentin, ta vlerësonit sinjalizimin. E pastaj, pa u ndjerë personalisht i dëmtuar – qetësohuni, askush nuk e ka me ju – mund të kishit përfituar nga rasti për t’u kërkuar ndjesë zgjedhësve tuaj për ligjin e shëmtuar për mbetjet që do t’ua ketë kërkuar ndonjë këshilltari juaj. Nuk ka asgjë të keqe të kërkosh ndjesë, në politikë bëhen gabime nënvlerësimi dhe askush nuk është imun… 7. Mund të kishit përfituar (sa për të dhënë një shembull) për të verifikuar se si shumë importues – jo vetëm të mbetjeve – “harrojnë” të marrin lejen e tranzitit të sanksionuar nga ligjet e ambientit në Shqipëri. Apo mos vallë dikush i mbron sipërmarrësit “harraqë” që trafikojnë me Shqipërinë? 8. Si ka mundësi që nuk i keni kërkuar “policisë fiskale” italiane, Guardia di Finanza që të jemi të qartë, bashkëpunim në një hetim që është thelbësor për të ardhmen ambientale të vendit tuaj dhe për shëndetin e bashkëqytetarëve tuaj? Vërtet që mund të keni pasur krizë marrëdhëniesh me Ministrin e Brendshëm, siç thonë gazetat, por pak “inteligjencë” mund ta kishit ngarkuar me thellimin e nevojshëm, apo jo? 9. Zoti Kryeministër, jeni në dijeni që ekomafiet kanë blerë – direkt ose indirekt – shumë landfille në Evropë dhe Ballkan. Ju duket ide e mirë që t’ua besoni sipërmarrësve italianë landfillin e Tiranës pa marrë më parë mendimin e autoriteteve antimafia italiane, që bashkëpunojnë tërë kohën me ato shqiptare? 10. Dhe në fund, zoti Rama, e kishit menduar që qeveria juaj të tronditej vërtet nga ndjeshmëria ambientale? Dihet që njerëzit, edhe te ju, kanë ndryshuar. Kërkojnë ajër të pastër, ujëra pa ndotje, bukuri natyrore të paprekura… Historia italiane e helmeve që vrasin me tumore dhe leukemi qindra mijëra qytetarë njihet edhe në vendin tuaj. Doni një këshillë? Në prag të zgjedhjeve, kërkoni ndjesë për atë ligj të shëmtuar për mbetjet. Më besoni, zgjedhësit do t’ju kuptojnë. E ndoshta edhe mund t’ju falin…

Deputeti italian Riçardo Nuti: Zhdukja e 1300 kontejnerëve solli dorëheqjen e ministrit Saimir Tahiri, të hetohet qeveria italiane/ Deputeti italian Riçardo Nuti, i cili vjen nga rradhët e Lëvizjes 5 Yje të Bepe Grillos, gjatë ditës së djeshme ka kërkuar nisjen e një hetimi parlamentar për 1300 kontejnerët e mbushur me mbetje të rrezikshme, për të cilët ka prova që tregojnë se janë zhdukur në territorin e Shqipërisë. Nuti ka theksuar se çështja është tepër serioze dhe duhen kërkuar shpjegime nga qeveria dhe në radhë të parë nga kryeministri italian. “Pa dijeninë e askujt gjatë vitit 2016 ka ndodhur një trafik i frikshëm i plehrave ku është përfshirë vendi ynë (Italia), Shqipëria dhe Maqedonia, për një total prej 28.600 tonelata mbetjesh që duket se janë të rrezikshme dhe që tani askush nuk e di se ku kanë përfunduar. 1300 kontejnerët plot me mbetje janë nisur nga Gioia Tauro dhe duhej të mbërrinin në Shkup, por autoritetet maqedonase kanë mohuar që ato të kenë kaluar kufirin me Shqipërinë, ndaj ekziston rreziku konkret që të jenë groposur para mbërritjes në landfill, siç dyshon edhe Prokuroria Anti-Mafia, e cila, bashkë me kolegët shqiptarë, po drejton hetimet”, shprehet deputeti italian në një artikull të botuar në të përditshmen napolitane Ottopagine.it. Deputeti Riçardo Nuti u ka dërguar letra zyrtare edhe ambasadave shqiptare e maqedonase në Itali, ndërsa pohon se i kanë shkruar edhe prefekturës së Frosinones, meqenëse impianti i Shkupit menaxhohet nga një firmë italiane me seli në këtë qytet, ndonëse një raport investigativ ballkanik thotë se kjo firmë nuk ka përvojë në sektorin e përpunimit të mbetjeve. Ndërkohë ajo që është vërtet shqetësuese dhe përball me përgjegjësi të mëdha kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë shqiptare lidhur me zhdukjen e kontejnerëve lidhet padyshim me faktin se deputeti italian e lidh shkarkimin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri pikërisht me këtë çështje.  “Është e nevojshme që qeveria, edhe në raportet institucionale dhe me ambasadat, të hedhë dritë mbi këtë rast të errët, që jo rastësisht ka sjellë edhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm shqiptar, përgjegjës për kontrollet e nevojshëm”, nënvizon Nuti.

Siçili, arrestohen 14 pjesëtarë të ekomafias, trafikonin mbetje të rrezikshme jashtë Italisë/ Teksa në Shqipëri po zhvillohet një debat i madh lidhur me hyrjen në mënyrë ilegale të 1300 kontejnerëve të mbushur  me tonelata mbetje të rrezikshme, autoritetet italiane kanë zhvilluar ditën e djeshme një operacion policor që lidhej pikërisht me trafikun e mbetjeve, duke bërë që të përforcohen edhe më tepër zërat për ekzistencën e “Ekomafias”. Siç raportojnë mediat italiane, janë arrestuar 14 persona, të cilët akuzohen se janë të përfshirë në trafikun e plehrave jashtë Italisë, ndërkohë që dy prej të arrestuarve janë biznesmenë, pjesë e mafies “Cosa Nostra”. Policia italiane ka vendosur nën sekuestro edhe 6 kompani si dhe asetet e tyre, vlera e të cilave shkon në50 milionë Euro, ndërkohë që hetuesit kanë konfirmuar se të arrestuarit përfitonin shuma të mëdha parash nga trafiku i paligjshëm i mbetjeve, të cilat i eksportonin jashtë Italisë.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>