Paturpësia e Ramës – përgënjeshtron Shtetet e Bashkuara të Amerikës

EDI RAMA zaptues

 

 

Paciptësia e Ramës kalon Atlantikun! Pas raportit të DASH dhe deklaratës së ambasadës amerikane, ku thuhet se është “e turpshme që një deputet i Kuvendit është i dënuar për trafik njerëzor”, Edi Rama jo që refuzon të ndëshkojë subjektin e krimit, por po fortifikon mbrojtjen për deputetin e inkriminuar

Vëzhgimi/ Kim Jong-un i Koresë së Veriut gjen homologun në Europë, Edi Rama “gris” publikisht përfundimet e administratës së Uashingtonit

 

Kryeministri i vendit ka dalë dje në një deklaratë ku pas rrenave për ekonominë ka guxuar të vazhdojë mbrojtjen ndaj Arben Ndokës, tashmë i zbardhur se është deputeti që përmendet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit si i dënuar për trafik të qenieve njerëzore. Pas raportit amerikan dhe deklaratës së ambasadës amerikane, citojmë “e turpshme që një deputet i Kuvendit është i dënuar për trafik njerëzor”, Edi Rama jo që nuk ka lëvizur për të zhbërë “krimin” e tij me përfshirjen e deputetit të inkriminuar në listën për deputet, por po shihet të bëjë hapa prapa duke fortifikuar mbrojtjen për Arben Ndokën. Kjo mbrojtje, që ia kalon edhe tagrit të avokatit, filloi me daljen e zv/ministres së Brendshme, e cila fliste më shumë për buletinin e Sajmir Tahirit sesa për raportin serioz të DASH-it, ka vijuar me hartimin e një shkrimi kinse autorial të Arben Ndokës, ku thumbohej Opozita, a thua se ishte Partia Demokratike që shkroi raportin, e ka arritur klimaksin e saj, tashmë me gojën e vetë kryeministrit i cili pa u skuqur, tha se “nuk ka asnjë deputet që ka problem me ligjin”.

Kjo sfidë e hapur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe angazhimit të saj për të mbështetur Shqipërinë në luftën kundër krimit është një tjetër “krim” që i shtohet dosjes së kryeministrit. Përgënjeshtrimi i raporteve amerikane është traditë e vendeve totalitariste. Koreja e Veriut përgënjeshtron SHBA-në, e tani Kim Jong-un ka gjetur një homolog edhe në Europë, Edi Ramën.

Mes Arben Ndokës dhe raportit amerikan, kryeministri ka zgjedhur të parin. Mes krimit dhe luftës kundër krimit, Edvini ka zgjedhur krimin. Mes kriminializmit dhe dekriminalizmit, ai ka zgjedhur kriminalizmin. Por, megjithë këtë paturpësi që kalon Atlantikun, Rama për hir të miqësisë së tij intime me krimin po djeg marrëdhënien e tij personale me Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk është se kanë qenë të shkëlqyera. Kujtojmë se sapo shkeli në qeveri, ai nuk i qëndroi një marrëveshjeje që i kishte premtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth çështjes së armëve kimike të Sirisë ndërsa i ka lëkundur ato me disa “punë” nga Kazakistani e Rusia. Thënë këto, pavarësisht se Shqipëria ka një kryeministër gënjeshtar të ndërkombëtarizuar, Shqipëria dhe shqiptarët nuk gënjejnë e nuk përgënjeshtrojnë. Nëse ka një raport më të besueshëm për shqiptarët, madje se vetë ato vendase, ky është raporti që del nga Departamenti Amerikan i Shtetit.